Detajet e negociatave: Data e zgjedhjeve mban pezull marrëveshjen

Burime pranë qeverisë përcollën një gjysmë qëndrimi, duke thënë se mazhoranca është e gatshme për të negociuar gjithçka përveç Kushtetutës, që lidhet me zgjedhjet vetëm brenda qershorit dhe vettingun. PD ka dhënë garanci se do ta votojë vettingun pa kushte, por në asnjë lloj skenari nuk do të pranojë të futet në zgjedhje më 18 qershor.  

Nga Nevila Perndoj

Anulimi i mbledhjes së paralajmëruar të grupit parlamentar dhe kryesisë dje pasdite ishte sinjali i parë që u dha nga Partia Demokratike se mundësitë për një marrëveshje brenda ditës së djeshme po zbeheshin. Në orën 21:00 të mbrëmjes, kryetari i Partisë Demokratike thirri për të tretën herë në një takim prej 20 minutash partitë aleate. Ata nuk folën pas takimit. Por Basha po. Gjatë mbledhjes, Basha iu kishte komunikuar aleatëve se PD-ja ishte e gatshme të pranonte paketën “McAllister” me shtyrjen e zgjedhjeve në një tjetër afat, ndërsa Rama, sipas tij, e kishte refuzuar këtë paketë si dhe nuk negocionte 18 qershorin. Nga Partia Demokratike madje u lajmërua se do të kishte edhe një njoftim zyrtar për ngecjen e negociatave, vendim që u anulua pak minuta para mesnate.

Paketa “McAllister” që tanimë pranohet nga PD-ja përfshin në vija të përgjithshme postin e zv.kryeministrit, katër ministra për PD-në si garanci për zgjedhjet, zgjidhjen me konsensus të Presidentit të Republikës (që tashmë është zgjedhur), atë të Avokatit të Popullit, kreun e KQZ-së, shtyrje zgjedhjesh për në 16 korrik dhe monitorim të shtuar për zgjedhjet. Asokohe, Rama nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë, por la të hapur mundësinë e negocimit, ndërsa Basha e refuzoi me argumentin se nuk përfshihej kërkesa e PD-së për qeveri teknike pa Ramën kryeministër.

Pas vizitës së zv.ndihmës/sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Bryan Yee, që mbështeste paketën “McAllister”, Partia Demokratike u shpreh e gatshme të rinegocionte duke lëshuar sinjale se ajo do ta pranonte paketën me disa ndryshime që në thelb pranonte heqjen dorë nga kërkesa për largimin e Ramës si kryeminister në zgjedhje, marrjen e një zv.kryeministri dhe katër posteve në qeveri me miratimin e opozitës, si dhe identifikim biometrik dhe numërim elektronik të votave që automatikisht do të detyronte negociiimin e një datë të re zgjedhjesh që për PD-në minimalisht duhet të jetë 3 ose 10 shtatori.

Përballë këtyre qëndrimeve, ajo që ndodhi në fakt dje ishte më shumë se asgjë. Përgjigja pozitive e Lulzim Bashës për paketën “McAllister” u dha në rrugë jozyrtare që dje në mesditë. Kjo bëri që negociatat të zhvendoseshin në kampin tjetër, atë të kryeministrisë. Nga burime jozyrtare pranë PD-së u mësua se kreu i ekzekutivit ktheu një përgjigje të shkurtër në orët e vona të pasdites, ku nuk përfshihej e plotë ajo që kërkohej në paketën “McAllister”. Kjo përgjigje iu bë e ditur edhe aleatëve demokratë në mbledhje. Burime nga takimi i Bashës me aleatët njoftuan se Rama ishte gati të pranonte vetëm dy ministra dhe jo katër, si dhe nuk pranonte të shtyhej data e zgjedhjeve, pra 18 qershori. Edhe burime pranë qeverisë përcollën një gjysmë qëndrimi duke thënë se mazhoranca është e gatshme për të negociuar gjithçka përveç Kushtetutës, që lidhet me zgjedhjet vetëm brenda qershorit dhe vettingun.

Për vettingun, PD-ja ka dhënë garancitë se do ta votojë pa kushte, ndërsa për datën e zgjedhjeve palët nuk përafrohen askund.

Për implementimin e numërimit elektronik dhe identifikimit biometrik të votuesve, PD-ja mendon se volitet një paketë e plotë ndryshimesh ligjore, e cila e pamundëson jo vetëm 18 qershorin por edhe realizimin e saj brenda korrikut duke kërkuar shtyrje zgjedhjesh minimalisht në fillim të muajit shtator, një periudhë kjo e kundërshtuar fort nga kryeministri Edi Rama.

Partia Demokratike në asnjë lloj skenari nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit, por nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare për muajin korrik (afatin e propozuar nga paketa “McAllister”), periudhë për të cilën Rama edhe mund të lëshojë pe. Për zgjedhje në fund të korrikut janë shprehur të gatshëm edhe disa nga aleatët e Bashës, që do të thotë se kjo datë, në rast se Rama pranon, pritet të çojë një debat brenda radhëve të opozitës.

Dy ditë më parë, zv.ndihmës/sekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Bryan Yee, tha se nuk kishte ardhur me një plan amerikan në Tiranë, por se SHBA-të mbështetin paketën “McAllister”.

“…Ekziston tashmë një propozim që u paraqit, u ofrua nga anëtarët e Parlamentit Europian, z. Fleckenstein dhe z. McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje…”, -tha zyrtari i lartë amerikan në një takim me përfaqësues të medias pas takimeve të zhvilluara me Ramën dhe Metën.

U tha gjithashtu se diplomati amerikan Hoyt Bryan Yee kishte vënë edhe afate për të gjetur një zgjidhje, një afat që partitë kryesore politike në Shqipëri e shfrytëzuan në fakt për të mos prodhuar asgjë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Video: Një 17-vjeçare nga Cërriku, e dyta në botë për shpikjen e “dorës robot”

Një 17 vjeçare nga Cërriku është renditur e dyta në Konkursin Ndërkombëtar...
Read More