Diana Kastrati, përkthimi nga “mendje jo të prishura”

Diana Kastrati e ftuar në takimet e Klubit të letërsisë bashkëkohore që organizohen prej kohësh në UET, fituese e çmimit Kombëtar për Përkthimin, për vitin 2016, dhënë nga Ministria e Kulturës; përkthyesja flet në përballjen me autorët e saj të vështirë, që thyejnë skemat letrare dhe, dhanë historinë më të gjatë të Italisë; Moravia, Pennaçi dy emblemat që tashmë janë në shqip

Diana Kastrati: Kur italianiteti është familjar brenda shtëpisë dhe, Shkodra një oaz i këtij italianiteti 

Diana do doja ta nisnim bisedën pas në kohë, pikërisht në një lidhje që duhet të ketë pasur ndikim në rrugën që ju keni ndjekur në jetë. E kam fjalën për babain tuaj albanologun dhe studiuesin e njohur Jup Kastrati. Cili ka qenë ndikimi i tij në lidhjen tuaj me letrat?

Duke patur parasysh që kur flitet për lidhje familjare, rreziku që të biesh në patetizëm mund të jetë potencial, do të përpiqem t’i përmbahem, për sa është e mundur, objektivitetit të fakteve. Është botërisht i njohur ndikimi i mikrouniversit familjar ku lindim e rritemi. Për vetë natyrën e punës së tim eti, të studiuesit, historianit të gjuhës shqipe, por edhe për një tjetër karakteristikë të tij personale si bibliofil autentik, biblioteka e tij mjaft e pasur e krijuar shumë herët nga vetë ai, ishte me një profil thuajse tërësisht humanistik dhe në gjuhë të huaj, kryesisht në italisht, frëngjisht dhe pak gjermanisht (vepra studimore mbi shqipen). Përpos këtij realiteti libresk me të cilin rrethohesha, të cilit vështirë se mund t’i qëndrosh indiferent, ishte vetë temperamenti i tij, mënyra e vendosjes së marrëdhënieve në familje, ose më mirë të themi e një komunikimi intensiv që ai vendoste me ne familjarët, e cila të fuste në një dimension që ishte krejt i pazakontë: për shumë kohë kam menduar se ky realitet i të jetuarit për librin e me librin, duhet të ishte normalisht në çdo familje! Pasioni i tij i pazakontë për kulturën humanistike në përgjithësi e, për atë italiane në veçanti, i cili për ata që e kanë njohur nga afër ishte “infektues”, solli tek unë krejt natyrshëm përgatitjen mendore e psikologjike që ky drejtim do të përbënte edhe habitatin tim të ardhshëm profesional. Në fund fare më duhet të shtoj se, është krejtësisht falë tij që me të mbaruar studimet universitare, teksa po pushoja këndshëm një ditë korriku pas marrjes së diplomës, më solli një turrë me libra të/mbi letërsinë italiane të Treqindshit dhe më tha tekstualisht: “Pas pak muajsh del numri i radhës i revistës ‘Buletini shkencor’ i Universitetit të Shkodrës. Përgatit një artikull mbi cilin autor të pëlqen më shumë. Kur ta kesh strukturuar, flasim për aspektin e aparatit shkencor…”. Ai artikull ishte sprova e parë e imja për të nisur rrugëtimin në të cilin ndodhem akoma. 

