Dhjetor ’90: trashëgimi e PD, jo e ardhme

Alfred LelaNga Alfred Lela

Dhjetori, në historinë e Shqipërisë paskomuniste, është bërë një muaj që vuan përmasën e vet: sa më shumë largohet viti ’90 aq më prezent, dhe njëkohësisht i paqartë, bëhet muaji i fundit i tij. Kjo prani dhe moskthjelltësi është shtuar, dy apo tre vitet e fundit, me ‘shugurimin’ Kryeministër të Edi Ramës. Një personazh ilustrativ dhe i rëndësishëm i Tiranës së fundviteve ’80, për të cilin mund të thuhet, paradoksalisht, se ka qenë një prej atyre që e kanë frymëzura Dhjetorin, pa u bërë, në finale, dhjetorist.

Këtë prani, dhe njëkohësisht mungesë, këtë vrajë në supin politik, z. Rama e ka rishfaqur edhe pardje kur, në një status në Facebook shpallte se ‘dhjetori nuk është vetëm i partisë që doli nga lëvizja studentore’. Dmth i Demokratikes. Ka një gjysmë në këtë të vërtetë që komploton kundër gjysmës tjetër, të pavërtetë. E cila është: dhjetori mund të mos jetë vetëm i PD por, me siguri, nuk është i Partisë Socialiste.

Të dyja formacionet kryesore politike kanë aberracione mes veti: Edi Rama, që u nis për të marrë PD në vitin ’90 përfundoi në krye të Partisë Socialiste, ndërsa Kastriot Islami, një konservator socialist është aktualisht deputet i Partisë Demokratike. Këto përjashtime, megjithatë, nuk i thonë gjë rregullit kryesor: Partia Demokratike mbetet, në arenën politike dhe në librat e historisë, trashëgimtare e Dhjetorit. Kjo forcë e bashkëndan me shoqërinë, në forma lëndore e jolëndore, këtë vokacion. Thënë këtë, nuk duheet krijuar gënjimi i një iluzioni sipas të cilit kjo trashëgimi, përjashtimisht, identfikohet te apo nga individë udhëheqës të partisë në fjalë. Ata vetëm sa e bartin këtë ‘amanet’, janë njëfarë mjeti, por kurrë vetë lënda.

Njëzet e gjashtë vjet pas dhjetorit të pare, hera gjen në krye të Demokratikes, Lulzim Bashën. I cili është përballë kumtit dhe detyrës së riformulimit të parties. Skedinat politike, sipas rastit, simpative, antipative, apo thjesht përllogaritjeve me bazë hatërmbetjen, e shohin humbës, fitues ose në një pat sfilitës. Në përpjekjet politike, të cilat do t’i japin një prej rezultateve të ‘lojës’, z. Basha ka ofruar disa mea culpa dhe së fundmi ka artikuluar ‘hapjen e partisë’.

Te kjo e fundit ai është në një pikëtakim me historinë: hapja ishte kryefjala e Dhjetorit ’90. Hapja e shoqërisë ndaj idesë së pluralizmit dhe shumëpartive; hapja e partisë (së Punës) ndaj shoqërisë; hapja me botën; (për)hapja e fjalës; hapja e kufijve; hapja e mendjeve; hapja e dosjeve; hapja e burgjeve (për të dënuarit politikë); hapja e ekonomisë; hapja e tregjeve; e të tjera. Gjëmimi i fjalës ‘hapje, hapje, hapje…’ e përcjell jehonën deri te vitit i 26-të i jetës së Partisë Demokratike. Për cilën hapje bëhet fjalë?

Hapjet e dhjetorit të parë janë të mbyllura. Territore të reja nuk gjenden në kufijtë e së pamundurës. Të rinjtë janë, sigurisht, hapësira më e sigurt për hapjen. Por, jo të rinjtë në emër të rinisë, por në emër të së resë. Kërkohen pra, decemberistë për Demokratiken e re. Basha e ka të duhurin instinktin e shfaqjes në Qytetin Studenti rrethuar nga entourage profilesh të pahasura më parë. Sigurisht, një politikan i lartë e di se pikasja dhe menaxhimi i burimeve njerëzore janë një punë herkuliane (që shpirtin ta qit!) dhe nuk mjaftojnë imazhet festive të një photo opp-i.

Demokratikja e re duhet të jetë shëmbëlltyrë e asaj që vetë Basha është. I pari politikan i lartë pa asnjë lidhje me të shkuarën. Të kuptohemi: e shkuara dhe trashëgimia janë dy gjëra të ndryshme. Dhjetori ‘90 është trashëgimi. Gjithkush vjen nga ai muaj i largët dhe nuk mjaftohet me trashëgiminë, por lyp të jetë e ardhme, është e shkuar.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Tre aktorët

  Moisu, Antoniu dhe Eleni Qirici që i dhanë zë kinematografisë shqiptare...
Read More