Detajet e takimit Tsipras-Rama: Marrëveshja e detit me disa rregullime teknike

Rama: “Me Kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, për progresin e bërë deri më tani përmes dialogut dypalësh; në adresimin e çështjeve të bartura të së shkuarës, në funksion të çeljes së një kapitulli të ri partneriteti strategjik për të ardhmen…”

Ashtu siç ishte paralajmëruar, kryeministri Edi Rama është takuar dje me homologun e tij grek, Aleksis Tsipras në Davos të Zvicrës. Rama publikoi videon e takimit në faqen e tij në Facebook. “Davos – Me Kryeministrin e Greqisë, Alexis Tsipras, për progresin e bërë deri më tani përmes dialogut dypalësh; në adresimin e çështjeve të bartura të së shkuarës, në funksion të çeljes së një kapitulli të ri partneriteti strategjik për të ardhmen.

Objektivi i përbashkët finalizimi i dialogut dhe nënshkrimi në pranverë i Dokumentit të Partneritetit Strategjik në Tiranë…”, shkruan Rama. Përpos këtij njoftimi, zyra e shtypit e kryeministrisë nuk ka përcjellë ndonjë informacion tjetër mbi çfarë është biseduar. Mediat greke në anën  tjetër i kanë bërë jehonë takimit, duke përcjellë disa informacione.

Njëra prej tyre, Tanea.gr shkruan ndër radhë se të dyja palët kanë vënë për diskutim të gjitha çështjet në tryezë me qëllim arritjen e një zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Rama dhe Tsipras shqyrtuan rezultatet e dy ditëve të bisedimeve midis ministrit të Jashtëm Nikos Kotzias dhe homologut të tij shqiptar Ditmir Bushati në Korçë.

Një burim i Tanea-s thotë se Athina do të pajtohej me disa “rregullime teknike” për  marrëveshjen e vitit 2009 për kufijtë detarë në mënyrë që të sigurohej zbatimi i saj.

“Në të njëjtën kuadër, Athina po shqyrton mundësinë e shtrirjes së kufijve të detit në 12 milje detare, siç është e drejta e saj sipas së drejtës ndërkombëtare (edhe pse do të ishte më e saktë për ta bërë këtë për të gjithë pjesën perëndimore të Greqisë, e jo vetëm me Shqipërinë)”, shkruan Tanea.gr.

Pak ditë më parë, dy ministrat e jashtëm Kotzias-Bushati cituan përmes një deklarate të përbashkët se, “në vijim të takimit që u zhvillua në Kretë nëntorin e kaluar, të dyja ekipet bënë përparim thelbësor drejt arritjes së zgjidhjeve të qëndrueshme dhe afatgjata për çështjet e pazgjidhura, në përfitim reciprok të të dy vendeve dhe qytetarëve të tyre, në përputhje me vlerat dhe normat europiane”. Pa specifikuar ndonjë rezultat konkret, të dyja ministritë u angazhuan për vijimin e bisedimeve. Çështjet kryesore që mbizotëruan diskutimet Kotzias-Bushati ishin caktimi i kufirit detar, ligji i luftës, varrezat greke, çështja çame si dhe disa problematika lidhur me emigrantët dhe minoritetin.

Ndërkohë, Kryeministri grek Aleksis Tsipras me gjasë ka pranuar ftesën për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë. Ftesa është bërë nga kryeministri Rama, gjatë takimit që dy kryeministrat zhvilluan dje në kuadër të forumit ekonomik ndërkombëtar në Davos.

Sipas burimeve qeveritare greke që citojnë agjenci vendëse të lajmeve greke, synimi i këtij takimi është hapja e rrugës për normalizimin e plotë dhe ngritjes në një nivel më të lartë, të marrëdhënieve dypalëshe.

Raportohet gjithashtu se Greqia dhe Shqipëria janë të gatshme për një marrëveshje strategjike, e cila do të zgjidhë gjithë problemet kritike ndërmjet tyre dhe do të promovojë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Ndërkohë, në luginën e Sajmolës në Tepelenë janë zhvarrosur deri tani 14 skelete të ushtarëve grekë. 11 prej tyre shoqërohen me një pllakë metalike rreth 15 cm ku gjendet emërtimi “Grecco” dhe numrat e identifikimit.

Për momentin të gjitha eshtrat po magazinohen në njërin prej 3 kontejnerëve që gjenden në Dragot. Zhvarrimi nisi tre ditë më parë dhe puna po mbikëqyret nga ekspertë grekë dhe shqiptarë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kompromisi i pamundur për Teatrin!

Nga Gentian Kaprata Sikurse pritej, antagonizmi për çështjen e godinës së Teatrit...
Read More