Detajet e një dite të gjatë: Rama mbron Xhafën

“Akuzat ndaj ministrit të Brendshëm nuk vijnë nga organi i drejtësisë, dhe nuk kanë lidhje me të drejtën si vlerë po as mund të neglizhohen si shumë e për lumë, akuza që na bëhen përditë dhe as mund të lihen vetëm me sqarimet e radhës. Sepse tanimë në majën e thikës së tyre qëndron një material konkret për të cilin dikush do të përgjigjet, jo me fjalë por me burg”.

Kryeministri Edi Rama mbrojti fuqishëm ministrin e tij të Brendshëm pas valës së akuzave të ngritura nga opozita, e cila edhe ka kërkuar dorëheqjen e tij. Pas ditësh mungese në vend Rama është kthyer në mbledhjen e grupit socialist ku ka artikuluar qartë qëndrimin e tij se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj nuk do të përgjigjet as ligjërisht dhe as moralisht, pasi akuzat nuk vijnë nga organet e drejtësisë. “Në mbrojtje të pikërisht të drejtës tonë kushtetuese për të refuzuar një padrejtësi që Kushtetuta na e njeh mundësinë ta gjykojmë kur prokuroria vjen këtu në Parlament. Për ta mbyllur këtë pjesë nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve po jo t’i kërcasim dhëmbët organeve të drejtësisë kur secili prej nesh vihet në akuzë prej tyre. Akuzat ndaj ministrit të Brendshëm nuk vijnë nga organi i drejtësisë, dhe nuk kanë lidhje me të drejtën si vlerë po as mund të neglizhohen si shumë e për lumë, akuza që na bëhen përditë dhe as mund të lihen vetëm me sqarimet e radhës. Sepse tanimë në majën e thikës së tyre qëndron një material konkret për të cilin dikush do të përgjigjet, jo me fjalë por me burg. Do ta shpjegoj pse. Ministri i Brendshëm nuk do të përgjigjet, as ligjërisht as moralisht”, tha Rama.

Akuzat për vëllain e ministrit

Kryeministri Edi Rama i cilësoi “maskaradë me synime destabilizuese”, sulmet dhe akuzat e opozitës ndaj ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, lidhur me vëllanë e tij, i arrestuar në Itali në vitin 2002 dhe më pas i dënuar me vendim të formës së prerë në vitin 2012 nga Gjykata italiane e Kasacionit, me 7 vjet e dy muaj burgim, për pjesëmarrje në një organizatë kriminale e cila merrej me trafikun e drogës. Lidhur me pretendimet e opozitës se ministri i Brendshëm ka marrë në mbrojtje të vëllanë, duke mos e arrestuar për të vuajtur dënimin në Itali, kryeministri deklaroi se “për të nuk ka patur asnjë kërkesë për ekstradim. Dhe në mungesë të kësaj kërkese, ligjërisht Shqipëria nuk ka vepruar dot se nuk ka patur si të veprojë as në kohën kur qeveriste opozita e sotme, dhe as deri sot që qeverisim ne”, shpjegoi zoti Rama. Nga ana e tij, sot vëllai i zotit Xhafaj bëri të ditur përmes një letre publike se “kam vendosur që t’i drejtohem vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje. Kam vendosur ta bëj këtë duke u paraqitur sot në Itali tek autoritetet përkatëse”, shkruan Agron Xhafaj. Lidhur me akuzat se ministri i Brendshëm ka ndërhyrë, vitin e kaluar, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, duke ndryshuar në Kodin e Procedurës nenin për ekstradimet, për të mos lejuar sipas opozitës që të vuante dënimin, kryeministri tha se “nuk ka çfarë t’i shtoj sqarimit të dhënë nga Komisioni europian për këtë çështje”. Në një koment për “Zërin e Amerikës”, lidhur me debatin për nenin e ekstradimit, Delegacioni i Bashkimit europian shpjegoi se “Neni 491 (f) i miratuar i Kodit, garanton se personi i cili është gjykuar dhe dënuar në mungesë ka mundësinë që të ketë një rishqyrtim të çështjes në prani të tij/saj përpara Gjykatës. Kjo masë është në përputhje me Standardet europiane të përcaktuara nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, Konventa Europiane për Ekstradimin dhe Vendimi kuadër i BE-së për Urdhër-arrestin europian. Kodi – vijon më tej shpjegimi – garanton se Shqipëria mund të ekzekutojë një vendim penal të huaj edhe nëse ekstradimi nuk është i mundur për arsyet e përcaktuara në Nenin 491 (f) të Kodit. Shqipëria ka ratifikuar gjithashtu Konventën Europiane mbi Transferimin e Procedimit të Çështjeve Penale, një tjetër alternativë ndaj ekstradimit, për rastet kur zbatohet Neni 491 (f) i Kodit”.

