Dëshmitë rrëqethëse: “Në Shqipërinë burg” të Kurt Kolës



Kurt-Kola-1-768x476 (1)

Një rrëfim për vuajtjen, për lirinë dhe forcën njerëzore. Libri “Në Shqipërinë burg –Çfarë pashë! Çfarë hoqëm!”, botim i UET-Press, me autor Kurt Kolën, një nga njerëzit që u kthye në simbol të vuajtjeve nën diktaturën komuniste, u promovua dje në hollin e Universitetit Europian të Tiranës.

Ish-i përndjekuri politik Kurt Kola dhe historia e familjes së tij është kthyer në një simbol të krimeve të komunizmit. Babai i tij, Bilal Kola, një prej përfaqësuesve të lartë të partisë Lëvizja e Legalitetit, i cili kishte strehuar dhe bashkëpunuar me misionarët ushtarakë britanikë, në Shqipëri, gjatë Luftës së II Botërore, u vra, ndërsa familja e tij u internua, u burgos që kur Kurti ishte akoma fëmijë, dhe përjetoi një kalvar vuajtjesh deri në vitin 1991, kur regjimi totalitar ra.

“Libri me kujtime i zotit Kurt Kola, titulluar “Në Shqipërinë Burg”, është një rrëfim i gjatë, i detajuar i kalvarit të dhimbshëm, të mundimshëm dhe tragjik, të familjes së Bilal Kolës Senior dhe i të gjithë parësisë intelektuale, patriotike të Shqipërisë Tradicionale. Bilal Kola, bajraktari krenar i Macukullit në Mat, u vra pabesisht nga dora e komunistëve jugosllavë, dha jetën për të mbrojtur krenarinë e njeriut të lirë, duke qëndruar deri në fund me dinjitetin e shqiptarit të ndershëm dhe të papërkulur. Ndërkohë, familja e tij, bashkëshortja Vasha, fëmijët, mes të cilëve Kurti i vogël 9-vjeçar, përcollën një jetë të tërë epope, nëpër kampet e shfarosjes në masë të Shqipërisë Komuniste dhe u përfshinë në grupin e familjeve që nuk do të duhej ta shihnin kurrë lirinë, as në Burgun e Madh të Hapur të “Shqipërisë së Lumtur Socialiste”, shkruan ndër të tjera Romeo Gurakuqi në parathënien e këtij libri.

Kurt Kola nuk i fshehu emocionet e momentit kur jeta e tij dorëzohej si një rrëfim në duart e lexuesve. Duke shprehur mirënjohjen për miqtë e pranishëm dhe për Universitetin Europian të Tiranës, që e nxiti dhe mundësoi botimin e librit, ai tha se ky rrëfim nuk arrin ta sjellë të gjithë atë që panë dhe hoqën shqiptarët në komunizëm.

“Kjo është një punë gjysmë shekulli se aty unë kam dhënë, një nga mijëra e mijëra histori të te burgosurve të komunizmit. Çdo i burgosur ka një dramë dhe një histori më vete, pastaj gjithë ata intelektualë të ekzekutuar që nga 44 dhe deri ne rënien e diktaturës. Pra edhe sikur ne të bëhemi shkrimtarë në rangjet e Shekspirit, nuk mundemi t’i themi ose t’i pasqyrojmë ashtu siç ne i kemi parë, ashtu siç i kemi hequr”.

Më tej ai theksoi se ka bërë me këtë libër aq sa mundet ‘si një detyrë për ta lënë si dëshmi të brezave që vijnë”.

Për të treguar dramën e një njeriu që jeton si i përndjekur politik Kurt Kola u mjaftua vetëm me një frazë: “Ne e thonim atje, o Zot mos na sill afër njeriun që unë dua më shumë, sepse kishim frikë se atë njeriun që e duam më shumë po të na e sillnim aty do ta urrenim në fund. Pra të tilla ishin kushtet në atë sistem. Ai e ktheu Shqipërinë krejt në një burg, futi gjithë popullin në burg, por prapë unë jam përpjekur që të lë një dëshmi për një diktaturë që nuk e kanë njohur brezat e rinj. Ata duhet të dinë se ishte diktatura më e egër në të gjithë lindjen komuniste”.

