DHAT: Mbani premtimin, ulni në 18% tatimin për pagën

Ndërkohë kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, propozoi që taksa e banesave për shtëpitë e para të jetë zero. Sipas tij kjo do të stimulonte individët për të blerë një shtëpi. Ai shtoi se për shtëpitë e dyta dhe të treta të paguajnë më shumë.

Bizneset shprehën dje mendimet e tyre për ndryshimin në taksën e pronës, ndryshimin në taksën e infrastrukturës mbi ndërtimet, tatimit mbi të ardhurat personale dhe shtrirjen e skemës së TVSH-së për bizneset qe kanë xhiro më të lartë se 2 milionë lekë, nga 5 milionë lekë që është aktualisht.

Sipas Monitor.al për sa i përket taksës së banesave, kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, propozoi që për shtëpitë e para të jetë zero. Sipas Jakës, do stimulohen individët për të blerë një shtëpi. Ai shtoi se për shtëpitë e dyta dhe të treta të paguajnë më shumë.

Jaka tha se taksa e infrastrukturës, prej 8 për qind mbi çmimin e shitjes për ndërtimet civile ndikon për investimet.

Kreu i Dhomës së Tregtisë u shpreh kundër uljes së pragut të TVSH-së në 2 milionë lekë, pasi kjo sipas tij do të nxisë informalitetin. Ai kërkoi që të mos ketë fare prag TVSH-je, pra të fillojë nga zero.

Për sa i përket heqjes së TVSH-së për ushqimet e shportës bazë, një propozim i deputetëve të LSI, Jaka u përgjigj se produktet ushqimore janë në 70 për qind importe dhe ulja e TVSH nuk do të sjelle përfitim në ekonomi.

Dhoma Amerikane ka ripërsëritur komentet e saj për paketën fiskale. Anëtarët e Dhomës i kanë kërkuar qeverisë që të mbajë premtimin që bëri përpara zgjedhjeve, që tatimi mbi pagat e larta mbi 130 mijë lekë në muaj të ulet nga 23% në 18%. Në paketën fiskale aktuale mungon një nismë e tillë.

“Ulni taksën mbi TAP që të ketë rritje të pagës dhe të deklarimit të tyre”, thanë përfaqësuesit e Dhomës Amerikane.

Në këtë paketë fiskale vumë re se shumë prej ligjeve do përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave. Dhoma Amerikane ka kërkuar që elemente të rëndësishme duhet të përcaktohen me ligj.

Aktualisht në rastin e TVSH-së, kufiri përcaktohet me VKM. Dhoma ka kërkuar që kufiri të mos ndryshojë nga viti në vit.

Në opinionin e anëtarëve të Dhomës, ligji duhet të përcaktojë qartë detyrimin tatimor duke përcaktuar qartë dhe pa ekuivokë si bazën e tatueshme ashtu edhe normën tatimore. Aktet nënligjore do të duhet më tej të specifikojnë detaje apo japin sqarime, por jo të vendosin elemente tepër llogaritjes së detyrimit tatimor.

Komentet dhe propozimet

Dhoma Amerikane dorëzoi në fund të tetorit komentet e saj për paketën fiskalë në Ministrinë e Financave. Dy ishin vërejtjet kryesore të Dhomës: Së pari, po i lihet hapësirë e madhe Këshillit të Ministrave përmes VKM-ve, sidomos për uljen e kufirit të TVSH-së dhe taksën e pronës dhe së dyti, paketa nuk ka nxitës realë për biznesin. Dhoma mendon edhe se kalimi i taksës së pasurisë mbi bazën e vlerës së tregut është i parakohshëm.