Narratori i madh i letërsisë italiane e quani Alberto Moravinë në vitin 1992. Ju keni sjellë për herë të parë në shqip romanin e tij të parë “Indiferentët” një roman i cili do ta vendoste atë menjëherë në krye të autorëve italianë të viteve 30-të? Ndjehet një ndikim i Frojdit në letërsinë italiane të pas viteve 30-të, leximi i Frojdit ndryshoi rrëfimin jo vetëm të Moravisë, por dhe të autorëve të tjerë që erdhën më pas…

“Indiferentët” është romani i parë i Moravias, i botuar në 1929, kur autori ishte vetëm 22 vjeç. Një roman i cili shenjoi një kthesë në skenën letrare italiane, jo vetëm për faktin se e katapultoi autorin në qendrën e vëmendjes të publikut lexues italian si dhe kritikës letrare të kohës duke e kthyer atë nga një anonim në një fenomen letrar falë gjenialitetit të tij, por në mënyrë të veçantë për revolucionin e letërsisë që prodhoi; atë të tipit ekzistencialist me derivim dostojevskjan, i cili i parapriu kësaj tipologjie letërsie (asaj franceze) që do të vinte më vonë gjate gjysmës së dytë të shekullit të XX-të. Një vepër që vinte pas një periudhe paksa të zbrazët në narrativën e letërsisë italiane të fundshekullit të XIX-të dhe fillimshekullit të XX—të, me një subjekt që vërtitet në një dialog të vijueshëm me vetveten për të gjithë personazhet e romanit, pa drama reale të asnjerit, pa ngjarje për t’u rrëfyer dhe me një sfond të pastër frojdian. Përpos këtyre risive, një meritë e padiskutueshme e romanit qëndron në faktin se, autori kishte patur ambicien e fortë që të shkruante një pjesë për teatër, pra dramë, por përfundoi duke shkruar një roman ngjarjet e të cilit zhvillohen brenda 48 orëve. Kësisoj, gjejmë të zbatuar mirëfilli standardet aristoteliane të vendit, kohës dhe veprimit. Siç e thamë pak më lart, Frojdi dhe teoria e tij kishte hedhur rrënjë tek formimi i shkrimtarit të ri, ashtu sikurse pashmangshmërisht kishte ndodhur edhe për pjesën më të madhe të intelektualëve europianë të asaj kohe. Por Frojdi pati atë ndikim tek Moravia (ndikim që zgjati gjatë gjithë jetës së tij artistike), edhe falë një fakti privat të autorit: duke qenë se ai që i vogël vuajti nga një sëmundje e rëndë kockash, u detyrua që pubertetin dhe adoleshencën e tij ta kalonte i mbyllur nëpër klinika. Aty ai kreu edhe formimin e tij letrar e kulturor, paksa në mënyrë eklektike, por ku Frojdi ishte “përgjigjja” e shumë pyetjeve që rëndom i lindin një djaloshi që po rritet pa kontakte me botën e jashtme. Pra, ai zhvilloi në mënyrë të spikatur formën e dialogimit me vetveten duke e transplantuar më pas edhe në letërsinë e tij. E gjithë kritika letrare që është marrë me dekada me veprën e Moravias, e ka cilësuar këtë roman si pararendës të letërsisë ekzistencialiste europiane, duke e vënë autorin në fronin e artë të skenës letrare të pionerëve të saj. 

 “Burri që këqyr”, flet për një pushtet tjetër që po bëhet dominant sot ai përmes seksit?

“Burri që këqyr”, doli nga shtypi në Itali në vitin 1985, pra kur Moravia ishte tashmë 78 vjeç. Ndjesitë e autorit në këtë roman janë kryesisht ato të një vuajtëri, i cili nuk këqyr aq objektin se sa lëvizjen e tij, domethënë sjelljen e tij. Dalin në pah sërishmi ndikime frojdiane të cilat përdoren nga Moravia (e shprehur nga ai vetë) në ekses, natyrisht brenda një kornize letrare artistike. Autori, i cili prej kohësh i mbetet bindjes se është seksualiteti ai që kushtëzon ekzistencën tonë në të përditshmen, e përdor këtë element si një metaforë të shtyrë shumë përtej kornizave të zakonshme që një vepër artistike mund të mbajë. Bëhet fjalë në fakt për një raport midis protagonistit dhe dy personazheve të tjerë të romanit (të atit dhe të shoqes), të një pushteti mirëfillazi me bazë subkoshience, ku dominimi i sublimuar përbën edhe kryefjalën e tij. Aftësia e Moravias qëndron edhe në këtë aspekt: ai përkthen me fjalë ndjesitë më primitive, më të errëta të psikikës njerëzore të cilat gjatë gjithë ekzistencës së saj i janë nënshtruar konvencioneve të imponuara ndër shekuj.

