Deri kur do të qëndrojë në detyrë kryeprokurorja e re

Avokati i Popullit ka njoftuar Kuvendin se ka seleksionuar 3 kandidatë nga shoqëria civile që kanë aplikuar për të qenë anëtarë të KLP. Sot kandidatët do të kalojnë në seancë dëgjimore. Zgjedhja e anëtarit të KLP-së do t’i japë fund ngërçit për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri sipas Kushtetutës

Ndonëse mazhoranca arriti të zgjedhë në mënyrë të njëanshme Prokurorin e ri të Përgjithshëm për një mandat të përkohshëm, duke provokuar një krizë të re politike në vend, duket se kryeprokurorja e re nuk do qëndrojë gjatë në detyrë.

Kjo pasi po krijohen kushtet që Kuvendi të mund të zgjedhë një prokuror të përgjithshëm me një mandat të plotë 7-vjeçar, ashtu siç e parashikon edhe Kushtetuta.

Komisioni Ad Hoc i Shqipërisë Civile që vepron pranë Avokatit të Popullit ka mundur më së fundi të seleksionojë edhe 3 kandidatë që plotësojnë kriteret dhe kushtet formale ligjore për të qenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili në fakt është edhe hallka që bën të mundur dhe zhbllokimin e procesit të zgjedhjes së kreut të ri të prokurorisë sipas përcaktimeve kushtetuese.

Këtë gjë e ka bërë të ditur institucioni i Avokatit të Popullit, i cili në një komunikim zyrtar me Kuvendin e Shqipërisë, informon sekretarin e përgjithshëm të tij, Genci Gjonçaj, mbi ecurinë e këtij procesi.

Avokati i Popullit informon se pas thirrjes së gjashtë, është bërë i mundur seleksionimi i tre kandidatëve që plotësojnë kriteret dhe kushtet formale ligjore, dhe që janë të gatshëm t’i nënshtrohen seancës dëgjimore.

Sipas kësaj shkrese Avokati i Popullit informon Kuvendin se gjatë ditës së sotme do të mbahet dhe seanca dëgjimore me të tre kandidatët, të cilët janë Alfred Balla, Andi Murataj, Entela Hoxha.

“Pas përfundimit të procesit verifikues nga ana e Avokatit të Popullit për përmbushjen e kritereve ligjore të kandidatëve që kanë shprehur interesin për anëtarë të KLP-së, Komisioni i Shoqërisë Civile u mblodh sot në datën 18.12.2017 për verifikimin paraprak të këtyre kandidaturave mbi bazën e shqyrtimit e shqyrtimit të dokumentacionit përkatës. Në cilësinë e kryetarit të Komisionit ad hoc të Shoqërisë Civile, po ju përcjell emrat e kandidatëve për KLP, të cilët janë vlerësuar nga Komisioni se kalojnë fazën e parë të verifikimit paraprak, pasi përmbysin kriteret formale ligjore. Gjithashtu, ju informojmë se komisioni i Shoqërisë Civile vendosi të zhvillojë në datën 20 dhjetor 2017, ora 10:00 seancën dëgjimore publike me kandidatët e mësipërm”, thuhet në shkresën që kreu i Komisionit të Shoqërisë Civile, Andi Dobrushi, i dërgon Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj.

Pak ditë më parë, në një komunikim për mediat, Komisioni Ad Hoc i Shoqërisë Civile lidhur me këtë proces sqaronte se pas thirrjes së gjashtë për shprehje interesi, ishin paraqitur 5 kandidatë të rinj, të cilët do t’i nënshtroheshin procesit të verifikimit dhe shqyrtimit.

Proces ky që duket se ka konkluduar me përzgjedhjen e 3 emrave që kanë plotësuar kriteret e parashikuara në ligj për të qenë pjesë e KLP-së.

Në atë kohë Komisioni i Shoqërisë Civile bënte të ditur se ishte në pritje të përmbushjes së afateve ligjore dhe procedurale nga Avokati i Popullit, me qëllim që të shqyrtonte pesë kandidaturat e reja, të kryejë seancën dëgjimore me kandidatët e kualifikuar duke synuar përfundimin e procesit brenda muajit Dhjetor.

Sipas këtij komunikimi nga muaji shkurt, kur Komisioni i Shoqërisë Civile u krijua e deri në muajin tetor, me propozim të këtij komisioni nga Kuvendi i Shqipërisë janë hapur dhe njoftuar 5 thirrje publike për kandidatët që shprehin interesin për të qenë anëtarë të KLP-së si përfaqësues të shoqërisë civile. Bazuar në këto thirrje, 10 nga 11 kandidaturat e mbërritura janë skualifikuar për shkak se nuk përmbushin kriteret formale ligjore.