Shpjegimet për materialin audio

Kryeministri u ndal më gjatë te regjistrimi i bisedës audio, të publikuar nga opozita, e që sipas saj është zhvilluar mes vëllait të ministrit Xhafaj dhe një ish të dënuari për trafik droge. Vëllai i zotit Xhafaj, ka folur për një material të rremë. Edhe në letrën e sotme publike, ai shkruan se “pranë Prokurorisë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, Ministër i Brendshëm. Ditën e djeshme, datë 15 Maj 2018, kam kryer të gjitha procedurat e nevojshme, të parashikuara nga ligji, përfshirë depozitimin e zërit tim pranë Prokurorisë së Tiranës dhe në prani të ekspertit të fushës, duke ofruar në këtë mënyrë të gjithë bashkëpunimin e mundur në funksion të zbardhjes së të vërtetës”. Zoti Rama nga ana e tij, tha se i ishte drejtuar një prej laboratorëve më të njohur në botë për të analizuar materialin audio dhe se kishte marrë përgjigje. “Mua ajo përgjigje më mjafton. Jo për të vënë ulërimën kundër hetimit, apo për të influencuar hetimin apo për të bërtitur “montazh, montazh”, po më mjafton për t’ju thënë juve se nuk jemi përpara asnjë lloj prove komprometimi, por përballë një akti mashtrimi të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me një material jo autentik, përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes dhe mundësisht shkatërrimi i segmentit të fundit të rrugës së hapjes së negociatave për anëtarësim në BE”, u shpreh kryeministri, duke saktësuar se kjo i mjaftonte atij vetëm nga pikëpamja politike “për të krijuar bindjen se ministri i Brendshëm duhet të vazhdojë të bëjë detyrën”, porse ndërkohë “Prokuroria e para e gjykata pas, duhet t’i japin shqiptarëve provën e së vërtetës, dhe ose duhet të provojnë shkencërisht autenticitetin e audio përgjimit, ose pastaj, askush, e kushdo qoftë, me çfarëdo imuniteti politik, nuk mund të luajë qensh me këtë vend. Nëse del se i akuzuari, ministri e vëllai i tij nuk kanë asgjë për të paguar, se nëse ndodh e kundërta nuk ka diskutim, atëherë, kush e organizoi këtë lojë të neveritshme për të çoroditur dynjanë, përmes një mashtrimi të tillë publik dhe për të goditur Shqipërinë frontalisht në sytë e botës në këtë moment historik, duhet të paguajë, sipas ligjeve të Republikës, për këtë lloj mashtrimi që përcaktojnë dënimin me burg”.

Opozita në protestë

Nga ana e saj opozita dhe mbështetësit e saj u mblodhën sot për të protestuar përpara godinës së Ministrisë së Brendshme duke kërkuar dorëheqjen e ministrit Xhafaj. Me thirrjet kundër tij dhe kryeministrit Rama, protestuesit qëlluan me vezë drejt godinës së ministrisë. Ndërsa nënkryetari demokrat Edi Paloka i cilësoi si skandaloze deklarimet e kryeministrit. “Prapë me akuzat për median dhe opozitën, jo për ata që kryen krimet, por për ata që i zbulojnë krimet. U kthye prapë te historia me agjentë rusë. Kapet Tahiri, apo Xhafaj, ai thotë do të përgjigjet opozita, por në fund do të përgjigjet ai. Ai do të pendohet për deklaratat që bëri sot. Protesta e sotme është vetëm një hap. Kjo histori sapo ka filluar, Rama nuk ka parë gjë akoma”, u shpreh zoti Paloka.

 

 

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Esmeralda Topuzi: Të krijosh mundësi për të realizuar qëllimet e tua

Profil ALUMNI/ Historia e suksesit të Esmeralda Topuzit, ish-studentja e UET, e...
Read More