I lihet shumë hapësira KM, kufiri i TVSH-së të përcaktohet me ligj

Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtaret e Dhomës janë të mendimit qe këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 155 të Kushtetutës së Shqipërisë “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj”. Më tej, sipas nenit 118 të Kushtetutës, “Aktet nënligjore nxirren në bazë dhe për zbatim të ligjeve nga organet e parashikuara në Kushtetutë. Ligji duhet të autorizojë nxjerrjen e akteve nënligjore, të përcaktojë organin kompetent, çështjet që duhen rregulluar, si dhe parimet në bazë të të cilave nxirren këto akte”. Si në rastin e dispozitave të projektligjit për ndryshime në ligjin për TVSH, te projektligji për ndryshime në ligjin për tatimin mbi të ardhurat si dhe te projektligji për ndryshime në ligjin për taksat vendore, autorizohet Këshilli i Ministrave që të përcaktojë “kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin” e dispozitës ligjore. Por asnjë nga projektligjet nuk parashikon parimet mbi bazën e të cilave do të nxirret akti nënligjor nga Këshilli i Ministrave. Kjo gjë sjell si pasojë lënien e një fushe veprimi të gjerë për Këshillin e Ministrave për të përcaktuar çfarëdolloj kushti apo kriteri për tatimpaguesit që të detyrohen të paguajnë një tatim apo të përfitojnë lehtësira tatimore.

Në opinionin e anëtarëve të Dhomës, ligji duhet të përcaktojë qartë detyrimin tatimor duke përcaktuar qartë dhe pa ekuivokë si bazën e tatueshme ashtu edhe normën tatimore. Aktet nënligjore do të duhet me tej të specifikojnë detaje apo japin sqarime, por jo të vendosin elemente tepër llogaritjes së detyrimit tatimor.

Shembulli tipik është autorizimi i Këshillit të Ministrave për të vendosur kufirin e regjistrimit në TVSH. Dhoma mendon se kufiri i regjistrimit duhet të caktohet në ligj (qofte në një shume të përcaktuar apo një segment ku parashikohet një shumë minimale dhe maksimale, brenda të cilit mund të vendosë Këshilli i Ministrave). Për me tepër , ligji duhet të përcaktojë në mënyrë specifike cilat janë rastet e përjashtimit nga detyrimi për regjistrimin në TVSH apo cilat janë kategoritë e veçanta ku kufiri minimal i regjistrimit mund të jetë i ndryshëm.

Shembull tjetër është autorizimi i Këshillit të Ministrave që të përcaktoje me vendim “aktivitetet që përfshihen në fushën e prodhimit të software-ve si dhe procedurat për zbatimin e nenit që lidhet me normën e reduktuar të tatimit mbi fitimin”. Ashtu siç është formuluar kjo dispozitë, është e paqartë se ku do të bazohet Këshilli i Ministrave për të përgatitur listën e aktiviteteve që përfitojnë nga përjashtimi dhe çfarë procedurash do të rregullojë. Ligji duhej të sanksiononte listën e aktiviteteve sipas Nomenklaturës së Aktiviteteve Ekonomike të cilat do të përfshiheshin në këtë incentivë.

Së fundmi, në projektligjin për taksat vendore lihet e hapur për t’u përcaktuar nga Këshilli i Ministrave miratimi i “metodologjisë për përcaktimin e vlerës së tatueshme të pasurisë së paluajtshme – ndërtesa”, por në kundërshtim me dispozitat kushtetuese të sipërpërmendura nuk parashikohet asnjë parim ku do të bazohet Këshilli i Ministrave për miratimin e metodologjisë.

Ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH

Ulja e kufirit të regjistrimit në TVSH, sipas Dhomës, duhet të ketë parasysh parimet e mëposhtme:

(a) lehtësimi i procedurave të deklarimit të TVSH nga bizneset e vogla me deklarime tremujore, heqje gjobash për vonese në deklarim etj., si dhe

(b) mosfutja në TVSH e bizneseve shumë të vogla.

Shqetësim për anëtarët tanë përbën kapaciteti i administratës tatimore (dhe sistemit e-tax) për menaxhimin e një numri të madh subjektesh në TVSH. Kostoja e administratës për menaxhimin dhe kontrollin e këtyre subjekteve duhet të justifikohet me të ardhurat qe ata do të sjellin në buxhet. Shqetësimi tjetër ka lidhje me faktin se fokusi i administratës tatimore nuk duhet të zhvendoset te tatimpaguesit e vegjël pasi dëmi më i madh në buxhet shumicën e rasteve bëhet nga të mëdhenjtë.

Nga ana tjetër, iniciativa në uljen e kufirit të TVSH duhet të shoqërohet me masa të tjera në kuadrin e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin apo tatimin mbi fitimin. Për shkak të ndryshimeve thelbësore në procedura dhe barrë tatimore ndërmjet këtyre dy lloj tatimeve që ndahen te xhiro vjetore 8 milionë Lekë, ka një shtytje të kuptueshme të subjekteve qe të qëndrojnë nën kufirin prej 8 milionë Lekë (përfshirë këtu hapjen dhe mbylljen e NIPT-eve për të njëjtin aktivitet).

