Detajet e ‘aferës së gjyqtarit’: Skema që solli lirimin e të dënuarit

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë “arrest me burg pa afat” për gjyqtarin e Gjykatës së Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. Provat që paraqiti Prokuroria dhe pretendimet e palës mbrojtëse se shuma prej 340 milionë lekë të vjetra ishte për kurimin e gjyqtarit. Cila ishte skema që çoi në lirimin e të dënuarit Gentian Doda dhe ryshfeti prej 30 mijë eurosh në një bar të Fushë-Krujës.

Pretendimi se mbi 340 milionë lekë të vjetra “poshtë krevatit”, po ruheshin se gjyqtari do të kurohej nga sëmundja e rëndë, nuk e ka “mallëngjyer” Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila vendosi “arrest me burg pa afat” për kolegun. Gjykata e Krimeve të Rënda pasi shqyrtoi materialet e paraqitura nga institucioni i akuzës paraditen e djeshme i komunikoi gjyqtarit Shkëlqim Miri masën e sigurisë “burg pa afat”, deri në përfundim të hetimeve. Ndaj tij rëndojnë dy akuza, korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre. Ai dyshohet se favorizoi të dënuarin Gentian Doda, duke i ndryshuar akuzën, nga vrasje me paramendim në plagosje të rëndë me pasojë vdekjen. Pikërisht ky nder që iu bë të dënuarit dyshohet se u shpërblye me 30 mijë euro ryshfet. Prokuroria ishte komode në provat e paraqitura, pasi përveç disa mesazheve telefonike që konfirmonin marrjen e ryshfetit, kishte edhe pamjet filmike të sekuestruara në një lokal në Fushë-Krujë, ku kryhet dorëzimi i vlerave monetare. Në seancë gjyqtari Miri nuk pranoi të japë shumë shpjegime, por i la të drejtën që të fliste avokati i tij mbrojtës, Ardian Vishaj. Avokati theksoi se shuma e parave që ndodhej në shtëpinë e të pandehurit ishte për arsye shëndetësore, pasi disa muaj më parë Miri ishte diagnostikuar nga një sëmundje e rëndë dhe i nevojiteshin për kurimin e mëtejshëm, pretendim që nuk është marrë në konsideratë. Por korrupsioni në sistemin e drejtësisë në këtë rast i dha lirinë të dënuarit Gentian Doda, i cili në muajin shtator doli nga burgu dhe vetëm një muaj më pas, gjyqtari i Gjykatës së Apelit që e liroi, tashmë ka zënë një dhomë në paraburgimin e Tiranës.

Hetimet

I pandehuri Gentian Doda u ekstradua nga SHBA pasi për të kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar, ku ishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes me paramendim. Ngjarja ndodhi në Burrel dhe pas krimit Doda u largua në Amerikë por ra në prangat e policisë dhe pas disa seancash gjyqësore në SHBA ai u ekstradua. Fillimisht çështja e tij është shqyrtuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Mat, duke i ndryshuar akuzën nga “vrasje me paramendim” në “plagosje të rëndë më pasojë vdekjen”. Ai u dënua me tetë vite burgim, por prokuroria apeloi çështjen. Dosja kaloi për shqyrtim në duart e gjyqtarit të Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri. Pas indiceve se po tentohej që Doda të lirohej nga burgu, Prokuroria e Krimeve të Rënda u vu në lëvizje. Në përgjim u vu i dënuari Doda, i cili në qelinë e tij mbante dy celularë. Ai komunikonte vazhdimisht me vjehrrin e tij Nezirin dhe mikun e ngushtë, Alban Bucin. “Do të vijë një mik të sjellë 15 mijë. Gjeji dhe 15 të tjera dhe dorëzoji”, i shkruan nga burgu i dënuari Doda mikut të tij, Buci. Ndërsa nuk ishin të vetmet mesazhe pasi edhe shumë të tjerë janë shkëmbyer mes të pandehurve. Bisedat dhe sms-të kanë ndodhur përgjatë muajve mars-prill-maj të këtij viti. Këtu futet në lojë gjyqtari Miri, i cili jep “fjalën” se do të linte në fuqi vendimin e dhënë më parë nga Gjykata e Matit, por për këtë nder kërkonte një ryshfet prej 30 mijë eurosh.

