“Demokratura” shqiptare në sytë e një mërgimtari sipas Eugjen Merlikës

Nga Leonora Laçi

Teksa lexoja librin e studiuesit Eugjen Merlika m’u kujtua një episod i rrëfyer nga studiuesja e krimeve të komunizmit ndaj femrave shqiptare zonja Fatbardha Mulleti-Saraçi që kishte dalë në pritje të prof. Arshi Pipës në fillim të viteve ’90.

Ajo më rrëfeu se kur erdhi në Shqipëri prof. Arshi Pipa ( i cili kishte bërë 10 vite burg në komunizëm e më pas ishte arratisur, e vinte me mall për vendlindje pas shumë dekadash) me të zbritur nga shkallët e avionit në Aeroportin e Rinasit, dha intervistë në media dhe tha këto fjalë drejtuar popullit shqiptar: -“nga një diktaturë e fortë nuk mund të ketë një demokraci të mirë. E ju po qeveriseni nga xhonturqit e rinj”.

Kjo e vërtetë iu dogji politikanëve shqiptarë dhe ndikoi në sjelljen e tyre ndaj prof. Pipës. Të vërteta të tilla janë kumte që qëndrojnë dhe sot, pas 27 vitesh demokraci, ndryshimet janë të pakta.

Edhe z. Merlika në këtë publicistikë të sjellë përpara nesh është mjaft kritik ndaj qeverive shqiptare imituese të njëra-tjetrës, flamurtare të interesave për ngjitje në pushtet, artikujt përfshijnë harkun kohorë 2004-2017, dhe na njeh me një tablo politike dhe këndvështrimin e tij mbi politikën shqiptare, ngjarje të caktuara, siç janë zgjedhjet e 3 korrikut 2005, zgjedhjet presidenciale…etj.

Ndonëse larg fizikisht, por i përfshirë tërësisht shpirtërisht në realitetin politik shqiptar. I gjendur matanë Adriatikut, një det që ndanë dhe bashkon dy popuj, det që mban në thellësitë e tij ngjarje, triumfe e humbje, që ka përpirë njerëz e histori… Mërgimtari z. Eugjen Merlika biles është më i ftohtë se ne në gjykim sepse e sheh politikën duke qenë i distancuar nga vorbulla saj. Ndërsa ne jemi spektatorë të së përditshmes dhe nuk e dimë çfarë luhet pas perdeve por dhe përtej “sallave” të teatrove të politikës shqiptare.

Ai është realist, pak fare idealist, kërkon kohën e artë të atyre politikanëve shqiptarë që e donin atdheun dhe ndjenin përgjegjësi për fatet e tij, përpara kombit divergjencat mes njeri-tjetrit dilnin në plan të dytë. Koha e tyre duket se vonë do vijë.

Përgjatë periudhës 2004-2017 rrjedhin shumë ujëra të turbullta, papjekuria politike dhe interesat e ngushtë janë alfa e omega e politikëbërjes në Shqipëri.

Në këtë publicistikë disa nga shkrimet janë profetike, analiza të thukëta pa ngjyrime emocionale, objektiv dhe pa i thurur elozhe. Këto shkrime na paraqesin një tablo të jetës politike kryesisht, të dështimeve e sukseseve të saj. Ku politika shqiptare shpesh paraqitet e zymtë, zgjedhjet apo zgjidhjet që politikanët shqiptarë kanë bërë shpesh kanë qenë të gabuara, dritëshkurtra, kapërcimet nga njëri krah në tjetrin ngjajnë si krah të një trupi të vetëm që nuk ndryshojnë shumë, përbaltojse idealesh kombëtare, politikë e destinuar për të dështuar.

Shqipëria politike nuk ka shumë për të na treguar këto vitet e fundit sidomos ajo e shek. XXI që duket si shtojcë e gjysmë shekullit që lamë pas, një shtojcë e keqe si barërat e këqija.

Vazhdojmë të shpresojmë në kapje peshqish, e sa më shumë flitet për ta aq më e pamundur duket. Studjuesi Merlika na shkruan për babëzitjen shqiptare për pushtet, ku pushteti është bërë kryefjala e tyre, si një trofe i domosdoshëm, e për ta marr atë s’njohin as nënë as baba, babëzitja për pushtet vazhdon, e bashkë me të vazhdon dhe rënia morale e shoqërisë, humbja e vlerave, besimit, ndershmërisë.

Edhe termi “Europë” nuk po na i ngroh më zemrat, sa më shumë bërtasin ata për integrim europian aq më e largët duket ajo ditë, si vite dritë larg.

Integrimi nuk vjen vetë, pa punë, pa konsensus politik, pa spastrime politike dhe pa ndërgjegjësim qytetar. Jemi në vitin 2018, jemi në një shekull të ri por me politikanë të vjetër, nga mendësia, mosha e vesi…

Në këtë publicistikë autori thotë ca të vërteta që për disa janë të hidhura, si mërgimtar shqetësohet për gjendjen e atdheut, nuk e sheh të shkëputur atë nga vetja. Ajo që kuptojmë përmes këtyre artikujve është; papjekuria për të demokratizuar vendin i ka bërë vend djallëzisë për ta keqpërdorur demokracinë bashkë me ëndrrën europiane të shqiptarëve.

Ky botim është një copëz e historiografisë sonë të shekullit të ri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Programi i IEP: 5 projekte kërkimore në 5 fusha me impakt publik

Instituti Europian Pashko ka lançuar javën që shkoi programin kërkimor për 3...
Read More