Një nga bashkëvuajtësit e Kolës, ish-i përndjekur politik, Dine Dine, tha se “nuk ka të ardhme pa treguar të shkuarën, brezat që vijnë duhet ta njohin vuajtjen dhe të vërtetën, duhet të njohin e të dënojnë krimet e komunizmit. Kjo është një dëshmi e rrallë, është e vërteta që depërton tek brezat, është e vërteta që duhet thënë kudo dhe gjithmonë që të mos harrojmë”. Një tjetër mik i Kolës, ish- i përndjekuri politik, Eduart Ypi, duke e vlerësuar për kurajën për t’i shkruar kujtimet në një libër tha se ai e kaloi jetën në luftë. “Kurt Kola nuk është i përndjekur, ai është një luftëtar dhe gjithë jeta e tij ka qenë një luftë e pandalshme. Ai ishte dhe mbetet një personazh i rëndësishëm, si në komunizëm dhe pas tij”, u shpreh Ypi.

UET, projekt për të dëshmuar kujtesën

Botimi i librit me kujtime të Kurt Kolës vjen si pjesë e disa botimeve, e një projekti më të gjerë të UET dhe UET-Press, për të dëshmuar kujtesën e krimeve të komunizmit. Administratori i UET-it, Henri Çili, e konsideroi Kurt Kolën si një personalitet të rrallë sepse i ka mbijetuar me dinjitet, nder dhe me një lartësi morale të admirueshme të gjitha kohëve dhe ka ditur të jetë njeri i lirë dhe të ndërtojë lirinë e tij. Libri i tij botohet në kuadër të shumë botimeve të tjera të kësaj natyre dhe projekteve akademike që ky universitet ka iniciuar në këtë drejtim. “Universiteti Europian i Tiranës ka kënaqësinë të thotë sot se kemi bërë disa botime të kësaj natyre ose kemi ndërmarrë disa projekte që të kemi një koleksion dhe do të kemi dhe disa projekte të tjera pikërisht me gjurmë, dëshmi dhe rrëfime për historinë nga disa personalitete të shquara. Kemi librin e Amik Kasoruhos, kemi librin e Spartak Ngjelës, Aleksandër Meksit, librat e Blendi Fevziut, librat e autoreve të tjerë shqiptarë dhe plane të tjera në kuadrin e projekteve tona publike dhe kërkimore për të dëshmuar kujtesën”, theksoi Çili.

Parathënie

Romeo Gurakuqi: Kurt Kola ka ndërtuar katalogun e plotë të burgjeve dhe kampeve të shfarosjes