Ryshfeti

Ndërsa i dënuari Doda priste datën e vendimit në Apel, “ingranazhet” po viheshin në lëvizje që të fitonte lirinë, duke kryer pak vite burg, pavarësisht se kishte marrë jetën e një njeriu. Për të kryer pagesën caktohet data 30 maj dhe sipas prokurorisë, Alban Buci dhe vjehrri i Dodës shkojnë në një lokal në Fushë-Krujë, në pronësi të kushëririt të gjykatësit. Në pamjet e kamerave të sigurisë shfaqen Buci dhe Neziri, të cilët bëjnë dhe dorëzimin e zarfit në duart e Kujtim Mirit (kushëri i gjyqtarit). Pas këtij momenti Albani i shkruan mikut të tij të dënuar: “Rri pa merak i dorëzuam dokumentet. I thamë s’kemi gjë tjetër vetëm të japim shpirtin. Do dalësh nga mesi i muajit tjetër”, thuhet në mesazh, duke e garantuar se gjithçka ishte e mbyllur. Pavarësisht këtyre provave, Prokuroria e Krimeve të Rënda ishte e detyruar të priste deri në dhënien e vendimit. Më 7 qershor 2017 Gjykata e Apeli Tiranë, me kryesues Shkëlqim Mirin vendos të lërë në fuqi vendimin e gjykatës së Matit për dënimin me 8 vite për 39-vjeçarin Doda. Tashmë vërtet prokuroria kishte prova të forta, por i nevojiteshin edhe materialet hetimore siç ishin telefoni që mbante në mënyrë të paligjshme i dënuari Doda dhe miku i tij i cili po luante rolin e “ndërmjetësit” me euro në duar… Prokuroria e Krimeve të Rënda i kërkon zyrtarisht administratës së burgut ku vuante dënimin Doda që të ndërhynte në kontroll të befasishëm dhe sekuestronte telefonin e Dodës. Gardianët arrijnë t’i gjejnë të dënuarit dy telefona dhe më pas i dorëzojnë në prokurori. Pavarësisht se telefonat në burg përbëjnë vepër penale dhe dënohen për Dodën nuk nisi procedim penal. Ndërsa institucioni i akuzës kishte në duar dy telefonat me të cilët Doda kishte folur me mikun e tij Buci, sërish nevojiteshin më shumë prova. Pak orë më vonë policia kryen një kontroll gjoja rutinë në automjetin e Bucit dhe i sekuestrojnë telefonin, me argumentin se kishte një denoncim dhe dyshonin se ai ishte i vjedhur. Policia e lë të lirë Bucin, duke i thënë se telefonin po e merrnin thjesht për një verifikim dhe më pas do ia kthenin nëse rezultonte se nuk ishte i vjedhur. E gjitha kjo ishte një skemë e mirëmenduar, pasi telefoni u dorëzua menjëherë në laboratorin kriminalistik ku u krye transkriptimi i të gjitha mesazheve telefonike. Në to u konfirmua se gjyqtarit Miri i ishin ofruar 30 mijë euro për të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Matit. Tre ditë më pas, pas gjithë provave të siguruara Prokuroria e Krimeve të Rënda lëshoi urdhër-arrestin për gjyqtarin Shkëlqim Miri dhe kushëririn e tij në kuadër të operacionit të koduar “një vrasje e dytë”. Në momentin që policia shkoi në banesën e gjyqtarit dhe nisi kontrollin, gjetën një shumë prej 340 milionë lekësh të vjetra të ndara në dy çanta, të vendosura poshtë dy krevateve. Për gjyqtarin është vendosur dje masa “arrest me burg pa afat” ndërsa priten zhvillime me të dyshuarit e tjerë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Festivali te Marubi, Çashku: Ku lëviz sot dhuna, terrori, apo shkelja e të drejtave të njeriut…?!

Me projektimin e dokumentarit “Dugma: The Button”, me regji të Pal Refsdal,...
Read More