Detajet: Si u larguan të besuarit e Adriatik Llallës

Ndryshimet prekën drejtuesit e prokurorive të Elbasanit, Fierit, Kukësit dhe në fund Durrësit. I vetmi që ka reaguar publikisht kundër vendimit të kryeprokurores Marku, kreu i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, tha se largimi i tij nga detyra është i paligjshëm dhe se do të depozitojë kallëzim penal sapo të njihet me përmbajtjen e urdhrit të shkarkimit.

Kabineti i ri i kryeprokurores së përkohshme nëpërmjet disa njoftimeve për mediat informoi se znj. Arta Marku kishte lëvizur e shkarkuar disa drejtues prokurorie në rrethe. Ndryshimet e kryeprokurores së re prekën drejtuesit e prokurorive të Elbasanit, Fierit, Kukësit dhe në fund Durrësit, pas negociatave për dorëheqjen e këtij të fundit. I vetmi që reagoi publikisht për këtë vendim të kryeprokurores Marku ishte drejtuesi i Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, i cili tha se largimi i tij nga kjo detyrë është i paligjshëm dhe se do të depozitojë një kallëzim penal sapo të njihet me përmbajtjen e urdhrit. Të gjithë të larguarit konsiderohen si njerëz të ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Hakmarrje e dukshme mund të quhet largimi i drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit, Agron Gjana, i cili prej më shumë se dy vitesh ishte i emëruar në këtë detyrë. Sipas njoftimit për mediat të dërguar nga drejtorja e komanduar e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithshëm, Alkeat Zifla, ish-drejtuesi i Prokurorisë së Durrësit do të caktohet përkohësisht prokuror në Pukë. Edhe pse nuk është publikuar ende baza ligjore e kësaj vendimmarrjeje, referuar ligjit për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm ka të drejtë vetëm të pezullojë prokurorët në rastet e parashikuara në ligj dhe të bëjë vlerësimin e punës së tyre. Në këtë ligj nuk parashikohet asnjë kompetencë për shkarkime, emërime apo transferime sikurse kanë ndodhur me ardhjen në detyrë të Prokurores së Përgjithshme të përkohshme Arta Marku. Sipas njoftimit për mediat, Prokurorja e Përgjithshme kishte vendosur ndërprerjen e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Elbasanit, Dritan Gina, i cili zëvendësohej në detyrë nga prokurori Ardian Nezha. Ky i fundit ka mbajtur detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Pukës, ku u transferua me urdhër të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Pas tij, kryeprokurorja e përkohshme vendosi ndërprerjen e komandimit për drejtuesin e Prokurorisë së Fierit Pali Deçolli, i cili është prokurori që pushoi dhe më pas rifilloi hetimet për çështjen e shpërthimeve në Fier, e cila u kthye edhe në objekt akuzash mes ish-kryeprokurorit Llalla dhe Ambasadorit Amerikan. Deçolli u zëvendësua në detyrë nga prokurori Fatmir Lushi. Lëvizja e tretë në njoftimin e parë të Kabinatit të znj. Marku informonte se po ashtu i ishte ndërprerë komandimi edhe drejtuesit të Prokurorisë së Kukësit, Artur Ismailukaj. Menjëherë pas këtij njoftimi reagoi prokurori i Elbasanit, Dritan Gina, i cili në një konferencë për mediat tha se vendimi për ndërprerjen e komandimit të tij është i paligjshëm. “E ushtroj këtë detyrë që nga 03.07.2017 në bazë të ligjit dhe do largohem nga kjo detyrë vetëm kur ta vendosë Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Refuzoj të zbatoj një urdhër të paligjshëm. Nuk do ta braktis detyrën dhe do vijoj të ushtroj funksionin sikurse parashikon ligji. Sapo urdhri i Prokurores së Përkohshme të mbërrijë në zyrë do bëj një kallëzim penal”, -tha ai në deklaratën për mediat. Sipas tij, funksioni i është ndërprerë në mënyrë arbitrare. “Kjo lëvizje, antiligjore, e nxitur dhe nga qarqe të caktuara politike. Ndërprerja e komandimit mund të bëhet vetëm nga KLP, i cili nuk është krijuar”, ka thënë në reagimin e tij. Gina refuzoi të lirojë zyrën për zëvendësuesin e tij duke shkaktuar edhe një incident në ambientet e prokurorisë, pasi salla ku do të prezantohej drejtuesi i ri ishte e mbyllur me çelës. Ardian Nezha, ka mbërritur rreth orës 15:00 në ambientet e Prokurorisë së Elbasanit për të marrë detyrën, por dera e mbledhjes ka qenë e mbyllur. Nezha ka qëndruar disa minuta në ambientet e Prokurorisë, i shoqëruar dhe nga prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Kosta Beluri dhe më pas është larguar. Por zhurma e krijuar përgjatë paradites së djeshme nuk ka penguar Prokuroren e Përgjithshme të njoftojë edhe një tjetër largim, i cili referuar ligjit nuk mund të kryhej, pasi kryeprokurori i përkohshëm nuk ka kompetenca për lëvizjen e drejtuesve të emëruar. Sipas burimeve mësohet se drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit, Agron Gjana, fillimisht i ishte kërkuar largimi me dorëheqje nga kjo detyrë. Por pas refuzimit të tij, kryeprokurorja Marku vendosi jo vetëm largimin, por caktimin e tij të përkohësisht si prokuror në Prokurorinë e Pukës. Në vend të tij, kryeprokurorja komandoi znj. Donika Prela, aktualisht prokurore pranë kësaj prokurorie. Drejtuesja e re e Prokurorisë së Durrësit rezulton e kallëzuar penalisht bashkë me një gjyqtare të këtij qyteti për akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe “zhdukja ose humbja e shkresave nga fashikulli”. Si Prokuroria e Kavajës ashtu dhe ajo e Tiranës kanë vendosur mosfillimin e procedimit penal për prokuroren Prela, ndërsa pas ankimit të kallëzueses Gjykata e Tiranës ka vendosur prishjen e këtij vendimi. Po ashtu, prokurorja e re e Durrësit ka përfaqësuar akuzën në rastin e arrestimit dhe kontrollit të automjetit të shtetasit Ledion Ruçi, ngjarje e ndodhur në vitin 2012 duke i kërkuar gjykatës lirimin e djalit të deputetit Gramoz Ruçi dhe shpalljen e paligjshme të kontrollit të automjetit ku udhëtonte i dyshuari. Të gjithë drejtuesit e lëvizur nga detyra përgjatë këtyre ditëve pritet të kundërshtojnë vendimin e kryeprokurores Marku në Gjykatën Administrative, si të pabazuar në ligj. E para që ka ndjekur rrugën ligjore për të kundërshtuar vendimin e kryeprokurores Marku është ish-drejtoresha e Marrëdhënieve me Jashtë njëherësh dhe ish-drejtuesja e sektorit të Dekriminalizimit, Rovena Gashi. Ajo ka depozituar një padi në gjykatën administrative ndaj kryeprokurores Marku me argumentin se është shkarkuar padrejtësisht nga detyra. Gashi u shkarkua nga kryeprokurorja Marku si drejtore dhe u emërua prokurore e thjeshtë. Por, ky shkarkim, sipas Rovena Gashit është i padrejtë, sepse në këtë mënyrë uzurpohen funksionet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i vetmi institucion që ka të drejtën e emërimeve apo shkarkimeve të prokurorëve. Më herët kryeprokurorja e përkohshme shkarkoi nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fusha dhe këshilltarin për mediat në Prokurorinë e Përgjithshme, Albi Serani.

