Dieta që parandalon bllokimin e arterieve dhe atakun kardiak

 

Nëse je në mbipeshë, me kolesterol dhe rrezikon të sëmuresh nga zemra, një dietë mesdhetare me vaj ulliri, arra, peshk e mish të bardhë, të ndihmon që pa u kursyer në shije, të jetosh më gjatë e më mirë.

Rreth 30 për qind e atakëve kardiakë, bllokimit të arterieve dhe vdekjeve nga sëmundjet e zemrës mund të parandalohen mes njerëzve me rrezik të lartë nëse ata kalojnë te dieta mesdhetare, e cila është e pasur me vaj ulliri, arra, groshë, peshk, fruta dhe zarzavate dhe madje edhe nëse pinë verë gjatë çdo vakti, zbuloi një studim i madh dhe rigoroz.

Zbulimet e publikuara në Gazetën e Mjekësisë së Anglisë së Re u bazuan në tentativën e parë madhore për të matur në kushte klinike efektet e dietës në sëmundjet e zemrës. Madhësia e efekteve të dietës i habiti ekspertët. Studimi u përfundua gati pesë vjet para afatit sepse rezultatet ishin kaq të qartë dhe u konsiderua joetike të vijohej më tutje.

Dieta ndihmoi ata që e ndiqnin, edhe nëse ata nuk humbën peshë dhe shumica e tyre sakaq po merrnin ilaçe për uljen e presionit të gjakut apo mbajtjen e diabetit nën kontroll për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

“Me të vërtetë mbresëlënës”, tha Rachel Johnson, profesor nutricionist në Universitetin e Vermontit dhe zëdhënës për Shoqatën Amerikane të Zemrës. Studiuesit nuk morën parasysh faktorë të tjerë të rrezikut si hipertensioni, pesha apo kolesteroli. Ata panë vetëm atakët kardiakë dhe vdekjet. Në fund të ditës, kjo është çfarë ka me të vërtetë rëndësi.

Deri tani, provat që të tregonin se dieta mesdhetare redukton rrezikun e sëmundjeve të zemrës qenë të dobëta, të bazuara më së shumti në të dhëna që tregonin se banorët e Mesdheut dukej se kishin norma më të ulëta të sëmundjeve të zemrës, një tipar që mund të interpretohej edhe me faktorë të tjerë përveç dietës.

Ndërsa disa ekspertë kanë qenë skeptikë për faktin që efekti i dietës mund të dallohet, në rast se ai në fund të fundit ekziston, për shkak se shumë më tepër njerëz sakaq po konsumojnë ilaçe të fuqishme për të reduktuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Ekspertë të tjerë nguronin të rekomandonin dietën mesdhetare për njerëzit që sakaq kishin probleme me peshën për shkak se vaji dhe arrat kanë shumë kalori.

Popujt e Mesdheut kanë jetëgjatësi më të madhe dhe më pak sëmundje zemre se sa popujt e veriut, ndonëse veriu është më i pasur dhe rrjedhimisht shpenzon më shumë për kujdes shëndetësor në pleqëri. Jetëgjatësia e mesdhetarëve pavarësisht nivelit më të ulët ekonomik është lidhur prej shumë kohësh me konsumin e vajit të ullirit, por deri më sot, kjo lidhje ka qenë më shumë një legjendë se sa një fakt shkencor.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vila e mbretit belg, Leopold II, vila më e shtrenjtë në botë..

  Një vilë me 14 dhoma gjumi ka dalë në shitje për...
Read More