Denoncimi i PD: Fatmir Xhafaj ndryshoi ligjin për të mbrojtur vëllanë

Denoncimi: Pa transparencë dhe në konflikt të pastër interesi, Fatmir Xhafaj propozoi dhe miratoi një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, që i siguron paprekshmërinë vëllait të tij Agron Xhafaj. Konkretisht, në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, befas dhe pa asnjë diskutim, shtohet pika “f”, duke parashikuar që “nuk mund të jepet ekstradimi kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”.

Partia Demokratike iu rikthye dje në parlament akuzave ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, se ka marrë në mbrojtje vëllanë e tij, të dënuar në vitin 2012 në Itali me 7 vite e dy muaj burg për pjesëmarrje në organizata kriminale të cilat merreshin me trafik lëndësh narkotike. Sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha ai duhej arrestuar dhe ekstraduar. Por kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk ka patur asnjë kërkesë nga pala italiane. Megjithatë opozita lëshoi dhe një tjetër akuzë, ku u shpreh se sipas saj, zoti Xhafaj, kur mbulonte detyrën e kryetarit të Komisionit parlamentar të Ligjeve, ka ndërhyrë për të ndryshuar një nen të Kodit të Procedurës Penale, vetëm për të mbrojtur të vëllanë.

Akuzat në Kuvend

Për opozitën dje në parlament kishte vetëm një çështje, atë të nisur prej saj një ditë më parë e që lidhej me vëllanë e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, i arrestuar në Itali në vitin 2002, si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikun e lëndëve narkotike, dhe i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg nga Gjykata e Apelit të Lecces, vendim i konfirmuar një vit më vonë dhe nga Gjykata e Kasacionit. Kryetari demokrat Lulzim Basha akuzoi direkt ministrin se ka marrë në mbrojtje të vëllanë i cili siç tha ai, është i dënuar por nuk ka vuajtur asnjë ditë dënimin. “Është detyrë e ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në Policinë e Shtetit që të identifikonin Agron Xhafajn, të verifikonin dënimin e tij në Itali, dhe të merrnin të gjitha masat ligjore që ai të arrestohej dhe ekstradohej për të vuajtur dënimin e tij prej 7 vjet e dy muaj burgim”, deklaroi zoti Basha. Ministri i Brendshëm, i cili ka folur disa herë publikisht për këtë çështje, edhe mbrëmë deklaroi se “kjo është një çështje e zhvilluar në Itali, në kohën kur këta që sot e rizbuluan ishin në pushtet, dhe asnjëherë në asnjë rast, as qeveria e tyre, as Qeveria tjetër më pas dhe as kjo Qeveri nuk janë kontaktuar as shkresërisht, as informalisht nga autoritetet e një vendi tjetër për të kërkuar çfarëdo qoftë për këtë çështje”. Ndërkohë dje në sallën e parlamentit, të cilën demokratët e braktisën pas fjalës së kryetarit Basha, kryeministri Edi Rama tha se “nuk ka asnjë kërkesë formale apo informale nga autoritetet e vendit ku ka ndodhur ngjarja për autoritetet shqiptare për 6 vjet me radhë. Asnjë kërkesë”, deklaroi kryeministri.

