Dëshmitarët e akuzës tërhiqen në gjykatë, nuk e njohin Shullazin

Dëshmitarët e akuzës të thirrur për të dëshmuar kundër të pandehurit Emiliano Shullazi dhe shokëve të tij mohojnë të jenë kërcënuar. Si po shkon procesi i bujshëm dhe vendimi për të thirrur brenda një dite si dëshmitarë në gjyq personazhet e njohur të politikës dhe pedagogët e universitetit shtetëror.

Procesi nisi bujshëm, por po tretet gradualisht, pasi dëshmitarët e thirrur nga prokuroria mohojnë të kenë pasur kërcënim, apo njohje me Emiliano Shullazin, i akuzuar për krijim të grupit të strukturuar kriminal, gjobëvënie dhe kërcënim. Dje në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetë i pandehuri kryesor i grupit, bashkë me personat e tjerë të akuzuar. I pari i pyetur para Gjykatës së Krimeve të Rënda qe Ismail Dervishi, por mohoi si kontaktet me Shullazin, ashtu edhe për ndonjë kërcënim të mundshëm. I ndodhur para gjykatës dëshmitari Dervishi u pyet nga i pandehuri: “a më njeh ti mua? A më ke parë ndonjëherë?”. Ndërsa përgjigja ishte e shpejtë dhe e qartë: “nuk të kam parë asnjëherë dhe nuk të njoh”. Mirëpo për prokurorinë ky ishte “dështim”, pasi sipas institucionit të akuzës, më herët gjatë procesit të hetimit dëshmitari ishte shprehur se në kohën që ishte i punësuar si magazinier në një firmë, katër persona kanë hyrë në objekt dhe njëri prej tyre pasi është prezantuar si Emiliano Shullazi ka marrë telefonin e zyrës dhe i ka kërkuar takim pronarit. Por dëshmitari në seancë e mohoi këtë version, duke shtuar se kërcënuesi nuk ishte Shullazi. Më pas radha i erdhi dëshmitarit tjetër, biznesmenit Adriatik Kërçuku, ku edhe i është vendosur eksploziv në automjetin e tij në formë kërcënimi. Kërçuku u shpreh se disa kohë para se të ndodhte ngjarja dikush i ishte prezantuar në telefon: “Shullazi jam, të pres të më takosh”, -tha ai, ndërsa po sipas dëshmitarit, një muaj më pas i kishte ndodhur një shpërthim në makinë. Ajo që po çudit edhe palën e akuzës është që dëshmitarët e shumtë po mohojnë të jenë kërcënuar nga Shullazi, madje edhe nuk e njohin dhe se kanë takuar ndonjëherë. I pandehuri Shullazi kërkoi që gjykata të përshpejtojë gjykimin dhe të zhvillojë dy seanca në javë, kërkesë e cila u refuzua. Tashmë taktika e të akuzuarve mbetet e qartë pasi institucioni i akuzës po dështon me dëshmitarët e shumtë të cilët kanë mohuar të jenë kërcënuar drejtpërdrejt nga Emiliano Shullazi. Jo më larg se tre ditë më parë emri i Emiliano Shullazit u përmend nga Ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, ku u shpreh se thuhet se Shullazi vijon të kryejë trafik të drogës edhe nga qelia.

