Demenca dhe Alzheimeri, sëmundjet që rrezikojnë të moshuarit

Teksa jetëgjatësia është në rritje, mjekët vlerësojnë se me rritjen e saj është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve me demencë. Po kështu, sëmundja e Alzheimerit vlerësohet të jetë shkaku më i shpeshtë i demencës dhe një nga burimet kryesore të vdekshmërisë në popullatën e moshuar

Shqipëria po fillon të përballet me fenomenin e moshimit dhe plakjes së popullsisë, si shkak i zgjatjes së jetëgjatësisë dhe zvogëlimit të numrit të lindjeve. Në vendin tonë jetojnë rreth 543.000 të moshuar dhe më shumë se 80% prej tyre jetojnë në shtëpi shpesh pa përkujdesje të veçantë dhe në varfëri. Instituti i Shëndetit Publik vlerëson se një në tre të moshuar vuan nga disa sëmundje dhe dy në tre prej tyre janë të sëmurë kronikë, nën trajtim mjekësor me ilaçe.

Problemet

Teksa jetëgjatësia është në rritje mjekët vlerësojnë se me rritjen e saj është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve me demencë. Po kështu, sëmundja e Alzheimerit vlerësohet të jetë shkaku më i shpeshtë i demencës dhe një nga burimet kryesore të vdekshmërisë në popullatën e moshuar. Mjekja neurologe Entela Basha, sqaron se dy nga sëmundjet më të shpeshta që ndeshen te moshat e treta janë demenca dhe Alzheimeri. Sa u takon këtyre sëmundjeve që lidhen me çrregullimet e funksioneve të larta të trurit, mjekja sqaron se ka disa shenja të cilat duhet t’ju bëjnë të dyshoni nëse jeni i sëmurë nga këto apo keni familjarë të prekur prej tyre dhe si mund të trajtohen.

Sëmundjet

“Demenca është një sëmundje që karakterizohet nga një rënie progresive e funksioneve të larta të trurit në një ose më shumë fusha, siç janë: të mësuarit, kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive dhe vëmendja, duke cenuar pavarësinë funksionale të individit.

Sëmundja e Alzheimerit është shkaku më i shpeshtë i demencës dhe një nga burimet kryesore të vdekshmërisë në popullatën e moshuar. Në të gjithë botën numërohen 47 milionë njerëz të prekur nga demenca. Me rritjen e jetëgjatësisë po shtohet ndjeshëm numri i pacientëve me demencë.

Që të dyshosh se je i sëmurë me Alzheimer mjaftojnë të dhënat klinike, në të paktën një nga fushat e mëposhtme: të mësuarit dhe kujtesa, gjuha, funksionet ekzekutive, vëmendja, funksionet motore dhe perceptuese. Humbja e funksionit vlerësohet duke u krahasuar me gjendjen paraardhëse të individit dhe deficitet konjitive duhet të ndikojnë në jetën e përditshme të tij.

Ka dhe disa forma më të rralla të Alzheimerit, si: paraliza supranukleare progresive, sëmundja e Huntingtonit, demenca e lidhur me abuzimin nga alkooli etj. Pjesa më e madhe e pacientëve nuk paraqiten në spital për çrregullime të kujtesës, ndërkohë janë familjarët e tyre që detyrohen t’i sjellin për vlerësim si rrjedhojë e çrregullimeve të kujtesës.

Alzheimeri duhet dalluar nga simptomat e humbjes se kujtesës apo çrregullime të sjelljes dhe të personalitetit, të cilat janë joprogresive ose të nxitura nga një sëmundje sistemike, medikamente, çrregullime psikiatrike, apo patologji organike të trurit. Çrregullimet e funksioneve të larta të trurit karakterizohen nga çrregullime të kujtesës, por që nuk ndikojnë në funksionimin normal. Këto subjekte kanë risk më të lartë të shfaqin demencë me kalimin e viteve. Vlerësimi i pacientëve me çrregullime të kujtesës, që mund të jetë një shenjë paralajmëruese për shfaqjen e demencës, nuk mund të bëhet në një seancë vlerësuese të vetme.