Umberto Eco, “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë” 2007 është një tjetër përkthim juaji. Në fakt leximi i këtij libri është si të endesh në pyje. Eco flet për lexuesin e mirë, si mund të bëhesh një lexues i mirë? Eko është krijuesi i estetikës së re të të menduarit të shekullit të XX. Çfarë ka mbetur nga estetika e tij sot?

Kjo vepër e Umberto Eco-s, e mbajtur nga autori në formë leksionesh (gjashtë) në vitet ’90 në Universitetin e Harvardit, të cilën e kam përkthyer në vitin 2007, ka revolucionarizuar teorinë e letërsisë, kritikën letrare por mbi të gjitha ka sjellë risinë në këndvështrimin krejtësisht inovator të pozicionit të lexuesit me veprën. Këto leksione janë një gur miliar i teorisë së “thatë” semiotike, e shndërruar në një zbavitje autentike intelektuale, përmes “shëtitjesh” në vepra të ndryshme letrare tregimtare të kohërave e autorëve të ndryshëm. Të flasësh për mendimin estetik të Eco-s nuk mjaftojnë libra të tërë, por do të parapëlqeja të jepja vetëm atë që mbase është edhe postulati (në gjykimin tim, të paktën) i veprës në fjalë: lexuesi i mirë, apo lexuesi Model siç e klasifikon Eco, është ai që bën paktin e marrëveshjes me veprën artistike (fiction) që në faqen e parë të saj, është ai që nuk ndikohet nga përvojat e tij empirike për të interpretuar veprën letrare, është ai që kultivohet nga lexime Letërsie cilësore, është ai që autori ka patur në mend teksa e shkruante veprën.

Antonio Pennachi Kanali Musolini, çfarë e bën këtë autor bashkëkohor, dhe pse rreket në histori? A  mund të jetë Pennachi një lloj shembulli i intelektualit/shkrimtarit të impenjuar edhe këtu në terrenin shqiptar?

Antonio Pennachi është realisht një autor bashkëkohor. Në të njëjtën kohë ai përbën me plot gojën nje “fenomen letrar”. Pas një jete të kaluar si punëtor fabrike, si aktivist protagonist në beteja politike dhe sindikaliste, kur ishte rreth të 50-tave, frekuenton Fakultetin e Letërsisë dhe fillon aktivitetin e tij letrar. I refuzuar në vijëmësi nga shtëpitë botuese, ai ngulmon në mënyrë ekzemplare deri sa tërheq vëmendjen e tyre. Vepra në fjalë, është edhe konferma e kësaj që sapo thamë. Në dy vëllime ai përmbledh një histori reale gjashtëdhjetëvjeçare të Italisë së shekullit të kaluar (nga hipja në pushtet e fashizmit deri në boom-in ekonomik të Italisë), duke kaluar në sitë të imët të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan atë, por duke e “letrarizuar’ me një ngjarje reale të realizuar nga Musolini, siç ishte tharja e kënetave të Agro Pontinos nga fshatarët e zonës së Venetos të shpëngulur në Lazio. Një sagë familjare, që rrëfehet nga një zë tregues i cili identifikohet edhe me atë të Autorit, e vendosur në një kornizë historike. Një epope postmoderne, një sagë e jashtëzakonshme, një roman historik, një vepër autentikisht korale, me përmasa gjigante letrare. Mund të thuhet se Pennachi ka kryer një mision ndaj Italisë: ai, duke marrë përsipër edhe rrezikun e kritikave të forta (siç edhe ka ndodhur), duke e vendosur veten në lëkurën e historianit/letrarit/misionarit për të paraqitur një periudhë të errët të historisë së Italisë, atë të diktaturës fashiste, duke i njohur asaj dëmet kolosale që shkaktoi, po aq sa edhe ato të mira që prodhoi.

