Detajet e skandalit: Përdhunohen tre fëmijë të mitur në jetimore



OLYMPUS DIGITAL CAMERAProkuroria urdhëroi arrestimin e ish-drejtoreshës së Jetimores Shkodër, Albana Llazani dhe të katër punonjëseve të kësaj qendre, pas zbulimit të abuzimeve seksuale dhe fizike me jetimët e mitur. Avokati i Popullit zbuloi skandalin në jetimore dhe denoncoi rastin në prokurori. Ministria e Mirëqenies: Qendra nuk është në varësinë tonë.

Avokati i Popullit dhe Prokuroria e Shkodrës zbuluan një rast skandaloz abuzimi seksual dhe fizik me fëmijët e mitur jetimë, në qendrën rezidenciale Shkodër.

Tre fëmijë të mitur janë abuzuar fizikisht dhe seksualisht nga persona ende të paidentifikuar nga prokuroria, e cila në mungesë të autorit urdhëroi arrestimin e pesë personave.

Ish-drejtoresha e jetimores Shkodër Albana Llazani dhe katër punonjëse të kësaj qendre u arrestuan dje, me kërkesë të prokurorisë, për abuzime me detyrën dhe dhunim të të miturve.

Në prangat e policisë përfunduan R. Camaj, Sh. Nishani, N. Rramolli dhe V. Marku, punonjëse të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër.

Të ndaluarat nga prokuroria dyshohet se jo vetëm kanë neglizhuar kujdesin e detyrueshëm ndaj jetimëve të mitur, por i kanë dhunuar ata dhe i urdhëruar të kryejnë punë të detyrueshme.

Sipas prokurorisë, fëmijët e dhunuar seksualisht janë të moshës 6, 7 dhe 12 vjeç, ndërsa abuzimet kanë ndodhur përpara tre muajsh.

Nuk dihet ende arsyeja e shkarkimit nga detyra të ish-drejtoreshës Llazani, por pavarësisht se ajo nuk ishte më drejtuese e qendrës, vijonte të punonte në jetimore.

Pas arrestimit të punonjëseve, reagoi Ministria e Mirëqenies Sociale, e cila nxitoi të tregonte se kjo qendër është në varësi të Bashkisë Shkodër.

Por pavarësisht këtij qëndrimi zyrtar, janë të paktën tri struktura që duhet të monitorojnë qendrat rezidenciale të jetimëve, që në këtë rast kanë dështuar pasi abuzimi u zbulua nga Avokati i Popullit.

Sipas një njoftimi zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme, thuhet se Prokuroria e Shkodrës ka urdhëruar ndalimin e disa punonjësve të Qendrës Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër, përfshirë ish-drejtoreshën, në vijim të hetimit për disa ngjarje të tronditëse që dyshohet se kanë ndodhur me fëmijët në këtë institucion.

“Prokuroria e Shkodrës pak ditë më parë ka marrë sinjalizim nga institucioni i Avokati i Popullit, në bazë të të cilit kishte të dhëna se mbi fëmijët që jetonin në këtë Qendër kishte abuzime nga personeli. Prokuroria e Shkodrës ndërmori menjëherë veprimet hetimore, në bazë të të cilave janë krijuar dyshimet e arsyeshme se punonjës të personelit të Qendrës kanë abuzuar fizikisht, kanë keqtrajtuar dhe i kanë vënë në punë të detyruar fëmijët e Qendrës Rezidenciale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Sipas hetimeve të deritanishme, veç dhunës dhe punës së detyrueshme, prokuroria ka zbuluar edhe abuzime seksuale me jetimët e mitur.

“Në bazë të aktit të ekspertimit përkatës, rezulton se tre fëmijë të mitur femra, janë abuzuar seksualisht dhe defloruar”, thotë prokuroria.

Sipas të dhënave të deritanishme të prokurorisë, ka dyshime të fortë se dhuna seksuale ndaj jetimëve të mitur ka ardhur për shkak të neglizhencës së personelit të Qendrës Rezidenciale.

Të arrestuarit, sipas prokurorisë, dyshohen për konsumimin e elementeve të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “keqtrajtimit të të miturve”.

Në një reagim të shkurtër në faqen e tij në Facebook, ministri i Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi, theksoi se kjo qendër rezidenciale është në varësi të Bashkisë së Shkodrës.

“Dënoj me forcë rastin e rëndë të ngjarjes në Qendrën Rezidenciale të fëmijëve, pranë Bashkisë Shkodër. Nxis hetimin e plotë të asaj që ka ndodhur nga ana e Prokurorisë. Çdo dhunues fëmije, të marrë ndëshkimin e ligjit. Është rasti t’i kujtoj çdo bashkie, përgjegjësinë prioritare për sigurimin e standardeve më të larta për trajtimin e fëmijëve”, tha Klosi.

Edhe pse vetë ministri dhe Ministria që ai drejton nxituan të shmangin përgjegjësinë për ngjarjen e rëndë, janë të paktën dy struktura në varësi të Ministrisë së Mirëqenies Sociale, që kanë dështuar në parandalimin dhe zbulimin e këtyre abuzimeve.