Vendosja e diagnozës

Vlerësimi në vazhdimësi merr rëndësi shumë të madhe, ku krahasimi i testeve të vlerësimit të funksioneve të larta të trurit të çon drejt diagnozës. Mjaft e rëndësishme është marrja e historisë me kujdes, vlerësimi i medikamenteve të përdorura që ndërhyjnë në funksionet superiore, ekzaminimi objektiv dhe neurologjik, vlerësimet laboratorike dhe imazherike, janë kriteret që përjashtojnë shkaqet e mundshme të demencave ose konfirmojnë diagnozën. Një diagnozë e saktë na çon drejt mjekimit të duhur.

Në çdo formë të demencës, duhet vlerësuar kondicionin me teste specifike. Testi më i hershëm dhe më i shpeshtë është MMSE (mini mental state examination). Testi është i realizueshëm për 7-10 minuta dhe me anë të tij vlerësohet: orientimi, përfshirja, vëmendja, përllogaritjet matematikore, çrregullimet gjuhësore. Vlerësimi maksimal është 30 pikë dhe kufiri minimal është vendosur 24 pikë, që nënkupton se nën 24 pikë pacienti ka rrezik për të shfaqur demencë. Vlerësimi përshtatet me nivelin arsimor dhe social të pacientit në ekzaminim.

Vlerësimi imazherik me anë të rezonancës magnetike është i domosdoshëm pasi evidenton atrofinë fokale ose të gjeneralizuar, si dhe lezionet e substancës së bardhë. Ekzaminimet imazherike funksionale (FDG-PET, FMRI, perfuzion MRI, or SPECT) evidentojnë zona me metabolizëm të ulur dhe hypoperfuzion në AD.

Pacientët me demencë kanë vështirësi në:

  • Marrjen dhe përpunimin e informacioneve të reja (vështirësi në kujtimin e ngjarjeve)
  • Kryerjen e veprimeve të vështira (balancimin e objekteve)
  • Logjika (vështirësi socializimi me të panjohur)
  • Çrregullime të orientimit (harrojnë vendndodhje dhe ambiente të njohura)
  • Gjuha (vështirësi në gjetjen e fjalëve)
  • Sjellja

Fakte dhe shifra:

  • Sëmundja e Alzheimerit dëmton trurin, duke rezultuar në dëmtim të kujtesës, të të menduarit dhe të sjelljes
  • Faktori më i madh i rrezikut për Alzheimer është mosha e madhe, ku tre në dhjetë individë mbi 85 vjeç diagnostikohen me demencë
  • Në raste sporadike, Alzheimeri mund të prekë individë në çfarëdo moshe
  • Zakonisht shfaqet në moshën mbi 65 vjeç
  • Në rang global, janë afërsisht 44 milionë individë me Alzheimer apo forma të tjera të demencës
  • Vetëm 1 në 4 individë me Alzheimer është i diagnostikuar për këtë problem
  • Alzheimeri dhe demencat e tjera janë më të përhapura në Europë, ndjekur nga Amerika e Veriut
  • Alzheimeri është më pak i përhapur në Afrikën Sub-Sahariane
  • Alzheimeri dhe demencat e tjera janë shkaku kryesor për paaftësi në moshën e tretë
  • Dy në tre individë me Alzheimer janë femra
  • 30% e individëve me Alzheimer kanë gjithashtu sëmundje të zemrës dhe 29% kanë edhe diabet
  • Më shumë se 40% e familjarëve të individëve me Alzheimer raportojnë se stresi emocional që ata përjetojnë në rolin e tyre është shumë i lartë
  • Individët me Alzheimer hospitalizohen tri herë më shpesh sesa moshatarët e tyre pa këtë problem
  • Familjarët e individëve me Alzheimer raportojnë se, që nga momenti që i afërmi i tyre diagnostikohet me Alzheimer, ata duhet të kujdesen akoma më shumë për shëndetin e tyre në mënyrë që të jenë në gjendje të ofrojnë përkujdesje për individët me Alzheimer
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Buxheti i shtetit për opozitën duhet të jetë më shumë sesa debatet mbi kriminalitetin

Nga Ervis Iljazaj Opozita shqiptare me sa duket debatin për buxhetin e...
Read More