Më pyesni nëse mund të jetë Pennachi një lloj shembulli i intelektualit/shkrimtarit të impenjuar edhe këtu në terrenin shqiptar? Besoj se, po. Por, nëse Italisë iu deshën shumë dekada për të hedhur sytë me vërtetësi nga e kaluara e vet e errët nëpërmjet këtij romani, Shqipërisë nuk i kanë munguar këto përpjekje gjatë këtyre 27 viteve postkomuniste. Intelektualët e impenjuar, ata që i paraprijnë mendimit dhe veprimit, nuk prodhohen kurrë me lehtësi. Duhet shumë “dekantim”, shumë ndërgjegjësim, por mbi të gjitha, shumë liri mendimi dhe shprehjeje. Në gjykimin tim, kjo tipologji ka përfaqësuesit e saj në Shqipëri (në terrenin letrar, flasim), por mbase, akoma jo zëra të fuqishëm. 

Një nga debatet që vazhdon më shumë prej më shumë se dy dekadash është mënyra sesi duhet ta lexojmë të shkuarën, qoftë edhe atë letrare. Ju si do ta komentonit debatet mbi letërsinë e soc-realizmit?

Të lexosh apo të rilexosh të kaluarën, është detyrim për secilin individ të ndërgjegjshëm. Për intelektualët është një condicio sine qua non. Dua të shmang qëndrime subjektive ndaj një letërsie që zotëroi skenën letrare shqiptare për 50 vjet, por duke u përpjekur ta shohë në parim çështjen, është një debat që, sipas meje, ka nevojë të strukturohet në parime të forta të kritikës shkencore letrare, dhe jo sipas “humoreve” individuale të cilat sjellin më shumë kaos se qartësi. Optika tejet politike që mbizotëron në gjykimin e fenomeneve sa shoqërore po aq edhe kulturore apo letrare në shoqërinë tonë, është dëmtues për një vlerësim objektiv e të thelluar të kësaj letërsie, e cila, volens nolens, ka qenë protagoniste për një gjysëm shekulli. As nihilizmi, e as idolatria, nuk kanë qenë e nuk do të jenë instrumentet e duhura në lëminë studimore. 

A ka një histori të gruas në letërsi? A mund të flasim sot për një histori krenare të femrave në fusha të ndryshme të jetës?

A ka një histori të gruas në letërsinë tonë? Sigurisht që, po. E madje, fort të lavdërueshme. Indikatori më i fuqishëm i këtij roli, është ai që sjell ndryshime në emancipimin e një shoqërie. Dhe emra të tillë e kanë populluar skenën letrare shqiptare e cila vazhdon të pasurohet gjithnjë e më shumë. Ndërsa skenat e tjera, si arsimi, ai “gëlon” nga prani femërore, por edhe ajo e biznesit ka njohur arritje të lavdërueshme, në një kohë që ajo politike ka mjaft për të thënë në këtë drejtim. Në këtë rast, mendoj se ndërhyn ndërgjegjësimi i vetë femrës për të qenë apo jo protagoniste e një skene të tillë. Jam e mendimit se perspektiva e afërt, por edhe e ardhshme, premton për mirë.