Denoncimi nga selia e PD

Ashtu siç paralajmëroi në fjalën e tij në Kuvend Basha, më vonë nga selia e Partisë Demokratike, ndaj ministrit të Brendshëm u lëshua një tjetër akuzë. Sipas demokratëve, duke shfrytëzuar pozicionin si kryetar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, zoti Xhafa ka ndërhyrë duke bërë një ndryshim në kodin e procedurës penale që sipas opozitës mbron direkt të vëllanë e tij. Partia Demokratike ka qenë e drejtpërdrejtë: Fatmir Xhafaj po e mbron vëllanë e tij, Agron Xhafaj nga vuajtja e dënimit për akuzën e trafikut ndërkombëtar droge. Madje, sipas opozitës, Xhafaj në cilësinë e kreut të Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe si kryetar i Komisionit të Ligjeve ka ndërhyrë duke ndryshuar nene të Kodit të Procedurës Penale, për t’i siguruar, siç thotë opozita, lirinë e përjetshme të të vëllait. “I ka siguruar të vëllait lirinë e përjetshme, dhe garancinë me ligj të shmangies nga vuajtja e dënimit të marrë në mungesë për trafik ndërkombëtar droge. Shqiptarët e kujtojnë se një nga ligjet e miratuara në kuadër të Reformës në Drejtësi, ishte edhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale. Pikërisht ky ligj ishte mundësia e artë që Fatmir Xhafaj të zgjidhte hallin e madh të vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar për trafik ndërkombëtar droge, në Itali, në mungesë”, thotë PD. Demokratët përmendin nenin 491 të këtij kodi. “Pa transparencë dhe në konflikt të pastër interesi, Fatmir Xhafaj propozoi dhe miratoi një ndryshim në Kodin e Procedurës Penale, që i siguron paprekshmërinë vëllait të tij Agron Xhafaj. Konkretisht, në nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale, befas dhe pa asnjë diskutim, shtohet pika “f”, duke parashikuar që nuk mund të jepet ekstradimi kur personi i kërkuar është dënuar në mungesë, me përjashtim të rastit kur shteti kërkues jep garanci për rishikimin e vendimit”, shton opozita. PD kujtoi 7 pyetjet që sipas opozitës, presin përgjigje nga kreu i Ministrisë së Brendshme. “Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e Agron Xhafajt dhe për të verifikuar zyrtarisht nëse është apo jo i dënuar, në kushtet kur deklaron se cilido në këtë vend, përfshi atë vetë apo familjarët e tij nuk është mbi ligjin, dhe se ai dhe qeveria e tij nuk i siguron dhe nuk i garanton imunitet nga shkelja e ligjit askujt? Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë? Pse nuk i ka kontaktuar Fatmir Xhafa, as shkresërisht, dhe as informalisht, autoritetet ligjzbatuese italiane, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?”, thotë PD. Partia Demokratike thotë se Xhafaj nuk u jep dot përgjigje këtyre pyetjeve dhe e akuzon atë se po mbron të vëllain e dënuar për trafik ndërkombëtar droge. “Pyetja që ngrihet sot nga të gjithë është: A është ndihma që po i jep Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm të vëllait të dënuar për trafik droge, rasti i parë, apo ai ka ndikuar edhe më herët, duke përdorur funksionet publike, për ta mbrojtur të vëllanë?”, deklaruan nga selia e PD-së, Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj.

Denoncimi i parë

Dy ditë më parë në një konference për mediat nga selia e PD, deputeti Alibeaj dhe këshilltari për çështjet ligjore Gazmend Bardhi publikuan vendimin e formës së prerë të gjykatës italiane për Agron Xhafaj, i dënuar me 7.2 vite burg për trafik droge. Gazmend Bardhi dha detaje konkrete të vendimit. “Me vendim më datë 25 Shtator 2012, Gjykata e Kasacionit në Itali është rrëzuar ankimi i shtetasit Agron Xhafaj duke lënë në fuqi dënimin me 7.2 vite burg të dhënë me vendimin e datës 12 Tetor 2008 Gjykata e Shkallës së Parë Lecce, lënë në fuqi me vendimin e Apelit Lecce të datës 25 Janar 2011. Për pasojë, shtetasi Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nga shqyrtimi i vendimit gjyqësor dhe dosjes, rezulton se Agron Xhafaj është dënuar për pjesëmarrje në grup kriminal që kishte për synim trafikun ndërkombëtar midis Europës dhe SHBA të lëndëve narkotike”, deklaroi Bardhi.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rama: Ruçi kryetar Kuvendi. Do të jem në betimin e Metës

Kryeministri tha se shpresonte që marrëveshja me PD të vijonte, pavarësisht situatës...
Read More