Shërbimi Social Shtetëror është një strukturë që kontrollon qendrat rezidenciale jo vetëm për të miturit, pavarësisht varësisë së tyre dhe po ashtu Agjencia për Mbrojtjen e Fëmijëve është një tjetër strukturë e posaçme, që duhet të kontrollonte jetimoren e Shkodrës.

Vokshi: Historia tronditëse, Shërbimi social ka dështuar

Kryetare e Komisionit të Çështjeve Sociale, Albana Vokshi, reagoi mbrëmjen e djeshme pas skandalit të zbuluar nga Avokati i Popullit dhe Prokuroria në Shkodër.

Ajo e quan tronditëse historinë e abuzimeve fizike dhe seksuale me fëmijët në qendrën Rezidenciale të Fëmijëve Shkodër, por thotë se punonjësit e kësaj qendre kanë kaluar testin e ministrisë.

“U emëruan si Kujdestarë për fëmijët, por ata vetëm njerëz nuk mund të jenë”, thotë Vokshi.

Ajo përshëndet punën e Avokatit të Popullit, që denoncoi këtë abuzim skandaloz dhe institucionet që po punojnë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje çnjerëzore.

Por pavarësisht hetimit të deritanishëm, sipas Vokshit, punonjësit e kësaj qendre të arrestuar dje me urdhër të prokurorisë, kanë kaluar testet e ministrisë.

“Për ironi, që të gjithë këta abuzues fëmijësh i kanë kaluar të gjitha testet e Ministrisë. Prej kohësh, nuk po flasim, por po ‘thërrasim me zë të lartë’ se në institucionet e përkujdesjes së fëmijëve duhet të funksionojnë mekanizmat mbrojtës për fëmijët dhe ekipet multidisiplinare”, thotë Vokshi.

Sipas saj, është e vërtetuar tashmë që ky sistem i Shërbimit Social ka dështuar.

“Ka ardhur koha që të gjithë së bashku të punojmë për të ngritur një sistem funksional në mbrojtje të fëmijëve, e sidomos atyre më të pambrojturve, jetimëve. Shkaktarët të shkojnë para drejtësisë e të marrin dënimin maksimal”, thotë Vokshi.

 

Raporti i Avokatit të Popullit: Fëmijët u abuzuan në ekskursion. Rriheshin me këmbë karrigesh

Një inspektim i nisur dy muaj më parë nga Avokati i Popullit, zbuloi skandalin e dhunimit seksual në një prej jetimoreve të Shkodrës. Burime zyrtare nga AP i thanë MAPO se inspektimi kishte nisur në të gjithë vendin, por në Shkodër në një Qendër Rezidenciale në varësi dyfishe mes Bashkisë së Shkodrës dhe Ministrisë së Çështjeve Sociale, kishin pasur menjëherë dyshim për abuzim me të miturit. Avokati i Popullit, Igli Totozani, i tha Top-Channel se abuzimi ishte zbuluar nga një fëmijë që ishte transferuar në një qendër tjetër, ndërsa hetimi i avokatit nxori se skandali kalonte përmasat e dhunimit, ndërsa tre të mitura ishin abuzuar seksualisht. Totozani tha se situata në të gjitha qendrat është alarmante. Fëmijët, që ishin marrë në intervista nga punonjës të specializuar të institucionit të Avokatit të Popullit, tregonin për dhunë që i kalonte kapacitetet njerëzore. Rrahje me shkopinj druri dhe këmbë karrigesh. Punonjës të avokatit të popullit thanë se dyshimet mbi keqfunksionimin në rastin konkret filluan menjëherë pas inspektimit të parë dhe se institucioni zhvilloi edhe dy inspektime të tjera për të hetuar rastin.

Vajza të mitura 10 vjeçe, të cilat detyroheshin me dhunë të lanin të gjithë institucionin e jetimores, sjellje të rënda dhe diskriminuese ndaj fëmijëve romë dhe dhunë të vazhdueshme psikologjike ndaj fëmijëve. Raportit, sipas Top-Channel, që tregon për kushte tejet të rënda për jetimët, i shtohet edhe abuzimi seksual i tre vajzave të mitura. Gjatë ekskursioneve të bëra në Razëm dhe Velipojë, të organizuar nga jetimorja, i janë bashkuar grupit dy fëmijë të punonjësve të institucionit, të cilët kanë abuzuar seksualisht me të miturat. Denoncimi i Avokatit të Popullit nuk lë jashtë përgjegjësinë e institucioneve që administrojnë dhe duhet të kontrollojnë këto qendra. Totozani i tha Top-Channel se në të njëjtën kohë me avokatin, qendra në Shkodër pati një kontroll edhe nga Zyra Rajonale e Shërbimit Social, e cila nuk zbuloi asgjë sa i përket skandalit. Ky është rasti i 3 brenda një viti, ku në qendra të ngjashme zbulohen abuzime. Avokati i Popullit tha se raporti i tyre shpjegon se këto qendra janë në gjendje skandaloze në të gjithë vendin.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Varoufakis shkruan tekstin e këngës polifonike shqiptare për emigrimin

Shqipëria do të prezantohet në Bienalen e Venecias në një mënyrë të...
Read More