Detajet e hetimeve: A po ngushtohet ‘laku’ për Saimir Tahirin…?

Vetëm pak ditë pasi ka dorëzuar mandatin e deputetit ngjarjet rreth Saimir Tahirit kanë marrë një ritëm të ri. Hetimet ndaj tij tashmë janë intensifikuar dhe Krimet e Rënda po thërrasin njëri pas tjetrit në pyetje personat e afërt me ish-ministrin. Dje ka qenë Orest Sota që është marrë në pyetje nga Prokuroria për Krimet e Rënda. 25-vjeçari në muajin Nëntor u kap në Elbasan në makinën ku udhëtonte me 863 mijë euro dhe dy patenta lundrimi të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. I riu është në hetim nga Krimet e Rënda në një dosje të përbashkët me ish-ministrin dhe grupin e Habilajve. Ai u arrestua në Nëntor të vitit të kaluar në Elbasan dhe u lirua nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda në 4 Janar të këtij viti.

Zgjerohen hetimet

Javën e kaluar krimet e rënda pyetën edhe persona të tjerë në lidhje me hetimet për ish-ministrin Tahiri. Përpara se ai të linte mandatin e deputetit, në prokurori u thirr ish-truproja e tij Elvis Rexha, i cili për më shumë se tre orë ka dhënë përgjigjet e tij para prokurorëve. Elvis Rexha ka dhënë sqarime në zyrën e prokurorit Dritan Prençi në lidhje me hetimet që po kryhen me dosjen Tahiri-Habilaj. Rexha është pyetur për disa lëvizje që Tahiri ka kryer jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali, vende nga ku Prokuroria ka kërkuar informacione. Ai është pyetur nëse ka njohje me disa persona të cilët janë nën hetim në këtë dosje. Po ashtu, u morën në pyetje edhe disa banorë të fshatit Gjorm të Vlorës, mes të cilëve edhe të afërm të Nazer Seitit, 41-vjeçarit që konsiderohet nga prokuroria si një nga njerëzit më të afërt të Habilajve. Burime nga Prokuroria thanë se tani që ish-ministri është pa imunitet, mund të kërkojnë masë ndaj tij në gjykatë vetëm nëse do të kenë prova të reja.

Opozita shton presionin

Mosarrestimi i Saimir Tahirit është dëshmi se ish-ministrit nuk i duhej imunitet parlamentar, për sa kohë ka mbrojtjen politike të kryeministrit. “Sot është dita e katërt që Saimir Tahiri shëtit i lirë rrugëve të Tiranës dhe nuk arrestohet nga drejtësia e Edi Ramës edhe pse zyrtarisht është pa imunitet. Mosarrestimi i Saimir Tahirit është dëshmia se ish-ministrit të Brendshëm, trafikant droge, nuk i duhej imuniteti parlamentar, për sa kohë ai ka mbrojtjen politike të kryeministrit. Fakti se asgjë nuk ka ndryshuar, pavarësisht se Tahiri është pa imunitet, është dëshmia e pazarit Rama-Tahiri për të mbyllur dosjen e ish-ministrit të Brendshëm”, tha Flamur Noka, deputet i PD-së, në një deklaratë për mediat. Ai thotë se pazari Rama–Tahiri është pazari për të mbuluar se “Edi Rama është arkitekti i kanabizimit të vendit, projekt të cilin e përdori për të blerë zgjedhjet nëpërmjet krimit dhe drogës. Edi Rama është peng i krimit të organizuar dhe Saimir Tahiri ka provat e lidhjes së Ramës me çdo grup të pushtetshëm kriminal në Shqipëri. Edi Rama është peng i dosjes kokaina të Xibrakës, ku është i përfshirë vëllai i tij, dhe Saimir Tahiri disponon provat që lidhin Olsi Ramën me trafikun e kokainës”. Sipas Nokës, “janë këto dosje të rënda që detyruan Edi Ramën të zhbëjë Reformën në Drejtësi dhe të marrë nën kontroll të plotë prokurorinë. Megjithatë, Komisioni hetimor parlamentar do të bëjë gjithçka që të provojë se Edi Rama lejoi kanabizimin e vendit për të blerë zgjedhjet dhe se vendi i Edi Ramës është bashkë me Saimirin Tahirin…në burgun 313”.

KQZ merr dorëheqjen

Kuvendi i ka dorëzuar zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kërkesën e dorëheqjes së Saimir Tahirit. Njëkohësisht me të, Kuvendi ka njoftuar KQZ-në për vendin e lënë bosh, çka bashkë me ikjen e Tahirit pritet edhe emri i ri që do e zëvendësojë. Në këtë mënyrë, edhe zyrtarisht ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i ka “ditët e numëruara”, për të kaluar nga një njeri me imunitet parlamentar, në qytetar të thjeshtë. Sipas procedurave, pritet që të mblidhet KQZ-ja dhe të shqyrtojë kërkesën e mbërritur në mënyrë institucionale, çka më pas do i hapte rrugë Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të lëshuar urdhër-arrestin, nëse e konsideron të nevojshme. Në tetor të vitit të kaluar institucioni i akuzës kërkoi arrestimin e Tahirit, i akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë publik dhe shpërdorim detyre. Pavarësisht disa provave të paraqitura nga prokuroria që dyshohet se implikonin ish-ministrin në grupin kriminal “Habilaj”, të arrestuar në Itali, kuvendi vendosi vetëm me votat e PS-së që të rrëzohej kërkesa e prokurorisë, duke mos lejuar arrestimin e ish-ministrit. Me dorëheqjen e tij tashmë duket se drejtësia i ka “duart e lira”, pasi ish-ministri nuk gëzon as imunitet parlamentar dhe as funksione të larta publike.

 

Katania, ngushtohet rrethi, burg për dy miqtë e Habilajve

Një zhvillim tjetër vjen edhe nga Italia. Personat e përfshirë në megaprocesin kundër klaneve mafioze siciliane “Cosa Nostra” kanë marrë masë të rëndë dënimi nga Gjykata e Katanias. Nga 5 të dënuarit 2 janë shqiptarë dhe mësohet se bëhet fjalë për Erson Zhukën dhe Ermir Bajën, të cilët konsiderohen anëtarë të mafies “Cosa Nostra”. Nga Gjykata e Katanias është kërkuar që Erson Zhuka të dënohet me 18 vite burg, ndërsa Ermir Baja me 12 vite burg. Akuzat janë të njëjta për të dy “Pjesëmarrjes në aktivitet mafioz” dhe “Trafik ndërkombëtar droge mes Shqipërisë e provincave italiane të Katanais, Raguzës e Sirakuzës”. Erson Zhuka është i inkriminuar në procesin e rëndësishëm të hetimit ndaj Habilajve, i cili do zhvillohet me 31 maj po në Katania. Në dosjen hetimore të grupit të Habilajve nën zërin e “origjinës së nisjes së hetimeve” antimafia italiane shkruan se hetimet e nisura që më vitin 2012 ndaj Erson Zhukës i konsideruar si një element kriminal i rrezikshëm që vepronte në territorin e provincës së Raguzës, kishin zbuluar kontaktet e tij me Moisi Habilaj. Në përgjimet telefonike në bisedat e Habilajve emri i Erson Zhukës përmendet disa herë, çka e zhyt edhe më shumë shqiptarin.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A i ka bërë llogaritë gabim Macroni?

Nga Catherine Martens Butësia politike, me të cilën e trajtuan francezët qeverinë...
Read More