Detajet e vrasjes së Cukut: Dy pistat ku po hetohet

Detaje të reja në lidhje me vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Dyshohet se me një nga autorët u përlesh në momentin që u qëllua. Prokuroria e Krimeve të Rënda regjistron çështjen si vrasje për shkak të detyrës. Rikthehet në hetime edhe historia e 12 viteve më parë, ku në zyrën e Cukut dyshohet se vrau veten një 25-vjeçar.

Ndonëse i qëlluar dy herë në trup, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Cuku, dyshohet se është përleshur me atentatorin dhe në ato momente ka ndërhyrë një tjetër ekzekutor, i cili ka qitur edhe disa plumba duke e lënë të vdekur në vend ish-zyrtarin e lartë të policisë.

Gjithçka ndodhi në jo më shumë se 40 sekonda dhe pas krimit autorët që mendohet të jenë dy të rinj, janë larguar në këmbë nga vendi i ngjarjes, në drejtim të sheshit “Wilson”.

Ky është version paraprak i grupit hetimor të çështjes, të cilët sekuestruan provat në vendin e ngjarjes.

Ndërsa në lidhje me shkaqet e vrasjes, u përfshinë disa pista, ku njëra prej tyre është konflikti që Cuku kishte me familjen e Agim Dakës, ky i fundit vetëm 25-vjeçar, u gjet i vrarë në ambientet e komisariatit gjatë kohës kur po merrej në pyetje nga Cuku.

Edhe pse zyrtarisht u konsiderua një vetëvrasje e të riut, pasi i rrëmbeu nga brezi armën Cukut, sërish ngjarja e 12 viteve më parë me protagonist Cukun, mbetet me shumë enigma.

Nga ana tjetër, hetimet janë shtrirë edhe për ndonjë konflikt të mundshëm në dy vitet e fundit, gjatë kohës që 42-vjeçari drejtonte një kompani private të sigurisë, pas shkarkimit nga strukturat e Policisë së Shtetit.

Karriera e tij erdhi gjithnjë në ngjitje ku në 16 vite shërbim në strukturat e rendit mbajti poste të larta dhe pak kohë para shkarkimit ishte në krye të Drejtorisë së Policisë Vlorë.

Ish-zyrtarit të lartë të policisë dje iu dha lamtumira e fundit në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Ngjarja

Skena e krimit është rindërtuar edhe një herë gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm, duke dhënë një tablo më të qartë për vrasjen e ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku.

Babai i dy fëmijëve të mitur u ekzekutua rreth orës 20:00 të së shtunës në hyrje të pallatit ku banonte, në afërsi të Liqenit Artificial në Tiranë.

Nga këqyrja e provave të grumbulluara, rezultojnë shtatë plumba të qitur ndaj Cukut, pesë prej të cilëve i ka marrë në trup, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur në murin e pallatit. Arma që ka shtënë tre plumba drejt Cukut i përket një pistolete model 7.65 mm, ndërsa tjetra është 9 mm.

Kjo bën të dyshohet edhe më shumë se atentatorët ishin dy persona dhe jo vetëm një, siç pohojnë shumë dëshmitarë.

Dyshohet se personi i parë që e priste në hyrje të pallatit Cukun ka shtënë drejt tij dy herë.

Edhe pse me plumba në trup, 42-vjeçari është përleshur me të riun që e qëlloi dhe më pas tentoi që të ngjitej në ashensor.

Në ato momente mendohet se është afruar një tjetër person i armatosur dhe këtu qëlluan të dy atentatorët shtatë herë, ku katër plumba i përshkuan gjoksin, ndërsa një tjetër në kokë.

Për pasojë 42-vjeçari mbeti i vdekur në vend.

Policia gjatë orëve të vona të së shtunës dhe ditën e djeshme mori dëshminë e 12 personave që kanë dijeni për ngjarjen.

Ata u shprehën para agjentëve se konstatuan rreth gjysmë ore para atentatit një djalë të ri të veshur me rroba të zeza dhe në kokë mbante një kapele.

Ai e ka pritur Cukun për të gjetur momentin e përshtatshëm që të kryente vrasjen.

Të tjerë dëshmitarë treguan në polici se gati njëherësh me krismat e para Cuku dhe atentatori kanë debatuar dhe njëri prej tyre kishte dialekt verior.

Kjo e dhënë dhe sekuestrimi i një kamera sigurie që ka kapur momentin e largimit të një prej atentatorëve konsiderohet e vyer deri më tani për prokurorinë, e cila shpreson se me provat e marra mund të arrijë të paktën në identikitin e atentatorëve.

Hetimet

Pas krimit, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka hapur dosjen, duke e konsideruar si vrasje për shkak të detyrës.

Edhe pse pistat e hetimit janë të shumta është rikthyer edhe një herë çështja e një incidenti mjaft të rëndë, të ndodhur në mars të vitit 2005, në zyrën e Cukut, që asokohe mbante detyrën e shefit të krimeve në Komisariatin nr. 4 në Tiranë.

I riu 25-vjeçar Agim Daka ishte shoqëruar në ambientet e komisariatit dhe po merrej në pyetje nëse kishte dijeni për vendndodhjen e vëllait të tij Bujar Kodra, i arratisur nga komisariati i Shkodrës. Në një moment që mbetet ende mister, dyshohet se Daka mori armën e Cukut dhe qëlloi veten me një plumb në kokë.

Ky ka qenë version zyrtar i hetimeve në atë kohë. Në dosjen hetimore për vdekjen e 25-vjeçarit Daka thuhet se gjatë kohës së shoqërimit dhe më pas edhe në ambientet e komisariatit i riu e ka përjetuar rëndë faktin se po shoqërohej dhe shfaqte shenja ankthi.

Ekspertiza që iu bashkëngjit dosjes për vdekjen e Dakës parashtroi se në duart e viktimës ishin gjetur mbetje baruti, gjithashtu edhe në armën e oficerit Cuku kishte shenja të gishtave të 25-vjeçarit.

Pavarësisht se në mënyrë zyrtare u tha se Daka vrau veten, pasi i rrëmbeu armën e shërbimit të 42-vjeçarit, përsëri familjarët e të riut akuzonin Cukun se djalin e tyre e dhunoi fizikisht dhe psikologjikisht gjatë marrjes në pyetje.

Pista e vrasjes për shkak të detyrës dhe të incidentit në vitin 2005 po hetohet me prioritet, por nga ana tjetër ekspertët e policisë dhe prokurorisë shprehen se fakti që kanë kaluar 12 vite që nga momenti i vdekjes së mistershme të Dakës, i bën që të jenë skeptikë në këtë variant.

Në 24 orët e fundit po merren në pyetje edhe bashkëpunëtorët e Cukut, të cilët drejtojnë një kompani private të sigurisë. Si kolegët ashtu edhe familjarët treguan para policisë se Cuku nuk ka shfaqur ndonjë shqetësim dhe nuk është shprehur ndonjëherë që mund ta ndiqnin persona të dyshimtë.

Kjo çështje mbetet prioritet për të arritur në zbulimin e saj, ndërsa duket e vështirë pasi autorët e dyshuar të krimit mendohet se janë vrasës profesionistë, pasi nuk kanë lënë prova materiale që mund të çojnë në zbulimin e tyre.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Konferenca: Arbëreshët, 600 vjet jashtë teksteve të historisë shqiptare!

Konferenca shkencore e mbajtur dje në Akademinë e Shkencave mbi identitetin shqiptar...
Read More