Komisioni theksonte se disa nga argumentet kryesore për skualifikimin e këtyre kandidaturave kanë qenë: mospërmbushja e kriterit 15 vite përvojë pune në profesion si jurist; mungesa e të provuarit me fakte dhe prova konkrete të angazhimit të këtyre kandidatëve në shoqërinë civile, mungesa e një profili të spikatur shoqëror, integriteti të lartë moral apo justifikimi i aseteve.

Komisioni vlerësonte se kriteri i vendosur për 15 vite përvojë pune në profesion si jurist ka qenë një ndër faktorët kyçë që ka prodhuar situatën aktuale me kandidaturat për KLP të ardhura nga shoqëria civile. Por duket se tashmë në thirrjen e gjashtë është bërë e mundur që të zgjidhet ky ngërç dhe bashkë me kandidatin e përzgjedhur që nga thirrjet e para, shkon në 4 numri i kandidatëve që plotësojnë kushtet për të qenë anëtarë KLP-je të ardhur nga shoqëria civile, nga të cilët vetëm 3 do t’i shkojnë Kuvendit për votim.

Por para se të mbërrihet në këtë fazë, duket se konkludimi me zgjedhjen e KLP-së do të zgjasë të paktën edhe disa muaj.

Kjo pasi ligji parashikon një procedurë të gjatë dhe të ndërlikuar edhe për procesin në vazhdim. Kështu, pasi të zhvillohet seanca dëgjimore në institucionin e Avokatit të Popullit, tre kandidatët finalistë do t’i përcillen Kuvendit dhe sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni do duhet t’ia përcjellë Komisionit të Ligjeve, së bashku me kandidaturat që vijnë nga avokatia dhe profesorati.

Ndërkohë që edhe Komisioni i Ligjeve nga ana e tij për të shqyrtuar kandidaturat do duhet të ngrejë edhe ai një komision ad hoc për të parë jo vetëm anën formale të kritereve që plotësojnë kandidatët, por edhe për të vlerësuar në raportin që do t’i paraqesë Kuvendit se cili prej tyre duhet të votohet.

E llogaritur me afate kohore, pritet që brenda dhjetorit procesi të përfundojë në institucionin e Avokatit të Popullit, ndërkohë që në fund të Janarit për shkak edhe se Kuvendi është me pushime, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit duhet t’i kalojë listën me të gjithë kandidatët Komisionit të Ligjeve.

Duke marrë parasysh edhe kohën që do t’i duhet Komisionit të Ligjeve për të bërë ngritjen e komisionit ad hoc dhe shqyrtimin e kandidatëve, atëherë momenti më i afërt i mundshëm kur dhe mund të votohen kandidatët që vijnë nga radhët e jo-prokurorëve është muaji shkurt.

Ndërkohë që ky proces mund të zgjatet edhe më tej, po të kemi parasysh jo vetëm situatën politike, por edhe debatin nëse këta anëtarë të KLP-së që zgjidhen nga Kuvendi duhet të votohen me shumicë të cilësuar votash apo jo.

Ndërkohë që më pas do të marrë kohën e vet edhe thirrja e mbledhjes së KLP dhe nisja e procedurave për zgjedhjen e kreut të ri të prokurorisë për një mandat 7-vjeçar.

Ndaj me shumë mundësi, kryeprokurorja e zgjedhur të hënën nga parlamenti, Arta Marku, ka të garantuar më shumë se tre muaj në këtë detyrë, deri sa të zgjidhet kryeprokurori i ri.

Çfarë parashikon ligji për KLP-në

Neni 101

Përbërja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe mandati i anëtarëve

  1. Këshilli i Lartë i Prokurorisë është organ kolegjial, i përbërë nga njëmbëdhjetë anëtarë, të cilët shërbejnë në detyrë me kohë të plotë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë prokurorë nga të gjitha nivelet e prokurorisë. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë joprokurorë, të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të drejtësisë dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.
  1. Anëtarët prokurorë zgjidhen nga Mbledhja e Përgjithshme e prokurorëve të të gjitha niveleve.
  1. Anëtarët joprokurorë që zgjidhen nga radhët e avokatëve, trupa e pedagogëve të fakulteteve të drejtësisë dhe të Shkollës së Magjistraturës, si dhe shoqërisë civile zgjidhen nga Kuvendi, bazuar në një proces vlerësimi paraprak të kushteve dhe kritereve ligjore, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.
  1. Përveç rasteve kur vërtetohen kushtet për ndërprerjen e parakohshme të mandatit, anëtari i Këshillit të Lartë i Prokurorisë qëndron në detyrë për 5 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme.
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Tronditja e Maks Velos: Çfarë përmbante Dosja, tregon emrat e spiunëve

Shkrimtari e piktori Maks Velo, në një takim të organizuar nga UET...
Read More