Dhuna si rrezik dhe si risk

Gilman BakalliNga Gilman Bakalli

I kemi kritikuar vazhdimisht mediat për shpejtësinë me të cilën përhapin lajmet e kobshme. Për detajet e panevojshme, për vojerizmin e tepruar në skenat e krimit, për nekrofilinë e lajmit. Jam i impresionuar nga shpejtësia dhe zelli, me të cilin përhapen fotot e dhunës në rrjetet sociale. Brenda një dite, para syve të mi parakaluan pareshtur dy video, njëra tregonte se si një pit bull shqyente dy qen të tjerë mu para syve krenarë të të zotit, kurse tjetra shfaqte një burrë të nervozuar që ia shkulte flokët ish-gruas dhe e godiste atë me shkelm në brinjë. Ndërkohë që po shkruaj këtë artikull, vijojnë të më shfaqen te muri i Facebook-ut video të tjera, ku një mashkull në mes të Tiranës godet me grusht një vajzë. Dikush tjetër kishte publikuar videon ku një vajzë godet vendçe me shpulla e shkelma të dashurin e saj. Njëlloj si para dy vitesh, kur, shpërthimet me tritol pasonin njëri-tjetrin, ne nuk arritëm ta merrnim vesh nëse ishin shtuar rastet e tritolvënies apo ishte rritur vëmendja mediatike ndaj tyre, edhe tani ne nuk mund ta marrim vesh, nëse rastet e dhunës janë rritur apo vëmendja e publikut ndaj tyre ka marrë përmasa të tjera. Sensibilizimi vazhdoi për orë të tëra edhe pasi u njoftua se burri agresiv qe arrestuar nga policia. Ndihem mirë për efektin ortek që prodhojnë rrjetet sociale dhe presionin e tyre pozitiv ndaj organeve të shtetit. Ndihem mirë që ai mashkull i dhunshëm është në burg dhe do të doja që të kalbej atje brenda dhe të mos e shihte më dritën e diellit. Thënë këtë, kam dëshirë të reflektoj për atmosferën e terrorit dhe panikut që prodhon ky lumë klikimesh të opsionit “share”. Është njëlloj terrori joshtetëror, i cili, në thelb, mund të kuptohet si një lloj publicistike perverse. Dhe e suksesshme. Një publicistikë e suksesshme, suksesi i së cilës garantohet nga mediatizimi cep më cep i shoqërisë. Kjo publicistikë e zmadhon një rast, dy, tre (qofshin edhe 10) raste të izoluara dhune diku në një cep të Shqipërisë, duke e paraqitur atë si një dhunë endemike. Ky mediatizim i përsosur përbën ngacmimin ideal për eksitimin dhe stresin popullor. Ku qëndron vlera informative e një videoje me përmbajtje dhune, kur të gjitha mediat në unison raportojnë në kohë reale për të apo kur qindra e mijëra “miq” virtualë i bëjnë “share” të njëjtës video? Natyrisht që e drejta për raportim dhe e drejta për të ndarë një mllef me të tjerë është më e fortë se nevoja për diskrecion. Sigurisht që e drejta për të ulëritur përballë dhunës është më e fortë se nevoja për të heshtur para saj apo dëshirës për injorim. Ashtu si mediat, të cilat me forcën e tyre shpërndarëse arrijnë të na bëjnë të besojmë se jemi në luftë, ashtu edhe intensiteti i klikimeve të opsionit “share” të videove të dhunës e kthen Facebook-un në një amalgamë monotematike, e besueshme vetëm për popuj në luftë apo prag lufte.

Padyshim që dhuna është zhanri më i preferuar rrjeteve sociale, sidomos Facebook-ut. Ajo i siguron gjithkujt çmimin e parë në vëmendjen publike. Veçse lufta kundër saj nuk bëhet me një eksitim mbarëpopullor, të cilin disa e quajnë sensibilizim, në emër të të cilit bëjnë edhe ca protesta, pa ditur se kundër kujt dhe për kë protestojnë. A thua se njerëzit e dhunshëm anembanë Shqipërisë do të sensibilizohen nga protestat, do t’u hapen sytë, do të reflektojnë dhe do kthehen si dele në shtëpi, kokulur para grave të tyre.

Lufta kundër dhunës në shoqëri është pikësëpari detyrë e shtetit. Njerëzit e dhunshëm duhen izoluar dhe nëse shteti nuk e bën këtë, protesta duhet bërë para institucioneve përgjegjëse dhe jo duke ia përplasur njeri-tjetrit dhunën me video e foto.

Sidomos gazetarët dhe drejtuesit e portaleve online, para se të reagojnë patetikisht me thirrje të dala boje të tipit “quo vadis shoqëri shqiptare” duhet të jenë paksa më të kthjellët dhe të bëjnë një dallim të qartë midis rrezikut dhe riskut. Në raport me rrezikun jemi biologjikisht të paraprogramuar për një reagim që varion nga kundërsulmi tek arratisja. Kurse me riskun nuk e kemi një reagim të tillë refleksiv. Risku nënkupton probabilitetin e dështimit, shprehur në vlerë matematikore. Kur gazetarët dhe miqtë e mi në Facebook turren të nxjerrin konkluzione apokaliptike mbi shoqërinë tonë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse përkthejnë pohimet abstrakte të riskut, në gjuhën dramatike të rrezikut. Kështu ndodh që 2 milionë shqiptarë, brenda dhe jashtë Facebook-ut, të ndihen ekzistencialisht të kërcënuar nga 10 apo 100 burra që rrahin gratë dhe të dalin me konkluzionin se shoqëria jonë po shkon drejt fundit.

Para ca vitesh, ka ekzistuar në Vjenë një moratorium midis policisë dhe shtypit. Për një periudhë të caktuar kohore, nuk kishte më as edhe një raportim të vetëm mbi kamikazët nëpër metrò. Heshtje totale! Thuhet se rastet e shpërthimeve kamikaze nëpër metrò zbritën me 80%. Në këtë rast, e kupton se ajo që ti konsideron luftë apo dhunë masive, është thjesht një efekt medial. Dikur, për të shmangur rrezikun e përhapjes së murtajës, anijet liheshin 40 ditë në karantinë para se të lejoheshin të zbarkonin në tokë. Ndoshta është mirë që përhapësit e përmbajtjeve të dhunës, ta linin për disa ditë në karantinën e tyre të brendshme entuziazmin viral, para se ta hidhnin farën e tij infektuese në tokën e brishtë të publikes.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Duhani të shpëton jetën

Nga Klementin Mile* Gjatë një interviste, filozofi anglez Bertrand Russell, deklaroi se...
Read More