Libri me kujtime i zotit Kurt Kola, titulluar “Në Shqipërinë Burg”, është një rrëfim i gjatë, i detajuar i kalvarit të dhimbshëm, të mundimshëm dhe tragjik, të familjes së Bilal Kolës Senior dhe i të gjithë parësisë intelektuale, patriotike të Shqipërisë Tradicionale. Bilal Kola, bajraktari krenar i Macukullit në Mat, u vra pabesisht me dorën e komunistëve jugosllavë, dha jetën për të mbrojtur krenarinë e njeriut të lirë, duke qëndruar deri në fund me dinjitetin e shqiptarit të ndershëm dhe të papërkulur. Ndërkohë, familja e tij, bashkëshortja Vasha, fëmijët, mes të cilëve Kurti i vogël 9-vjeçar, përcollën një jetë të tërë epope, nëpër kampet e shfarosjes në masë të Shqipërisë Komuniste dhe u përfshinë në grupin e familjeve që nuk do të duhej ta shihnin kurrë lirinë, as në Burgun e Madh të Hapur të “Shqipërisë së Lumtur Socialiste”. Libri me kujtime ka si fillesë muajin shkurt 1945, invadimin e dytë të “çlirimtarëve” pushtues në Mat dhe në Shqipërinë e Lirë të Veriut. Përndryshe, si datë fundore e këtij libri me kujtime, është 9 janari 1991, rënia de facto e diktaturës, që Enver e Nexhmije Hoxha, Koçi Xoxe, Mehmet Shehu, Ramiz Alia dhe grupimi i tyre terrorist, me bazament themelor në Zonën e Parë Operative, imponoi mbi të gjithë Shqipërinë. Kjo rënie ndodhi për shkak se akumulimi i revoltës nga kampet e burgjet ishte hapur në të gjithë burgun e madh të Republikës së Kuqe, dhe revolucionit demokratik, i nisur me 14 janar 1990, në Shkodër, do të përmbyllej më pas nga studentët e dhjetorit 1990 në Tiranë. Në librin e Kurt Kolës gjejmë, në fakt, kalvarin e mijëra familjeve patriote shqiptare, të cilat u vendosen nën shënjestrën e pushkës së të ashtuquajturve “partizanë çlirimtarë”, për shkak të formacionit historik, politik, kulturor, krahinor dhe rolit që kishin luajtur këto familje, në ngjizjen e Shqipërisë si komb, si shtet, si kulturë, si atdhedashuri gjithëpërfshirëse. Rasti i familjes së Bilal Kolës, është rruga e mundimshme e familjeve të luftëtarëve nacionalistë, të cilët luftuan edhe kundër pushtuesve fashistë, por që nuk u përfshinë, për shkak të mos përkatësisë në rrethin ideologjik e politik sovjetik, në grupimin e partizanëve komunistë shqiptarë, të drejtuar në prapaskenë nga Miladin Popoviçi, Dushan Mugosha. Për këtë arsye ato familje do të pësonin dhunën e pamëshirshme gjakatare, fillimisht, të Divizioneve të Sigurimit e, më pas, të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Koçi Xoxes, Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut dhe Hekuran Isait. Është fati i ngjashëm që pësuan, krahas familjes së Bilal Kolës, edhe familja e Muharrem Bajraktarit, e Gani Kryeziut në Gjakovë, familja e Bazit të Canes, Mehmet Alisë në Has. Përndryshe, pas këtij klasifikimi fillestar, jeta e familjes së Bilal Kolës eci paralelisht dhe ngjan edhe me atë të pjesës së mbetur në Shqipëri të familjes së Kapidanit të Mirditës, Gjon Markagjoni, të Fiqiri Dines, Xhevat Korçës, familjes Merlika, familjes Mirakaj etj. Në libër gjejmë mrekullisht të dëshmuar fatin tërësor të Shqipërisë së Veriut, Shqipërisë e Mesme, hapësira territoriale dhe komunitete krahinore, që u vendosën nga dita e ashtuquajtur e çlirimit e mbrapa nën thundrën e zonave operative ushtarake, të cilat ushtruan terror për vite me radhë. Dhe, nëse fashistët dogjën shtëpitë dhe vranë kundërshtarët e tyre të drejtpërdrejtë, partizanët “çlirimtarë sovjetikë” u prekën Gegëve por edhe Toskëve kundërshtarë, familjen, fëmijët, shkatërruan jetët, dhunuan varret, torturuan viktimat, i burgosën dhe i internuan vetëm për shkak se ishin bijtë dhe bijat e atyre, çka mendja diabolike e diktatorit Hoxha kishte etiketuar si armiq. Libri nis me invazionin e dytë komunist në Mat, por nuk lë pa kujtuar me saktësi invadimin e parë komunist të Shqipërisë së Veriut, nisur nga Mati e Dibra, që filloi me 30 qershor 1944, si fillimi i një lufte civile në shkallë të gjerë, mes shqiptarëve patriotë, tradicionalistë dhe liridashës dhe rrethit të hekurt të krijuar nga komunistët shqiptarë, jugosllavë dhe sovjetikë, rreth që eci, dhe ecën serish, në forma të kamufluara, përkundër Shqipërisë Liridashëse, Demokratike, Tolerante dhe Tradicionaliste.

