Dështimi i utopisë



Fitim ZekthiNga Fitim Zekthi

Shqipëria nuk ka parë kurrë në këto 25 vite një shkallë kaq të lartë të mos llogaridhënies publike ose më mirë një gjendje ku llogaridhënia ka zëvendësuar dhunshëm fajësimin e tjetrit. Gjatë javëve të fundit, ka pasur zhvillime aq të rënda, të cilat nuk dëshmuan thjesht se gozhdët në kapakun e arkivolit të rilindjes janë ngulur të gjitha, por kanë nisur të ndryshken. Këtë nuk e dëshmojnë thjesht ngjarjet me atë që bartin, por mënyra se si qeveria dhe përgjegjësit reaguan ndaj tyre.

Demokracia është një sistem i mbështetur plotësisht mbi llogaridhënien. Llogaridhënia ka ardhur si një vlerë e feve abrahamike dhe në zemër të saj ka faljen. Falja, sakrifica, pendimi janë akte parësore në këto fe. Njerëzit mund t’i falin ata që i kanë lënduar, ata që kanë bërë një dëm apo edhe një krim, kur ata e pranojnë atë që kanë bërë. Ata nuk thonë thjesht “po e bëra këtë gjë”, por pendohen dhe përpiqen ta rregullojnë dëmin, të kompensojnë njerëzit që u dëmtuan.

Llogaridhënia në zyrat publike është pikërisht një manifestim i kësaj kulture të trashëguar nga feja, të cilën demokracia e ka brendësuar si një element themelor të sajin. Europa pas luftërave të quajtura fetare të shekullit të 17-të, nisi të ndërtojë një sistem politik dhe kulturor, në të cilin vendi i fesë, si bazë e rendit social, tanimë zihej nga natyra e njeriut.

Në këtë mënyrë, zhvillimi i një doktrine morale të themeluar mbi natyrën e njeriut, mori gjithnjë e më shumë rëndësi. Ky konceptim, sipas së cilit përmbajtja thelbësore e fesë është e llojit moral, u përkrah, përgjatë shekullit XVIII, nga deistët, (të cilët prodhuan iluminizmin francez) dhe në fund të po të njëjtit shekull, ky mendim u përhap nga Kanti, me librin e tij “Feja brenda limiteve vetëm të arsyes”, e më pas, nën gjurmët e Kantit, edhe nga ndjekësit e tij racionalistë.

Pra, feja nuk u pa më si një rrugë për të shpëtuar, por thjesht si një institucion moral, për disa i nevojshëm, për disa i panevojshëm. Sistemi i ri politik, demokracia, shteti , ligji (ndonëse jo fetarë apo edhe ndonjëherë antifetarë), do të trashëgonte dhe huazonte nga feja shumë gjëra, mes të tjerash edhe kulturën e faljes, sakrificës. Siç e thamë në themel të tij, (demokracisë), është llogaridhënia që buron nga kjo kulturë. Le të vijmë te ne, te zhdukja e çdo gjurme llogaridhënieje.

Një nga deputetët më të fuqishëm, Koço Kokëdhima, u përjashtua nga parlamenti pasi kishte marrë fonde publike me biznesin e tij, në kundërshtim me Kushtetutën. Vetë deputeti akuzoi gjykatën si politike, ndërsa kryeministri tha se “nuk komentonte vendimet, por e shihte atë si dëshmi të nevojës për Reformë në Drejtësi”.

Pra, për kryeministrin, Gjykata Kushtetuese duhej reformuar edhe për vendimin që dha ndaj deputetit Kokëdhima. Thënë ndryshe, gjykata gaboi. Asnjë grimë reflektim, asnjë kërkesë faljeje, vetëm fajësim të tjetrit.

Kryetari i Bashkisë së Dibrës u kap në një skandal të turpshëm. Ai shiste vende pune në këmbim të seksit. Ai, jo vetëm që nuk kërkoi falje, por tha se ishte kurth.

Një i dyshuar si trafikanti më i madh në Ballkan, ish-nëpunës i rëndësishëm qeveritar, u largua nën “vështrimin” e policisë dhe tashmë askush nuk e di se ku ndodhet. Ministri Brendshëm nuk ka asnjë brerje, nuk sheh asnjë gjë të bërë keq prej tij. Ai fajëson opozitën se po dëmton policinë me akuzat e saj. Kryeministri nuk sheh asnjë përgjegjësi të tijën te fakti që ky person ishte funksionar i qeverisë dhe te fakti se u la të ikte.

Në Shqipëri ka hyrë një pajisje përgjimi në mënyrë të paligjshme. Ka dyshime për përgjime masive funksionarësh politikë dhe shtetërorë. Ministri i Brendshëm dhe kryeministri nuk shohin asgjë të bërë gabim.

Kryetari i Bashkisë vazhdon përditë të shajë opozitën, biznesin, presidentin. Ai as që mund ta mendojë se është gabim. Ai protestoi në mënyrë antikushtetuese ndaj gjykatës dhe sërish vazhdon ta mbrojë atë vendim.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi formularët e të zgjedhurve. Në këta formularë, u provua ajo që opozita ka dy vite që e ka kthyer në kauzë të sajën. U provua se të paktën tre kryetarë bashkish janë të dyshuar dhe janë hetuar nga gjykata të huaja për trafiqe.

Kryeministri, jo vetëm nuk kërkon ndjesë për mbrojtjen e ethshme që u ka bërë duke thënë se nuk opozita shpif, është fabrikë balte, është e inkriminuar etj., por edhe flet për të zgjedhur të opozitës, që dolën të inkriminuar.

Kryeministri numëron deputetët apo bashkiakët e opozitës akuzuar apo dënuar në Shqipëri për akte ordinere, si: shkelje të rregullave të qarkullimit, pengim të policisë, mashtrim apo keqpërdorim dokumentesh. Kjo është qesharake. Gjithë beteja është bërë njerëz që nuk iu njihej e kaluara në lidhje me krime të rënda si trafiku i drogës apo vrasja, krime të kryera në vende të huaja.

Askush nuk dyshonte se parlamenti u kriminalizua nga ata që janë hetuar në Shqipëri për thyerja xhamash apo krimesh të tjera të rëndomta. Idiotësirat që nxori media duke publikuar gjithë biografitë penale të të zgjedhurve nuk mund të jenë alibi.

Turpi i publikimit të dënimit të Palokës se ka kundërshtuar policinë, i Klosit se ka bërë diçka që sot nuk është fare vepër penale etj., nuk mund të fshehë mosreflektimin e shumicës dhe kulturën e fajësimin e tjetrit që ka brendësuar ajo.

Roger Scruton, një filozof i njohur britanik, thotë se gjëja e parë që bëjnë utopistët kur vijnë në pushtet, është zhdukja e kulturës së llogaridhënies. Një utopist nuk mund të pranojë të kërkojë falje, nuk mund të pranojë se e ka gabim. Një utopist nuk mund të pendohet kurrë.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Timonieri i vetëm

Fushata atipike e zgjedhjeve të 25 qershorit pas “big mac”-ut mes Ramës...
Read More