Detajet e ngjarjes: Gjykata lë në burg Orest Sotën


Djali i një biznesmeni të rëndësishëm në fushën e ndërtimit dhe tregtinë e hekurit është arrestuar nga policia e Elbasanit pasi refuzoi t’i ndalonte një postblloku.

Por çudia ka ndodhur pasi policia ushtroi kontroll në makinën e 25-vjeçarit Orest Sota, ku gjeti mbi 800 mijë euro CASH dhe tre patentat. Lejet e drejtimit të cilat janë për mjete lundruese rezultojnë në emër të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe bashkëshortes së tij.

Të shtunën, Gjykata e Elbasanit e la në arrest me burg Sotën.

Ndaj tij janë ngritur tre akuza: Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt; Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik dhe Fshehja e të ardhurave.

Edhe pse arrestimi i djalit të biznesmenit është bërë tre ditë më parë, policia u detyrua të publikonte ngjarjen vetëm ditën e djeshme, pas denoncimit të kreut të PD.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Basha tha se policia ka fshehur arrestimin e një shtetasi në Elbasan, të cilit i janë gjetur edhe dy patenta të Saimir Tahirit.

“Duke dënuar ashpërsisht fshehjen e kësaj ngjarje kriminale nga Haki Çako dhe Fatmir Xhafa me urdhër të Edi Rames, i kërkoj prokurorisë të hetojë e të mos shmang nga përgjegjësia autorët dhe urdhëruesit e këtij akti mafioz”, shkruan Basha.

Pas kësaj deklarate policia u detyrua të njoftonte arrestimin e 25-vjeçarit, por pa thënë se në makinën e tij u gjetën edhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit.

“Më datë 02.11.2017 nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.S., 25 vjeç banues në Tiranë, administrator i një subjekti privat pasi më datë 01.11.2017 në rrugën nacionale në fshatin Balldren u kap pa leje drejtimi me mjetin “Land Rover” dhe gjatë kontrollit të mjetit iu gjetën dhe bllokuan një sasi e madhe eurosh, të cilat do t’i përdorte për likuidimin e faturave, por të pashoqëruar me dokumentin e origjinës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Por burime të policisë thonë se në makinën e Sotës u gjetën 800 mijë euro dhe dy patenta të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Sipas të njëjtave burime mësohet se një patrullë policie i ka bërë shenjë për ndalim automjetit me të cilin udhëtonte 25-vjeçari Orest Sota.

Ai nuk ka ndaluar por ka vazhduar lëvizjen duke bërë që policia të vihet në ndjekje të tij. Pasi ka përshkruar disa rrugë të qytetit të Elbasanit, i riu ka hyrë bashkë me makinën në ambientet e kompanisë “Kurum”.

Policia ka shkuar menjëherë pas tij dhe ka kryer arrestimin në flagrancë të Sotës, ndërsa ka ushtruar kontroll në automjetin e tij.

Vetë i ndaluari rezultonte i papajisur me leje drejtimi, ndërsa në makinë policia gjeti 800 mijë euro dhe 4 patenta të tjera, dy të ish-ministrit Tahiri dhe një e bashkëshortes së tij. I pyetur për shumën e konsiderueshme të parave, Sota ka deklaruar se paratë ai do i dorëzonte pranë firmës Kurum për shlyerjen e një fature të mëparshme për blerje hekuri nga kjo kompani.

Por policia ka marrë në pyetje drejtuesit e Kurum, të cilët kanë deklaruar se në aktivitetin e tyre nuk kanë pranuar asnjëherë pagesa CASH nga klientët.

Po ashtu, drejtuesit e kompanisë së hekurit i thanë policisë se nuk prisnin një klient të tillë, pasi nuk kishin patur asnjë komunikim të mëparshëm me të.

Pas këtij momenti, 25-vjeçari është pyetur përse gjendeshin në makinën e tij dy patentat e ish-ministrit të Brendshëm, por ai ka deklaruar se i kishte harruar shoferi i Saimir Tahirit me të cilin kishte miqësi.

Pas arrestimit, i dyshuari nuk ka pranuar të japë më shpjegime për policinë. Ndërkohë mësohet se ditën e nesërme ai do të dalë përpara Gjykatës së Elbasanit për t’u njohur me masën e sigurisë që do të kërkojë prokuroria.

Vetë Tahiri i kontaktuar nga TV Klan tha se nuk mund të fliste në këto momente, ndërsa nuk mohoi vërtetësinë e patentave që u gjetën në makinën e biznesmenit. “Për momentin nuk mund të flas për çështjen”, -tha Tahiri.

Por pak përpara se të largohej nga detyra e ministrit, Tahiri ka mbajtur një fjalim në ceremoninë e nisjes së rikonstruksionit të komisariatit nr. 6 në Kombinat, ku firma që kryente punimet rezulton në pronësi të Orest Sotës.

“Sot është përplasja mes Shqipërisë së llafeve dhe Shqipërisë së Punës. Shqipëria e llafeve vazhdon punën e vet ndërsa Shqipëria e punës është ajo që po bëjmë ditë për ditë …”, thotë ndër të tjera Tahiri.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Qeveri e vogël, hall i madh

Nga Gentian Gaba* Na ishte një herë parlamenti. Na ishin një herë...
Read More