Rrëfimi i Kurt Kolës vijon me procesin e burgosjeve familjare në grup, në burgun e Peshkopisë, më pas atë Strugës, të të gjithë kundërshtarëve të vërtetë dhe hipotetikë të “çlirimtarëve” pushtues hapësirash të lira shqiptarësh të lirë, të familjeve të Parisë së Dibrës, Matit dhe Lurës: Hysni Demes, Fiqiri Dines, Shahin Demes, Esat Dines, Mahmut Pervizit, Nazif Reçit, Cen Elezit(Hysen Ndreut), Hazis, Murat e Myftar Kaloshit, të Menajve të Lurës. Bie në sy, se Paria e Shqipërisë së Veriut, Lindjes dhe Qendrës, Kleri Katolik Shqiptar, intelektualët më në zë të Shqipërisë, kryeministrat dhe ministrat më të kulturuar të Shqipërisë, u ndeshën dhe u ballafaquan me një tip partizani shqiptar, pa kodet tradicionale të krenarisë, të besës, të burrërisë, të nderit, të mëshirës, të atdhedashurisë dhe të forcës së karakterit, me të cilët ata qenë mësuar në Shqipërinë e vjetër prozaike: “partizanët çlirimtarë”, shkruan Kurt Kola, kanë qenë të turpshëm, në paburrërinë, injorancën, frikën, mungesën e karakterit dhe dhunën e tyre të pamëshirshme ndaj shqiptarëve të tyre gegë dhe toskë. Dhuna e ushtruar nga ata ka qenë e një natyre egërsisht të dyfishtë, tipike e komunizmit dhe e nazizmit: fizike dhe psikike dhe kjo do të përdorej nga dita e parë, deri në ditën që pushteti i tyre do të rrëzohej, pa u asgjësuar dhe u fshirë në fakt një herë e mirë. Është për t’u shënuar se, që në fazën e parë të jetës nën komunizëm, atë të viteve 1945-1949, familja e Bilal Kolës u drejtua forcërisht në kampet e internimit në Berat – Kuçovë, u gjend pranë e pranë me familje të tjera shqiptare, të cilat u vendosën forcërisht nën të njëjtin fat, nga pjesë të tjera të Shqipërisë. Mes këtyre familjeve duhet të përmenden edhe dy familje që autori i kësaj parathënie ka pasur rastin t’i njohë personalisht më vonë, familja e Gjon Destanishtës dhe ajo e Mirakajve. Në muajin mars 1949, ndërkohë që rrethanat politike në Shqipërinë e Jugut në kufirin me Greqinë u përkeqësuan, të gjithë të internuarit e Shqipërisë u vendosën në kazermat e rrënuara të Beratit. Diktatura vendosi këtu të gjithë të internuarit, nga të gjitha krahinat të Shqipërisë për të kontrolluar “armikun e brendshëm”. Në Berat u vendosën individë dhe familjet shqiptare më në zë, si të Veriut ashtu edhe të Jugut, nga grupimi që nuk u lirua kurrë nga burgjet dhe kampet. Ndaj tyre u aplikuan metodat e dhunës dhe ndëshkimit, që nuk reshtën kurrë më në Gulagun Sovjetik Shqiptar, në të gjitha kampet ku ata kaluan 45 vite të jetës së tyre, nën torturat që nuk merrnin fund asnjëherë.

