Digjet banesa në Tepelenë, nëna kishte mbuluar foshnjen me trupin e saj

zjarri

Në katin e parë të pallatit ku banonte shtetasi G.Shehu ka rënë zjarr dhe për pasojë ka gjetur vdekjen gruaja e tij, Elona Shehu, 35 vjeçe, dhe djali 6-muajsh.

Paraprakisht dyshohet se shkak të ketë qenë rrjedhja e gazit nga bombola që përdorej për ngrohje në banesë. Për pasojë, ka pasur edhe shpërthim dhe gjithçka është shkrumbuar shumë shpejt. Ndonëse ndërhyrja e fqinjëve ka qenë e menjëhershme, askush nuk arriti të nxjerrë të gjallë nënë e bir, pasi flakët kanë përfshirë shumë shpejt banesën.

Zjarrfikëset mbërritën në vend pas sinjalizimit të dhënë, por lokalizimi i flakëve ishte tepër vonë, pasi 35-vjeçarja dhe foshnja e saj janë nxjerrë pa jetë.

“Ndodhi gjithçka shumë shpejt. Askush nuk arriti dot të hynte pasi flakët kishin përfshirë gjithçka. Kemi parë tmerr. Nuk e dimë cili mund të jetë shkaku, por kjo që ndodhi është një tragjedi shumë e rëndë për familjen. Ne dëgjuam një shpërthim, çka mund të ketë qenë bombola e gazit”, u shpreh një banor i pallatit. Sipas tij, shumë prej fqinjëve ishin përpjekur të shuanin me kova uji e me mjete të tjera rrethanore, por nuk ia kishin dalë dot të shpëtonin viktimat.

Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe Policia, e cila paraprakisht bëri të ditur se ka qenë rrjedhja e gazit ajo që shkaktoi këtë tragjedi në familjen Shehu. Zjarrfikësit kanë gjetur nënën 35-vjeçare të pajetë, e cila kishte mbuluar foshnjën e vet me trup me qëllim që flakët të mos depërtonin.

Sipas ekspertizës paraprake nga grupi hetimor i mbërritur në vendngjarje, bëhet e ditur se nëna ka dashur të shuajë flakët tek i biri i saj 6- muajsh rrobat e të cilit kishin marrë flakë. Në momentin e rënies së zjarrit, gruaja ka qenë e vetme në banesë së bashku me foshnjën e saj, ndërkohë që i shoqi së bashku me djalin tjetër 4-vjeçar nuk ndodheshin në banesë.

Shkruar Nga
More from Revista User

Greqi, arrestohet shqiptari që kishte fshehur hashash dhe fara kanabisi

Një shtetas shqiptar është arrestuar në zonën e Dramas, në pjesën lindore...
Read More