Kompetencat e prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm

Neni 160 i ligji për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

  1. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurori i Përgjithshëm do të vazhdojë të ushtrojë kompetencat e mëposhtme, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj: a) emëron magjistratët kandidatë të diplomuar në vitin 2016, në përputhje me pjesën III, kreu II, të këtij ligji, të paktën dy muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji; b) merr vendim për caktimin në pozicione të kandidatëve magjistratë të diplomuar në vitin 2016, sipas pjesës III, kreu III, të këtij ligji, brenda tre muajve pas hyrjes në fuqi të këtij ligji; c) pezullon prokurorët, sipas procedurës dhe kritereve të parashikuara në ligj; ç) mbikëqyr trajnimin e prokurorëve, sipas këtij ligji dhe ligjit “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë; d) kryen vlerësimin e punës, siç parashikohet në dispozitën kalimtare të këtij ligji, duke përfshirë edhe ndihmën në rivlerësimin kalimtar të prokurorëve, në bazë të ligjit “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”; dh) vërteton mbarimin e emërimit në rast dorëheqjeje dhe arritjes së moshës së pensionit.

Lëvizjet e njoftuara nga Prokuroria e Përgjithshme

  1. Dritan Gina, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;

Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, caktohet prokurori, z. Ardjan Nezha.

  1. Pali Deçolli, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;

Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, caktohet prokurori, z. Fatmir Lushi.

  1. Artur Ismailukaj, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;

Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, caktohet prokurori, znj. Alketa Nushi.

  1. Agron Gjana, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, largohet nga kjo detyrë dhe caktohet në pozicion të përkohshëm si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë.

Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, caktohet znj. Donika Prela, aktualisht prokurore pranë kësaj prokurorie.

 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Raporti: Vota u ble, opozita të jetë në qeveri 6 muaj para zgjedhjeve

Çfarë konstatuan ministrat teknikë për zgjedhjet e 25 qershorit dhe rekomandimet që...
Read More