Detajet: Ndalesa ‘misterioze’ e 613 kilogramëve kokainë në Itali

Donald Lushaj, menaxheri i kompanisë “Arbri Garden”, thotë se ngarkesa e bananeve të porositura në Kolumbi u vonua dy javë, pasi ishte hapur në portin e Livornos në Itali të cilët dërguan edhe një email tek Arbër Çekaj. Agjenti doganor sinjalizoi për probleme me kontejnerin. Agjentë të DEA-s zbarkojnë në Portin e Durrësit, edhe pse dy kontejnerët e tjerë të “Arbri Garden” rezultuan të pastër. Në Ekuador u arrestuan 2 shqiptarë me 350 mijë euro në valixhe.

Shoferi dhe menaxheri i kompanisë “Arbri Garden” kanë shpjeguar “lidhjen” e tyre me ngarkesën e bananeve ku policia sekuestroi sasinë prej 613 kg kokainë, duke mohuar çdo akuzë.

Edhe pse janë në qeli për akuzën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve, Donald Luhaj dhe Armando Pezaku, thonë se ata jo vetëm nuk kanë dijeni për kokainën, por nuk kanë qenë në gjendje të porositin një ngarkesë të tillë.

“Unë nuk kisha asnjë mundësi të porosisja ngarkesa. Këtë gjë e bënte pronari Arbër Çekaj”, mësohet të ketë deklaruar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda Donaldo Lushaj, menaxheri i kompanisë “Arbri Garden”.

Ai ka dhënë disa detaje që mund të ndihmojnë hetuesit, por njëkohësisht konfirmon se për ngarkesën e kokainës kanë patur dijeni edhe autoritetet portuale të Livornos.

Çka rrëzon variantin e ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrin se operacioni është kryer vetëm nga institucionet shqiptare, pa ndihmë nga autoritetet e huaja.

Lushaj ka deklaruar se është punësuar në kompaninë “Arbri Garden” në vitin 2014 me detyrë menaxhimin e ngarkesave me agjentët e shitjeve.

“Ngarkesat porositeshin nga vetë pronari, kryesisht në Kolumbi, Ekuador dhe Argjentinë”, ka deklaruar 25-vjeçari.

I pyetur për rastin e kontejnerit të fundit prej 20 tonë bananesh të nisur nga Kolumbia, Lushaj shprehet se kjo ngarkesë ishte vonuar dy javë.

“Ne morëm dijeni se kontejnerët po kontrolloheshin në portin e Livornos dhe për këtë arsye mësova se pronarit i erdhi një email që ia kaloi doganës. Në këtë email kërkohej që pronari Arbër Çekaj duhet të paguante një kosto prej 4 mijë eurosh për shkarkimin e kontejnerëve në portin e Livornos”, mësohet të ketë deklaruar Lushaj.

Ai thotë se në datën 27 shkurt e ka telefonuar agjenti doganor, A. M., i cili i ka thënë të paraqitej sepse skaneri kishte dhënë sinjal të kuq për ngarkesën dhe pasi është kontrolluar, sipas tij, janë lejuar të vazhdojnë udhëtimin për në Maminas, ku edhe ndodhi bllokimi i kokainës.

Por ndërkohë në procesverbalin e këqyrjes policia evidenton se pasi skaneri ka dhënë sinjal të kuq, ata kanë parë se pjesa fundore e kamionit në krahun e djathtë ishte pak i hapur, por i mbushur me silikon.

Ky detaj lë të kuptohet se dikush para palës shqiptare e kishte kontrolluar kamionin ku edhe ka parë që aty fshihej drogë, çka të bën të besosh se Shqipëria është sinjalizuar për ngarkesën e dyshimtë.

Pas kontrollit, policia shpjegon se është urdhëruar dorëzim i kontrolluar për të kuptuar në mënyrë të konfirmuar linjën që do të ndiqte kamioni. Ndërkohë është pyetur edhe shoferi Armando Pezaku që ka pohuar se ishte caktuar si transportues sipas një grafiku.

Ai thotë që nuk ia ka idenë e asaj që gjendej në kontejner, dhe që kishte vetëm 6 muaj që punonte si shofer, meqë shoferëve të vjetër nuk iu pëlqente të bënin transporte nga Porti i Durrësit.

Gjithashtu, Pezaku ka theksuar që adresën e tij në rrjetin social Facebook ia ka hapur i vëllai, dhe fraza “I çoj miell partizanëve” nuk ka asnjë kuptim sepse sipas tij ai as që e përdorte si adresë.

Ditën që çova kontejnerin në Maminas paradite dërgova dhe dy kontejnerë në Tiranë. As kisha, dhe as kam dijeni se ç’ka në kontejner. Për sa i përket Facebook ku është shkruar “I çoj miell partizanëve”, ma ka hapur vëllai vite më parë dhe as merrem me Facebook. Kur më mori kompania në telefon isha në Tiranë pranë Rrugës së Elbasanit dhe me kamion shkova në port. Kam 6 muaj që punoj si shofer, shoferët e tjerë më të vjetër s’preferonin të bënin transport nga Porti i Durrësit dhe unë si më i riu më jepnin të bëja rrugët e portit dhe nuk kundërshtoja”, mësohet të jetë shprehur Pezaku.