Drama e grave të patriotëve, e Vashës së Bilal Kolës, Mrikës, gruas së Gjon Markagjonit, Nazifes, gruas së Muharrem Bajraktarit, Rukijes, gruas së Fiqiri Dines, Vasfijes së Hysni Demes, Sahadjes së Shahin Demes. Drama e vajzave trimnesha si Bardhë Gjonmarkaj, Liri Bajraktari, Vera Dema, Klara Mirakaj, Neta Sollaku, Elena Merlika, Nina Destanisha, Hyrie Kupi, Xhina Miraka, Prena Pervizi; djalit të Muharrem Bajrakterit, Genc Bajraktari; drama e klerikëve katolikë, Padër Gardinit, Dom Zefit, Padër Viktorit, Padër Ferdinandit, Dom Nikollë Mazrekut, Padër Meshkalla, Padër Gegës, e klerikut musliman Afiz Ali Kraja, Ipeshkvit orthodoks Visarion Xhuvani; një klasë e tërë intelektualësh të rangut më të lartë, që është takuar nga Kurt Kola në Burgjet dhe Kampet Përqendrimit të Shqipërisë, vjen e përshkruar me aq vërtetësi dhe realizëm nga autori. Një shkollë e tërë e kaluar në burgje, mes pjesës së mbetur të mendjeve më të ndritura të kombit, që komunistët i mbajtën në errësirën e institucioneve të tyre gjakatare të shtrëngimit. Në libër gjejmë, gjithashtu, dramat e të internuarve në Berat, Kuçovë, Turan e Tepelenë, shfarosjet e njerëzve që nuk i kishin bërë askujt keq, që u varrosën dhe u zhvarrosën, emrat e shumë fëmijëve (ishin qindra e mijëra fëmijë, që sot nuk e kanë një varr) të cilët nuk arritën t’u mbijetonin vuajtjeve në gulagun e Bënçës; gjejmë rrëfimin mbi varrezat e të internuarve të atij vendi të mnershëm, që ia kaluan në pak muaj përmasave të varrezës së ushtarëve italianë të vrarë në Turan, në Luftën Italo-Greke. Pra, mijëra shqiptarë të pushkatuar, të vdekur të burgje dhe internime, mbetur pa varr, nga një grup kriminal urdhërdhënës dhe urdhërzbatues dhe sot bijtë e tyre udhëheqës politikë të partive të së majtës shqiptare, që ende kërkojnë të imponojnë lavdinë e Luftës Nacionalçlirimtare (pa arritur të ndajnë luftën për liri kundër fashizmit, me luftën civile për marrjen e përdhunshme të pushtetit) dhe kanë zotëruar gjithë hapësirën publike të Shqipërisë së shekullit XXI. Kurt Kola ka ndërtuar në këtë libër, katalogun e plotë të burgjeve dhe kampeve të shfarosjes në masë: Tepelena ose Buhenvaldi i komunizmit shqiptar, Burgu Katakomb i Gjirokastrës dhe vrasjet me torturë të kryera aty, Burgu i Vlorës, Kampi i Shtyllasit, Kampi i Radostinës, Kampi i Zadrimës, Burgjet e Shkodrës, të vendosura si për ironi, në vendet e shenjta të Kishës Katolike, Kampi i Ndërtimit në Tiranë, Burgu i Burrelit (ku vdiqën 400 të burgosur, ndër të cilët edhe kryeministri që e ndërtoi atë burg, Koço Kote). Janë burgjet ku vdiqën tragjikisht ministrat e spikatur arsimit të Shqipërisë, Xhevat Korça dhe Mirash Ivanaj; burgjet ku vuajtën Ibrahim Biçaku, Akil Tasi dhe Koço Tasi e sa e sa të tjerë. Kampet e tmerrshme të Kënetës së Maliqit, Orman Pojan; Kampin e Vloçishtit ku ndodheshin Eqerem Çabej dhe Ethem Haxhiademi, Arshi Pipa, Kampi i Gradishtës, Kampi i Savrës, Burgu i Spaçit. Cilët kanë qenë ekzekutorët e dhunës kriminale? Brezi i ri duhet të ketë të qartë se Diktatori nuk ishte i vetëm në sipërmarrjen shkatërruese të lirisë dhe ai operoi në një linjë të komandës kriminale, në të cilën implikoi të gjithë Byronë Politike, pjesën më të madhe të luftëtarëve partizanë, Sigurimin e Shtetit, Divizionet e Mbrojtjes Popullore, pjesa më e madhe e të cilëve, kishin marrë pjesë në një kohë në njësitë partizane. Për këtë ai shfrytëzoi mbi të gjitha injorancën e përhapur në popullsi, e inkluduar në forcat e Ushtrisë dhe Ministrisë së Brendshme. Publiku ka nevojë të dijë edhe emrat e tyre dhe Kurt Kola ka bërë shumë mirë që na i ka sjellë disa nga ata që ai ka pasur rast t’i njohë në barbarinë e tyre origjinale. Ai nuk ka drojë, as pengesë t’i përmendë me radhë. Përmes librit të tij, ne do njohim personazhe të tilla kriminale, si: kapiten Medi Bilbili, toger Kopi Niko, togeri hienë Xhafer Pogaçi, Syrja Bajrami, diaboliku Niqi Andoni, Kamber Çela, Major Xhelo nga Kurveleshi; Kapter Pilon dhe Neshat Hysin në Burgun e Gjirokastrës. Hetues Selfo dhe Kapter Todi, Shefi i sigurimit Natyrel Mici, po aty, të gjithë me profile psikologjike kriminale, njerëz që kupola komuniste e Tiranës u la në dorë jetën e mijëra të internuarve, me të cilët bënin si të donin. Dhe mbi ato qëndronin urdhëruesit Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Gjin Marku, Aranit Çela, Ilmi Saiti, Xhule Çiraku, Gjolek Alia, Tasi Marko. Kurt Kola bën shumë mirë që jep një pjesë të këtyre emrave, për të kuptuar edhe sot, pse pasardhësit e tyre dhe disa dhjetëra e dhjetëra të tjerëve, janë të vendosur sot në krye të administratës shtetërore, organeve të Ministrisë së Brendshme të qeverisë aktuale; për të kuptuar pse ato kanë ndërtuar familje politikisht të fiksuara në mbrojtje të së djeshmes së palavdishme diktatoriale dhe të dhunimit sistematik të lirisë së shumëpritur për të gjithë; pse establishmenti i sotëm është i penguar në ndërtimin e një skeme qeverisëse gjithëpërfshirëse.

Libri i Kurt Kolës është një libër i shkruar me kulturë historike, (njohje e së kaluarës, rikthime të sakta në të shkuarën dhe përdorim i të kaluarës për të interpretuar të tashmen dhe të ardhmen), që nuk çalon në asnjë moment; përmban një zbërthim perfekt të Historisë së Shqipërisë 1944-1991, që historianët e arrijnë në fakt, vetëm pas studimit të dokumentacionit, ndërkohë autori e ka arritur përmes studimit të jetës dhe vëzhgimit të kujdesshëm të saj, analizës së dramës së mijëra bashkëvuajtësve, shqyrtimit të sjelljes së liderëve të diktaturës, oshilacioneve në sjelljen e tyre, kalvarit periodik të familjes së tij, situatës ndërkombëtare, vendosjes së ngjarjeve në një kontekst europiano-lindor etj. Ky libër është një homazh për vuajtjet e kampeve të përqendrimit në Shqipëri, nëpër të cilat kaloi pjesa më e madhe e disidencës së mbetur të Shqipërisë Tradicionale, patriotët më në zë të vendit dhe familjarët e tyre. Është një homazh për të gjithë viktimat e kampeve të internimit në Shqipërinë komuniste të kësaj periudhe, një homazh për lirinë e cenuar edhe sot në këtë vend nga nostalgjikët e rinj të Ancient Regime dhe veglat e tyre korrupsioniste dhe antieuropiane. Libri është një thirrje, që nxënësve shqiptare t’u mësohet historia e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore dhe Historia e Regjimit të Terrorit, të cilat mbeten pjesët më delikate të të gjithë këtij rishkrimi. Është koha kur Shqipëria do të duhet të përfshihet në një proces të faljes së madhe, hapjes së dosjeve të diktaturës dhe pastrimit të politikës nga strukturat vrastare të diktaturës. Libri është një thirrje e madhe në këtë drejtim. Politika shqiptare duhet të mbajë shënim zërin e Shqipërisë së Lirë, Zërin e Qytetarëve të Lirë, Zërin e Bijve të Disidencës dhe viktimave të dhunës komunistë, që sot vazhdojnë të jenë, në një formë të kamufluar dhe të hapur, nën një persekutim mjaft të stërholluar, në një Shqipëri që vuan nga informaliteti dhe tejkalimi i veprimit governativ.

Tiranë, më 8 prill 2016 ( Parathënia e librit shkruar nga Romeo Gurakuqi)

loading...
Shkruar Nga
More from Revista User

Horoskopi ditor, e premte 27 tetor 2017

Dashi Kujdes me ato qe do thoni ne jetën tuaj ne çift...
Read More