Dëshira për të ikur nga Shqipëria dhe kauza e opozitës

Nga Ervis Iljazaj

Sipas një sondazhi të zhvilluar nga “Barometri i Ballkanit”, rreth 50 për qind e shqiptarëve kërkojnë të ikin nga Shqipëria. Arsyeja kryesore që njerëzit kërkojnë të braktisin vendin e tyre është ajo ekonomike. Kjo është e kuptueshme, dhe nuk ka nevojë për ndonjë sondazh për të kuptuar arsyen e emigrimit.

Dëshira për t’u larguar për “një jetë më të mirë” është një dëshirë që ekziston kudo dhe është e përhershme te njerëzit, edhe në vendet më të zhvilluara ekonomikisht se Shqipëria. Mjafton të përmendim këtu vendin fqinj Italinë, që edhe pse është një nga vendet më të zhvilluara të Botës, emigracioni është konstant. Prandaj dëshira për t’u larguar nuk tregon gjithmonë gjendjen në të cilën ndodhet një vend dhe nivelin ekonomik të saj.

Megjithatë, shifrat e këtij sondazhi për Shqipërinë janë domethënëse, pothuajse një alarm për politikën shqiptare.

Problemi më i madh që del nga ky sondazh, nuk është fakti se shqiptarët kërkojnë të ikin nga pamundësitë ekonomike, pasi nga ata që duan të largohen, me siguri ka dhe njerëz që jetojnë relativisht një jetë dinjitoze edhe këtu. Problemi kryesor ka të bëjë me faktin se arsyet e dëshirës për të emigruar janë përtej pamundësisë ekonomike. Arsyet kryesore që çojnë drejt emigrimit janë padyshim, mungesa e perspektivës dhe e sigurisë së jetesës.

Me sa duket, këto janë shqetësimet kryesore edhe të shqiptarëve, dhe kjo është një shenjë dëshpëruese e të ardhmes që perceptojnë ata. Nuk ka gjë më të rëndësishme se perceptimi mbi të ardhmen për një vend. Çdo gjë krijohet mbi besimin mbi politikën, institucionet dhe ekonominë e një vendi të caktuar. Besim, i cili nga ky sondazh tregon se është në nivele dëshpëruese.

Në këtë kuptim, i vetmi mision i politikës shqiptare duhet të jetë kthimi i besimit te qytetarët e saj.

Roli i opozitës në këtë drejtim është thelbësor. Lulzim Basha pas publikimit të këtij sondazhi doli menjëherë në konferencë për shtyp. Megjithatë, konferenca e tij ishte në nivel denoncimi. Ajo që kërkohet nga opozita është që këtë çështje ta kthejë në kauzën kryesore të saj, dhe jo të mjaftohet thjesht me një konferencë shtypi. Të gjitha energjitë opozitare duhet të fokusohen ne këtë drejtim. Zhvillimi ekonomik dhe kthimi i besimit është detyrë e qeverisë, por po aq e rëndësishme për vendin është dhe presioni i opozitës ndaj saj. Kthimi i shpresës dhe i besimit të njerëzve është programi i saj duke krijuar një alternativë qeverisëse më të mirë për nesër.

Mirëpo, kjo nuk bëhet vetëm duke denoncuar dhe bërë publike hallet e shqiptarëve, por duke iu paraqitur atyre programe dhe vizione konkrete për të ardhmen. Deri më tani Partia Demokratike është duke konsumuar energjitë e saj me problematikën e brendshme duke patur vështirësi në konsolidimin e lidershipit dhe të alternativës.

Prandaj, Lulzim Basha e ka për detyrë të fokusohet te hallet e shqiptarëve dhe këtë sondazh ta kthejë në synimin kryesor të aksionit të tij opozitar.

Dëshira për t’u larguar e shqiptarëve duhet t’i shërbejë opozitës si një kauzë e përditshme dhe konstante, duke ofruar alternativa për rritjen e besimit të shqiptarëve ndaj politikës dhe vendit në përgjithësi. Kjo çështje, duhet të jetë çështja e përditshme e retorikës opozitare, në mënyrë që të fitojë besimin e shqiptarëve për të qenë mazhorancë nesër. Në të kundërt, do të vazhdojë të jetë opozitë për shumë kohë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një lajm i mirë për shkencën nga Samiti i Triestes

Samiti i Triestës ku krerët e BE-së u takuan me krerët e...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.