Detajet: Babai e braktisi që 2 vjeç, ja kush mund e vrau Marion sipas policisë

Pas atentatit me armë zjarri mbrëmjen e djeshme në zonën e Kinostudios, ku mbeti i vrarë 28-vjeçari Mario Majollari, kanë dalë në dritë detaje të reja. Hetimet e para të policisë janë orientuar në drejtim të hakmarrjes, pasi babai i tij është dënuar me burg përjetë për vrasjen e dy personave në vitin 2000.

Madje për këtë qëllim para 3 vjetësh 28-vjeçari kishte kërkuar azil në Suedi pasi ndihej i rrezikuar, por kërkesa iu refuzua dhe ai u kthye në Tiranë.

Deri më tani janë shoqëruar në polici 15 persona, dëshmitarë dhe të dyshuar. Në polici janë shoqëruar edhe familjarët e dy personave që vrau në vitin 2000 i ati i Marios, të afërmit e Amarildo Nelaj dhe Ilir Gjuzi.

Mësohet se vëllai i Ilir Gjuzit, nuk është gjetur në banesë kur ka shkuar policia, dhe momentalisht mbi të rëndojnë dyshimet se mund të ketë lidhje me këtë ngjarje.

Sakaq, në vendngjarje janë gjetur katër gëzhoja, por gazetarja Doriana Bezat raporton për “BalkanWeb” se mbi trupin e 28-vjeçarit kanë rënë 3 plumba, njëri prej të cilëve e ka prekur në kokë.

Mëngjesin e sotëm, fqinjët e tij kanë vendosur tufa me lule dhe kanë ndezur qirinj në vendin ku u vra 28-vjeçari. Të tronditur nga ngjarja dhe mes lotësh, ata thonë se Mario ishte një djalë shembull, i arsimuar, dhe i qetë.

Fqinjët thonë se nuk ishin në dijeni të së shkuarës së babait të Marios, pasi prindërit e tij ishin divorcuar kur ai ishte vetëm 2 vjeç. Nëna e tij është kujdesur për ta rritur dhe arsimuar.

Ata thonë se Mario ka punuar që në moshë të vogël, për të përballuar shpenzimet. Por edhe pse e kishte ndjerë rrezikun dhe kishte kërkuar azil, 28-vjeçari mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme pranë banesës së tij.

Ndërkohë Policia e Tiranës bëri të ditur se ka shpallur në kërkim autorin e vrasjes së Mario Majollarit. Ai quhet Kastriot Gjuzi dhe është vëllai i Ilir Gjuzit, i ekzekutuar nga babai i viktimës, Avni Majollari në vitin 2000. Gjuzi është person me precedentë penale, kurse vrasja dyshohet se është kryer për hakmarrje.

NJOFTIMI

Identifikohet e shpallet në kërkim autori i dyshuar i vrasjes së 28 vjeçarit M.M.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në funksion të zbardhjes së ngjarjes ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor.

Pas një pune intensive dhe profesionale, gjatë gjithë natës dhe orëve të para të mëngjesit, fiksimit të çdo prove në vendngjarje, si dhe një sërë veprimesh të tjera hetimore, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes.

Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda në D.V.P. Tiranë, bënë shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar:

• K.Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë.

Ky shtetas dyshohet se rreth orës 20:25, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, për motive hakmarrjeje ka vrarë me armë zjarri shtetasin M.M., 28 vjeç.

Vijon puna intensive për gjetjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të shpallur në kërkim.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprat penale “Vrasjes për gjakmarrje” , “Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” parashikuar nga nenet 78/a dhe 278/2 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit K.Gj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Mos e humbisni: Senatori veteran “gozhdon” Mark Zuckerberg me pyetje

  Mark Zuckerberg kërkoi ndjesë para një Komiteti të Senatit amerikan, i...
Read More