Sugjerimi ynë është që ministria të propozoje ndryshimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat dhe atë për taksat vendore që të vendose një mënyrë dhe masë tatimi që iu lejon këtyre bizneseve të vogla formalizmin e tyre pa barrë fiskale të ekzagjeruar. Në këtë këndvështrim, duhet të trajtohen veçmas aktivitetet e shitjes së mallrave dhe ato të shërbimeve për arsye se tek ofrimi i shërbimeve, xhiro prej 8 milionë është më pranë fitimit Neto të subjektit, ndërsa në rastin e shitjes së mallrave, pjesën më të madhe të xhiros e zë vlera e shitjes se mallrave (dhe jo marxhi i fitimit).

Pra, duke i mbetur filozofisë se kush fiton (jo qarkullon) më shumë paguan më shumë, klasifikimi i biznesit të bëhet në bazë të fitimit. Kjo e shoqëruar me lehtësim të raportimit/ dokumentimit për bizneset me xhiro të vogël. Duke u tatuar fitimi dhe jo xhiro do të ketë efekt edhe në kërkesën me të madhe për të dokumentuar lëvizjet e mallrave dhe uljen e presionit për të fshehur të ardhurat/qarkullimin.

Njohja e shpenzimeve të zbritshme për individët

Përfshirja në shpenzime të zbritshme për qëllime të të ardhurave personale (vjetore) të më shumë shpenzimeve, përgjithësisht ato lloj shpenzimesh për të cilat të ardhurat zakonisht shkojnë të patatueshme nga ofruesit e këtyre shërbimeve (p.sh. shërbimet dentare dhe shëndetësore, riparimet e automjeteve, kurset trajnuese ose kurseve jashtëshkollore, qirasë se shtëpive etj.). Rimbursimi i tatimit për këto lloj shpenzimesh do të zëvendësohej në buxhet nga tatimi që do iu merrej furnizuesve.

Futja e taksës së pasurisë së paluajtshme mbi bazën e vlerës së tregut

Taksimi i pasurive të paluajtshme mbi bazë vlere tregu të pasurisë dhe jo mbi bazë fikse është i parakohshëm. Niveli dhe standardi i jetesës është shumë i ulët krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku aplikohet takse si përqindje mbi vlerën. Do të rendonte shumë buxhetin familjar të një familjeje shqiptare duke ulur nivelin e konsumit dhe do të ketë impakt negativ në ekonomi. Përpara se të ndërmerren hapa të tillë duhet të analizohet një herë standardi i jetesës dhe mundësia për ta përballuar nga një qytetar shqiptar. Në anën tjetër vendi ynë vijon të ketë probleme të theksuara me pronën ku shumë prona janë të paregjistruara, të palegalizuara, janë të zaptuara etj. Duhet të zgjidhen njëherë ngërçet e krijuara nga ligji i pronës dhe pastaj të kalohet te taksimi i saj. Sugjerojmë qe taksimi i pasurive të paluajtshme të vijojë të jetë mbi bazë fikse i cili sërish është i drejtë sepse bazohet në sipërfaqen që çdo pronar zotëron. Shteti duhet t’iu krijojë mundësi rezidentëve përmes punësimit, zgjidhjes së problemeve me pronën dhe rritjes së standardit të jetesës përpara se sa të kërkojë të vjelë prej tyre.

Mospërfshirja e uljes së tatimit mbi dividendin dhe tatimit mbi të ardhurat personale

Pavarësisht premtimit të qeverisë shohim se Paketa Fiskale 2018 nuk përmban ndonjë dispozitë për uljen e tatimit mbi dividendin si dhe uljen e tatimit mbi të ardhurat personale. Është tashmë e pranuar nga të gjithë që ulja e këtyre dy normave do të jepte një efekt pozitiv në rritjen e investimeve dhe trajtim më të favorshëm të punëmarrësve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dy qëndrimet e para të një Presidenti me staturë të fortë politike

Nga Ervis Iljazaj Presidenti i Republikës Ilir Meta është shprehur për herë...
Read More