Dëshmia e Nezar Seitajt: A u pendua financieri i Habilajve?

Nezar Seitaj, i ekstraduar në Shqipëri në shkelje të ligjit ka pranuar të dëshmojë në Prokurorinë e Katanias, ku ka dhënë një rrëfim të plotë mbi grupin e strukturuar të trafikut të drogës të quajtur “Habilajt”. Krimet e Rënda kërkojnë me letër-porosi që dëshmia e Seitajt të vihet në dispozicion të hetimeve ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Eshtë e çuditshme ajo që ndodh në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila deri para pak kohësh kishte të arrestuar financierin e grupit “Habilaj”, ndërsa tashmë kërkon dëshminë e tij me letër-porosi nga Italia.

Për rreth katër muaj Nezar Seitaj ishte i arrestuar për llogari të Krimeve të Rënda, por asnjë prej 6 prokurorëve të çështjes nuk arriti t’i marrë atij një dëshmi edhe pse konsiderohej si hallkë e rëndësishme për funksionimin e grupit “Habilaj” i akuzuar për trafik droge nga antimafia italiane.

Atë që nuk bëri prokuroria shqiptare arriti ta realizojë Prokuroria e Katanias në Itali, e cila prej katër vitesh kishte vënë nën hetim e përgjim të dyshuarit për trafik droge, përfshi dhe vëllezërit Habilaj, kushërinj të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Nezar Seitaj pas ekstradimit në Itali, në shkelje të plotë të ligjit shqiptar mësohet se ka dëshmuar përpara autoriteteve italiane për akuzat e ngritura ndaj tij.

Prokuroria shqiptare ende nuk ka të dhëna mbi përmbajtjen e dëshmisë së Seitajt, por konfirmohet se Krimet e Rënda dhe Prokuroria e Katanias i kanë ofruar garanci të dyshuarit në rast se ai bashkëpunonte me autoritetet e drejtësisë.

Mësohet se financier i “Habilajve” ka dhënë shpjegime dhe hollësira në organin e akuzës së Katanias, dëshmi që do t’i vihet në dispozicion edhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Në një letër-porosi të Krimeve të Rënda drejtuar autoriteteve italiane në muajin shkurt, ku kërkohej ndihmë për hetimin e çelur ndaj ish-Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, theksohej fakti se gjatë qëndrimit në paraburgim në vendin tonë, Seiti ka refuzuar të japë shpjegime rreth çështjes.

Ndaj në këtë letër porosi u kërkua që të pyetej nga autoritetet e drejtësisë atje për llogari të hetimit që po zhvillohet ndaj Saimir Tahirit.

Nuk dihet nëse Seitaj ka përmendur ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, por emri i këtij të fundit ka dalë për herë të në përgjimet e kryera nga antimafia italiane. Kjo sipas opozitës ishte dhe arsyeja e ekstradimit të Seitajt në Itali, në një kohë që kishte një procedim të hapur dhe një masë sigurimi “arrest me burg” në Shqipëri.

Ekstradimi i tij shkaktoi përplasje të forta institucionale, mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Ndërsa opozita akuzoi kryeministrin dhe ministrat e tij se Seitajn e larguan për t’i kyçur gojën, pasi kishte vendosur të fliste kundër ish-ministrit të Brendshëm.

Nezar Seiti që konsiderohet si një nga njerëzit më të besuar të Moisi Habilajt, (i arrestuar në Itali) u arrestua në Babicë të Vlorës më 19 tetor të vitit të kaluar gjatë një operacioni antidrogë ku u sekuestruan rreth 4 tonë kanabis.

Përgjatë katër muajve që qëndroi në paraburgim, Nezar Seiti e kyçi gojën për hetuesit shqiptarë, ndërsa nuk dihet nëse do të veprojë njësoj përpara prokurorëve në Itali.

Ndërsa në Shqipëri vijojnë hetimet për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili dyshohet si pjesë e grupit kriminal të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe ish-drejtuesve të policisë që dyshohet se kanë ndihmuar Habilajt.

Për këtë çështje prokuroria i kërkoi dje Gjykatës së Krimeve të Rënda zgjatjen e afateve të hetimit edhe me 3 muaj për ish-kreun e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i cili është shpallur në kërkim.

Në kuadër të hetimeve mbi këtë çështje janë nisur letër-porosi në dy shtetet fqinje, Itali dhe Greqi, prej ku priten përgjigjet nga autoritetet përkatëse. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës akuzohet për kultivimin dhe përfshirjen në trafikun e kanabisit, si dhe për bashkëpunim me grupin kriminal ‘Habilaj’ të trafikut të drogës Shqipëri-Itali.

Bashkë me Çelën në kërkim ndodhen dhe ish-shefi i postës Kufitare Dhërmi, Sokol Bode, e ish-shefi i Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar në drejtorinë e Vlorës, Gjergji Kohila.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Të gjithë kërkojnë mandatin në Itali: Ja skenarët e koalicionit të mundshëm

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës, që nuk prodhuan një rezultat...
Read More