Demokracia Fast Food

Nga Indrit Vokshi

Mbas konfirmimit të pushtetit nga Partia Socialiste më 25 qershor duket sikur individët opozitarë i kanë flakur stilolapsat. Duket sikur në shoqërinë shqiptare është krijuar psikoza se Partia Socialiste e ka fituar pushtetin, ka numrat, prandaj le të dorëzohemi sepse nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Për formimin e kësaj psikoze ndikon qenia vetëm pak kohë pas zgjedhjeve dhe ndikon perceptimi se opozita politike nuk është e qartë në tezat dhe në luftën e saj, prandaj më mirë të tërheqim kryet në shtëpinë e breshkës e të ndjekim prej aty se çfarë do të ndodhë. Pra, fitorja e Partisë Socialiste ishte njëfarë mesazhi dekurajues për energjinë opozitare në Shqipëri.

Mirëpo duhet kujtuar e kumtuar se numrat për të formuar qeverinë thjesht të ndërrojnë vendin si palë politike, nga opozitë të bëjnë pushtet. Kaq. Pushteti qeveritar nuk është pushteti më i rëndësishëm. Pushteti më i rëndësishëm është gjyqësori. Është supozuar se parlamenti ka orekse përtej të drejtës, ndaj janë krijuar gjykatat kushtetuese. Është supozuar se qeveria e populli nuk janë miq, ndaj ekziston gjykata që shtetasi të padisë qeverinë. Institucionet lypsen sistemuar horizontalisht në mendjen tonë me qëllim për ta mbrujtur mendimin se qeveria nuk është më e larta, ajo thjesht menaxhon paratë tona dhe ofron shërbime për ne. Se qeveria nuk mund të jetë “Dija Supreme” prej nga buron e vërteta dhe se e vërteta nuk janë numrat, 74 apo edhe 104 në qofshin. I shkruaj këto principe shkollore pasi në Shqipëri fryn erë totalitarizmi. Në emër të luftës ndaj asaj çka është bërë keq më parë, tentohet të instalohet një e keqe e re. Duke sulmuar institucionet të cilat nuk kanë funksionuar mirë nuk tentohet përmirësimi i tyre por, ofrimi i diçkaje tjetër përtej tyre dhe mbi to. Thuhet se institucionet nuk janë të besueshme, ndaj garancia do të jetë lideri i cili mbështetjen popullore do ta përdorë si legjitimitet për të zëvendësuar institucionet e për t’u kthyer vetë në një institucion që komunikon direkt me popullin; pa procedura e kushtetutë si ndërmjetëse. Ky është një Komplot i Madh kundër demokracisë kushtetuese dhe institucionale e cila parashikon siguri juridike dhe ku qytetari e di se çfarë mundet t’i ndodhë nesër në marrëdhënien e tij me shtetin. Ofrohet një “Demokraci Fast Food”, ku lideri e paketon atë çka i përgjigjet oreksit momental të njeriut. Nuk është pra aksident dhe shthurje rutinë, kjo çka po ndodh është model i mirëmenduar i cili është aplikuar në shumë vende të Afrikës dhe Amerikës Latine. Ndaj sado mbështetje popullore të ketë pushteti i Partisë Socialiste, kjo nuk do të thotë se ne duhet të pajtohemi me të. Po ta gjykojmë kësisoj nuk do të duhej të ekzistonte opozita sepse pushteti ka numrat, ka mbështetjen popullore, kështu që ne duhet të heshtim. Por opozita drejtohet pikërisht kundër atyre numrave. Lypset kuptuar se në thelb, konkurrenca politike është pikërisht ky konflikt midis dy ose më shumë grupeve të shoqërisë. Janë këto grupe të cilat konfliktohen për mënyrën e menaxhimit të parasë publike. Ne nuk luftojmë vetëm kundër z. Rama, ne luftojmë kundër asaj pjese të popullsisë e cila ka votuar për z. Rama. Ngaqë ne mendojmë se gjykimi i tyre nuk është i duhuri, se ata kanë gabuar dhe me zgjedhjen e tyre na kanë penalizuar edhe ne të tjerëve. Ky mendim nuk është aspak skandaloz, as është sharje e popullit siç mund të preferohet të lexohet. Ky është thelbi i demokracisë e republikës si koncept; të mos pajtohesh e të konkurrosh që një tjetër platformë politike të ngadhënjejë. Pa dyshim, duke mos e konsideruar votën e pjesës tjetër të popullsisë si arsye për luftë civile. Duke e respektuar por duke e konkurruar. Ndaj askush nuk duhet të kompleksohet nga pushteti i numrave, por duhet të luftojë për idenë e vet demokratike. Sepse në një Shqipëri ku ka humbur busulla politike, ku totalitarizmi, duke shfrytëzuar humbjen e besimit të njerëzve te politika dhe nëpërmjet lojës me emocionet e pjesës më të dëshpëruar e më pak të ndërgjegjshme të popullsisë, po rikthehet, përballë tij duhen rishtruar fuqishëm pretendimet për liri e demokraci kushtetuese. Fakti që kemi pasur probleme dhe kemi ecur ngadalë me krijimin e institucioneve kushtetuese, fakti se kjo është përpjekje e lodhshme nuk do të thotë se ne duhet të heqim dorë e t’i zëvendësojmë me modelin populist a-institucional. Si përfundim, nëse në Shqipëri do të kishim institucione aq të fuqishme sa për t’i zhvlerësuar numrat në emër të mbrojtjes së popullit nga keqtrajtimi i qeverive, pushteti prej 74 mandatesh i Partisë Socialiste nuk do të ishte aspak shqetësues. Mirëpo duke njohur realitetin, duke njohur largësinë mendore që udhëheqja e kësaj partie ka me parimet e shtetit kushtetues, qëndresa për demokraci kërkohet të jetë aq e fortë sa qëndresa e atyre për të kundërtën e demokracisë. Ndryshe nuk fitohet. Qëndresa thjesht akuzatore e foltoreve vetëm sa ia lehtëson rrugën totalitarizmit që si pasojë sjell gjithmonë devitalizimin dhe dëshpërimin e njerëzve. Ndaj shtatori duhet të nisë me luftë ndaj mendimit “Hë se të gjithë njëlloj janë”. Dhe ky mendim rrëzohet përmes akteve. Nëse nuk ka akte, “Demokracia Fast Food” vetëm sa favorizohet.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kinemaja e diktaturës: Mbi Lumbardh 4 tregime të propagandës pa filtër

Prodhimet filmike të krijuara në Shqipërinë e viteve ’70 dalin nga arkivi...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *