Dëshmitë tronditëse: Në jetimore shikohej porno



OLYMPUS DIGITAL CAMERAVajzat e mitura të abuzuara seksualisht në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër, kanë rrëfyer në prani të psikologut tmerrin e përjetuar. “Drejtoresha më rrahu me thupër kur i tregova se isha përdhunuar. Fëmijët më të mëdhenj na detyronin të shikonim filma erotikë, ndërsa kujdestaret na linin vetëm për orë të tëra.

Fëmijët e kanë përshkruar jetimoren ku qëndronin, si shtëpinë e tmerrit, ku ata dhunoheshin sistematikisht jo vetëm nga kujdestaret e qendrës, por edhe nga fëmijët më të rritur, që i detyronin të kryenin veprime të turpshme.

Një ditë pas zbulimit të skandalit në Qendrën Rezidenciale të Shkodrës, dëshmitë e fëmijëve të dhunuar janë vërtetë tronditëse.

Ata tregojnë se kujdestaret i linin vetëm me fëmijët e mëdhenj për orë të tëra dhe kur ktheheshin i detyronin të bënin punë ose i dhunonin.

Rasti flagrant është ai i 12-vjeçares së dhunuar seksualisht, e cila në prani të psikologut ka treguar se drejtoresha e ka rrahur kur i ka thënë se ishte përdhunuar.

Vajza ka dëshmuar se ajo është abuzuar seksualisht disa herë nga fëmijët e mëdhenj të qendrës, të cilët nuk monitoroheshin fare nga kujdestarët, pasi ata qëndronin për orë të tëra jashtë qendrës, duke i lënë fëmijët vetëm.

Vajza më pak se 12 vjeç, është abuzuar seksualisht në ambientet e Qendrës nga një djalë pak më i madh në moshë, ajo këtë fakt ia ka treguar drejtoreshës së institucionit.

Reagimi i zyrtares ka qenë edhe më tronditës se sa rrëfimi i vajzës së dhunuar.

Ajo ka marrë një thupër dhe e ka rrahur shumë, duke e detyruar të mos fliste për këtë ngjarje.

Albana Llazani, ish-drejtoresha, tashmë e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Shkodrës, është vënë në dijeni se kush ishte djali që kishte abuzuar seksualisht me të miturën dhe ka kërkuar që vajza të mos fliste me askënd për këtë çështje.

Madje ajo e ka dhunuar atë për të heshtur.

E mitura, e tronditur nga kjo ngjarje, ka dëshmuar para prokurorëve, në shoqërinë edhe të psikologut, detajet e veprimeve të dhunshme të agresorit, i cili për shkak të moshës së mitur nuk është ndaluar nga prokuroria.

Ekspertiza mjeko-ligjore ka provuar se e mitura është e defloruar pa arritur ende moshën e pjekurisë seksuale.

Ky skandal i rëndë është munduar të mbahet i fshehtë dhe është zbuluar vetëm gjatë hetimeve të nisura për keqtrajtime ndaj të miturve në qendrën e fëmijëve në Shkodër.

Fakte tronditëse për “shtëpinë e tmerrit” kanë treguar edhe fëmijët e tjerë, gjatë dëshmive të tyre në prani të psikologut.

Ata kanë dëshmuar se kujdestaret e Qendrës iknin me orë të gjata nga institucioni, duke i lënë fëmijët vetëm.

Gjatë kësaj periudhe pa kujdestarë, fëmijët meshkuj të moshës më të madhe i detyronin më të vegjlit të shihnin filma “me pullë të kuqe” në platformën digjitale televizive që kishin në Qendër.

Për më tepër, të miturit detyroheshin që të kryenin të njëjtat veprime me ato që kryenin personazhet në filmat për të rritur.

Hetimi i sapofilluar nga ana e Prokurorisë së Shkodrës ka evidentuar si persona përgjegjës për keqtrajtimin e të miturve dhe neglizhencën në detyrë me pasojë abuzimin seksual, ndaj të paktën 3 të miturave, disa punonjëse të Qendrës Rezidenciale për Fëmijë, të cilat janë ndaluar si të dyshuara për veprën penale të ‘Keqtrajtimit të fëmijëve” dhe “Shpërdorimit të detyrës”.

Fillimisht, institucioni i Avokatit të Popullit ka sinjalizuar Prokurorinë e Shkodrës se në Qendrën Rezidenciale të Fëmijëve në qytet ka të dhëna se fëmijët keqtrajtohen fizikisht.

Prokuroria nisi menjëherë hetimet, në bazë të të cilave u përftuan të dhëna tronditëse për abuzime jo vetëm fizike, por edhe seksuale.

Për këtë çështje, reagoi dje edhe Ministria e Mirëqenies Sociale e Shërbimi Social Shtetëror, të cilët thanë se kishin bërë disa raporte për situatën në këtë qendër.

Por menjëherë pas arrestimit, si Ministria ashtu edhe Shërbimi Social, nxituan të shmangnin përgjegjësinë duke thënë se kjo qendër është në varësinë e Bashkisë Shkodër.

Por Avokati i Popullit sqaroi se kjo qendër duhet të kontrollohet edhe nga Shërbimi Social, i cili kishte inspektuar qendrën paralelisht me Avokatin e Popullit, por nuk kishte zbuluar asnjë prej abuzimeve.

Ylli: Në jetimoren e Shkodrës mungon punonjësi social

Në jetimoren e Shkodrës, prej më se tri vitesh mungonte punonjësi social.

Një fakt i tillë bëhet i ditur nga Kreu i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli. Ai thotë se Drejtoria e Inspektimit të qendrave shoqërore, në Inspektoratin e Punës i ka rekomanduar disa herë Bashkisë së Shkodrës që të emërohej punonjësi social.

Ylli deklaron nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, se pas kërkesës së institucionit të drejtuar prej tij se reflektimi ka ardhur duke emëruar një punonjëse, që sërish nuk ka profilin e punonjëses sociale dhe kualifikimin e duhur për vendin e punës.

Sipas tij, edhe në disa qendra të tjera sociale që varen nga Bashkitë, duke filluar nga Tirana, ka raste të mospërputhshmërisë së vendit të punës, me arsimin përkatës.

Sipas Yllit, kur në një qendër të përkujdesit shoqëror, nuk ka fare punonjës social, apo më keq akoma kur vendin e punonjësit social e zë një me diplomë të mesme përpunim druri, të tilla raste të abuzimit apo keqtrajtimit të fëmijëve, do të vazhdojnë të ndodhin.

Kreu i Inspektoratit të Punës iu bën apel të gjitha autoriteteve përkatëse, që t’i japin më shumë rëndësi rekomandimeve të përsëritura të Inspektoratit të Punës, që skandale të tilla të mos ndodhin më.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Drafti në Komision, ja zgjidhja e mazhorancës për vendet e rezervuara

Projektligji parashikon që deri në zgjedhjet e ardhshme, të gjitha institucionet e...
Read More