 

Diana Çuli: “Kanali i Musolinit”, një strategji e mirëmenduar e Kastratit për ta sjellë në shqip

“Është kënaqësi të flasësh mes përkthyesve, pasi e di punën në laboratorin tonë, se sa i vetmuar, i lodhshëm është, çfarë betejash kryhen aty në heshtje…Në këtë arsye mendoj se, Diana ka kaluar nga narracioni i Moravias, tek një autor krejtësisht tjetër që, ka një regjistër krejtësisht të ndryshëm nga stili, siç është Antonio Pennachi, një autor bashkëkohor, shumë energjik. Tani sapo ka dalë edhe pjesa e dytë e “Kanali Musolinit”, ku me të parin mori çmimin italian “Strega”.  Ky roman është një libër epik, një sagë familjare. Është përsëri koha e Musolinit, kur ai bën një eksod, një shpërngulje të masave veriore të popullisë, i çon poshtë në Lacio për të tharë kënetat. Në këtë sfond është jeta e personazhit. Mua më është dukur një sfidë, një arritje ndoshta që Moravia nuk i kishte, ku ai ishte tek mendimi, ashtu siç Pennachi është tek leksiku. Është një gjuhë gati eksperimentale. Ka një kolorit dialektal, të jashtëzakonshëm. Aty çdo njeri ka dialektin e vet. Ka versione linguistike që nuk janë vetëm dialekte. Këto të gjitha në një kompleksitet të gjuhës italiane, që vetë ajo është e vështirë në vetvete. Në këtë autor je në një kontekst bazik, dhe jo intelektual siç është tek Moravia. Unë kam menduar shumë se çfarë strategjie të mirëmenduar ka gjetur Diana, për ta sjellë në shqip, që gjithë ky italianitet, kompleksitet i italishtes së Pennachit dhe kohës së tij dialektale të vijë e të tingëllojë në shqip, e ta përballojë këtë peshë të gjuhë italiane, madje  më të sofistikuarën.

 

Preç Zogaj: Kanali i Musolinit, nëse nuk përkthehej mirë rrezikonte të mos lexohej.

Kanali Musolinit, përkthyer nga Diana, është një libër i veçantë që lexohet lehtë, rrjedh duke e lexuar, të rrëmben, nuk të mundon.  Për kohën që jetojmë është një roman i rrallë, që sjell llojin e sagës, që synon dhe arrin të bëjë përmes subjekteve dhe personazheve letrare një prerje tërthore të një historie që zgjat shumë vite, nga 50 deri në 70 vjet. Kjo është shumë e vështirë, e jashtëzakonshme. Pak a shumë është se sa na krijon historia ne, dhe sa e krijojnë historinë njerëzit. Duket se njerëzit e thjeshtë e krijojnë shumë pak historinë. Madje nuk arrijnë ta krijojnë, pasi ato pak a shumë janë viktima, janë subjekti vetë i historisë. Ky është një raport shumë i hollë, që kërkon mjeshtëri për ta dhënë, që kërkon njohje, dituri, përqendrim, përjetim. Nëse ne kthehemi në Shqipëri kjo temë nuk trajtohet dot. Tek ne as penat më të mira të letërsisë nuk kanë arritur ta trajtojnë historinë, pasi e trajtojnë me një mendje të prishur. Por këto janë tema që nuk munden të trajtohen me mendje të prishur ose me qarje të mendjes, siç thuhet për shkrimtarët e revolucionit francez. Pennachi tha se ka pritur gjithë jetën për ta shkruar këtë libër. Ky është vërtet një libër që nuk mund të shkruhet shpejt, pra Italisë i janë dashur dekada që të nxjerrë një shkrimtar që të sjellë këtë trajtim, sepse edhe atje mjedisi ka qenë shumë inkandeshent për të trajtuar këto tema, të raportit të njerëzve me kohën, regjimet, sistemet etj. Romani është shkruar pasi ka dekantuar për vite e vite, koha ka dekantuar disa të vërteta, raporte që duan kohën e tyre për të zënë vend. Ky roman kishte një rrezik; nëse nuk përkthehej mirë rrezikonte të mos lexohej. Ne kemi autorë të çertifikuar, me libra shumë të mirë që i ka shkatërruar përkthimi në shqip. Me Diana Kastratin kemi rastin e kundërt.”

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

100 shqiptarët më popullorë online

Studimi i Departamentit të Komunikimit të UET bën klasifikimin e 100 personave...
Read More