Dëshmitë

I pandehuri Shullazi në momentin e arrestimit dukej i qetë, pasi shpresonte se personat që e akuzonin nuk do të dëshmonin kundër tij. Në fillim avokatët e biznesmenit Ylvi Beqja deklaronin se Shullazi e kishte ndihmuar Beqjan për të regjistruar “Hotel Vollgën” në Durrës. Sipas tyre, me marrëveshje Beqja i kishte ofruar rreth 20 % të hotelit në shenjë “mirënjohjeje” për regjistrimin e pronës në Hipotekë. Mirëpo kthesa do të ishte e menjëhershme dhe në marrëveshje me prokurorinë Beqja kërkoi që të merrej në mbrojtje bashkë me familjen dhe të kthehej në një nga dëshmitarët e mbrojtur që do të dëshmonte kundër Shullazit dhe të akuzuarve të tjerë. Deri më tani i vetmi që i ka qëndruar dëshmisë së dhënë më parë se Emiliano Shullazi e ka kërcënuar dhe marrë shuma të mëdha në formë gjobëvënie është dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja. Në dëshminë e dhënë para gjykatën dëshmitari i marrë në mbrojtje Ylvi Beqja ka treguar se është kërcënuar me armë nga Shullazi dhe u detyrua t’i ofronte shuma të mëdha parash. “Jam detyruar t’i jap pronën sapo kemi shkuar te noterja A. Spahiu, pasi aty Shullazi ka mësuar për shitjen e një pjesë të ish-Vollgës, te çifti Kodra. Unë kam qenë korrekt me këtë person, por që në këtë moment ky person ka filluar me mua të bëjë të fortin, lojëra të ndryshme duke më kërkuar më shumë se ç’duhej, megjithëse nuk kishte plotësuar kushtet e përcaktuara në kontratë. Pas kërcënimit që më bëri me pistoletë dhe me fjalë të ndryshme, një ditë më pas kam shkuar te noterja A. Spahiu, duke i kërkuar që t’i jepte Shullazit 30 për qind të pronës, dhe jo 20 për qind siç kishim rënë dakord. Noterja më ka pohuar që nuk mund ta bënte këtë, pasi kontrata është me kusht, zgjedhjen e problemit deri në gjykatën e Lartë, dhe për pasojë nuk ishin plotësuar të gjitha kushtet. Unë i kam thënë që më intereson më tepër jeta ime dhe e familjes time, ndaj rregulloi letrat dhe bëje si të duash, prishe kushtin, bëjë edhe sikur të mos jetë mbyllur gjyqi në Gjykatën e Lartë”, ka pohuar në gjykatë biznesmeni Ylvi Beqja. Gjithashtu ai ka folur edhe për një shumë prej 700 mijë eurosh që i kishte ofruar Shullazit dhe miqve të tij, në mënyrë që ta linin të qetë. Pavarësisht deklarimeve të Beqjas, Shullazi mohoi se e kishin kërcënuar. Ata pranuan se e njihnin Beqjan dhe kanë pasur marrëdhënie të mira shoqërore.

VIP-at në gjyq

Me interes pritet të jetë e marta e ardhshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Për të dëshmuar janë thirrur në një ditë Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe figurat e njohura të arsimit shqiptar, si: dekani Dhori Kule, Klodeta Dibra, Shezai Rrokaj dhe Majlinda Keta. Që të gjithë janë në cilësinë e dëshmitarëve dhe do të pyeten për njohjet e mundshme me Shullazin dhe për kërcënimet që mund të kenë ardhur prej tij. Më herët Partia Demokratike akuzoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri se kishte lidhje të drejtpërdrejta me një nga emrat e njohur të botës së krimit, si Emiliano Shullazi. Publikisht Tahiri ka mohuar njohjet dhe kontaktet me të, madje është shprehur se strukturat e policisë e kanë pasur nën vëzhgim Shullazin dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda i është ofruar material i bollshëm për veprimtarinë e dyshimtë të Shullazit. Arrestimi i Emiliano Shullazit dhe i shokëve të tij erdhi pas denoncimit që bënë në prokurori dy profesorët e njohur Mymyr Koni dhe Dhori Kule. Numri një i rektoratit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni është shprehur se dy persona e kanë ndaluar në rrugë jo shumë larg banesës dhe e kërcënuan që të tërhiqej nga kandidimi për rektor në Universitetin e Tiranës. Sipas tij, një nga personat është prezantuar si Emiliano Shullazi. Pas këtij momenti Koni kishte biseduar edhe me ish-rektorin Dhori Kule, duke e vënë në dijeni për situatën e krijuar. Vetëm dy ditë pas këtij incidenti ish-kryeministri Sali Berisha denoncoi hapur duke u shprehur se profesor Mynyr Koni ishte kërcënuar nga Shullazi dhe grupi i tij me nxitje nga elementë të caktuar politikë të Partisë Socialiste. Por ndërsa akuzat e para ishin vetëm për këtë kërcënim, drejt prokurorisë mbërritën edhe persona të tjerë, kryesisht biznesmenë të cilët u shprehën se në kohë të ndryshme kishin marrë kërcënim nga Shullazi dhe ishin detyruar t’i ofronin shuma të mëdha në formë gjobëvënie. Një pjesë e dëshmitarëve janë tërhequr nga dëshmitë e dhëna në procesin e hetimit, ndërsa të tjerë i qëndrojnë deklarimeve se Shullazi i ka kërcënuar dhe iu ka marrë shuma në formë gjobëvënie dhe shantazhuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kontradiksioni i raportit të ministrave teknikë

Nga Ervis Iljazaj Ministrat teknikë dhanë më në fund dorëheqjen duke justifikuar...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.