E ndërsa Prokuroria e Krimeve të Rënda vijon hetimet për çështjen, Agjencia Amerikane kundër Drogës DEA duket se e ka marrë seriozisht rastin dhe ka vendosur të ndjekë situatën nga afër. Dogana ka shtuar masat e sigurisë në Portin e Durrësit, ndërsa gjithçka po mbikëqyret nga amerikanët. Përgjatë ditës së djeshme një automjet policie është parë në Portin e Durrësit, ndërsa i stampuar në të është edhe flamuri amerikan.

Burimet konfirmojnë se janë të paktën dy agjentë të DEA-s të cilët kanë mbërritur nga qendra e Athinës për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare lidhur me sasinë rekord të kokainës të kapur në Portin e Durrësit.

Nuk dihen detaje konkrete nga puna e tyre në Shqipëri, por mësohet se ata janë pjesë e njësisë së DEA-s të vendosur në Athinë të Greqisë, e cila ka kryer hetimet edhe për Klement Balilin, i cilësuar si “Eskobari i Ballkanit”.

Angazhimi i autoriteteve amerikane në hetime tregon se bëhet fjalë jo vetëm për një linjë të konsoliduar të transportit të kokainës, por edhe për persona të rëndësishëm të përfshirë në këtë linjë trafiku.

Që pas sekuestrimit të kokainës çdo kamion dhe kontejner kalon në skaner, çka ka shkatuar edhe radhë në Portin e Durrësit. Sipas kompanisë “Panjiva” me seli në Nju Jork e cila analizon të dhënat e tregtisë globale, firma “Arbri Garden” që kishte porositur kontejnerin ku u gjetën 613 kg kokainë, ka marrë në dorëzim në total 97 dërgesa të tjera nga Amerika Latine.

Ky nuk është rasti i parë kur kompanisë “Arbri Garden” i sekuestrohet kokainë në ngarkesën me banane që porosit kryesisht nga Kolumbia dhe Ekuadori.

Në vitin 2015, autoritetet ekuadoriane kanë sekuestruar një sasi prej 93 kg kokaine të pastër në një ngarkesë me banane që kishte si destinacion Portin e Durrësit në Shqipëri. Porositësi i bananeve ishte sërish kompania “Arbri Garden”. Policia referoi çështjen në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, madje me iniciativën e saj mori edhe dëshminë e pronarit të kompanisë, Arbër Çekaj, por Krimet e Rënda vendosën të pushojnë çështjen.

Kjo prokurori ende nuk ka sqaruar arsyet e një vendimmarrjeje të tillë, edhe për faktin se policia vazhdimisht ka dërguar informacion në prokurori edhe për raste të tjera kur autoritetet ekuadoriane kanë sekuestruar kokainë apo para.

Një prej këtyre rasteve ka ndodhur në qershor të vitit të shkuar, kur në aeroportin e kryeqytetit të Ekuadorit, u arrestuan dy shqiptarë me 350 mijë euro në valixhe. Në bashkëpunim me Departamentin Europian kundër narkotikëve oficerët e operacionit ACRUX ndaluan në Aeroportin Ndërkombëtar të José Joaquín de Olmedo në Guayaquil më 16 Qershor 2017 dy shtetas shqiptarë.

Policia ekuadoriane dha vetëm mbiemrat e tyre. Ata janë D. Driza dhe G. Hoxha. Operacioni policor zbuloi se në valixhe kishin fshehur 350 mijë euro, si dhe 500 dollarë duke tentuar t’i kalonin pa i deklaruar.

Sipas fotove të Report TV, kartëmonedhat, prerje 500 euro ishin fshehur në bishtat e pjesës tërheqëse të valixhes. Shqiptarët fluturonin nga Madridi ne Spanjë drejt Ekuadorit. Pas kapjes së tyre autoritetet policore thanë se po koordinonin me Ambasadën përkatëse dhe Organizatat Ndërkombëtare të Sigurisë për të përcaktuar nëse ata janë pjesë e ndonjë rrjeti të krimit të organizuar dhe nëse janë ne procese gjyqësore të hapura në vende të tjera.

Por duket se këto fakte janë injoruar nga prokuroria e cila ka vendosur të mbyllë çështjen për kompaninë “Arbri Garden” dhe pronarin e saj Arbër Çeka, i cili edhe pas kapjes së 613 kg kokainë, nuk është i arrestuar, por i shpallur në kërkim.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shkëmbimi i Territoreve – duhet Shqipëria të pyetet

Nga Pirro Prifti Thaçi që më 24 korrik hodhi idenë e rregullimit...
Read More