Dilemat për mosarrestimin e Balilit, provat kërkohen në Greqi



Klement baliliProkuroria e Krimeve të Rënda kërkon materiale shtesë, në lidhje me veprimtarinë kriminale të Klement Balilit. Përplasja në hedhjet polici-prokurori. Mediat dhe policia greke e konsiderojnë “Baron droge”, në Shqipëri Balili është i lirë.

I konsideruar nga media dhe policia greke si një nga baronët e drogës në Ballkan, Klement Balili vijon të jetë i lirë dhe institucionet tona në këtë rast janë të përplasura edhe me heshtjen.

Prokuroria e Krimeve të Rënda në janar të këtij viti ka nisur procedim penal për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike për Balilin.

Ditën e djeshme është nisur zyrtarisht nga ana e prokurorisë një letër-porosi për homologët greke, ku kërkohen që të marrin më shumë të dhëna në lidhje me veprimtarinë e dyshuar kriminale të Klement Balilit.

I dyshuari deri mëngjesin e djeshëm mbante postin e Drejtorit të Rrugëve në Sarandë, por u shkarkua nga detyra vetëm pas publikimit të emrit të tij.

Ndonëse në Greqi akuzohet si një ndër krerët e organizatës kriminale që merrej me trafikun e kanabisit, heroinës dhe kokainës, reagimi i prokurorisë dhe policisë shqiptare në këtë rast ka qenë mjaft i dyshimtë. Institucionet hetimore greke prej kohësh e kishin nën survejim, madje e konsiderojnë kreun e këtij rrjeti të përbërë nga shtetas grek dhe shqiptarë.

Por ndërsa emri i tij u publikua, policia ngriti supet, duke mos kryer arrestimin, por pritur që Prokuroria e Krimeve të Rënda të lëshonte urdhër-arrestin.

Kjo nuk ka ndodhur as ditën e djeshme, pasi sipas burimeve nuk mund të lëshojnë urdhër-arresti për një krim që është kryer në një tjetër shtet.

Në këtë rast, sipas tyre duhet që prokuroria greke të lëshojë urdhër-arresti ndërkombëtar dhe më pas të veprojë pala jonë.

Mësohet se prej disa kohësh, Balili, me lidhje të forta në politikë, mbahej nën përgjim.

Gjithsesi, materialet e përftuara nga institucionet tona nuk kanë qenë deri në kufijtë e dyshimit serioz për veprën penale të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe krijimit të grupit të strukturuar kriminal.

Por çfarë thonë raportet hetimore greke për Balilin?

“Të akuzuar për shkelje të ligjit N433/13 për lëndët narkotike, ligjit 187 të Kodit Penal të Organizatave Kriminale dhe të nenit 8 të Kodit Penal, Krimet e kryera në shtetin fqinj, janë tre persona ndër ta dhe Klement Balili, i biri i Sabaudinit dhe Nazes, lindur në 20.3.1972 në Shqipëri dhe banues në Sarandë, për shkeljet e mësipërme” –shkruhet në dokumentet e policisë greke.

Po sipas këtij raporti, për transportin e lëndës narkotike (kanabis të papërpunuar) nga Shqipëria në Greqi dhe Europën Lindore, Balili kishte rolin e sponsorit dhe të organizatorit dhe drejtonte transportin në sasi shumë të mëdha, me rrugë tokësore me kamionë të mëdhenj dhe nga deti me skafe.

“Krahu i tij i djathtë që merrej me transportin dhe magazinimin nga Greqia e tutje ishte Alifandi Georgio,” vijon më tej dokumenti.

Ndërsa dy bashkëpunëtorët e Klement Balilit nga policia greke dyshohet se janë Kleanth Palaj dhe Petro Dalanaj, edhe ata të shpallur në kërkim për të njëjtat akuza.

Do të mjaftonin këto të dhëna që për 44-vjeçarin, që deri dje mbante postin e Drejtorit të Transportit Rrugor në Sarandë, të merrej masa e ndalimit.

Duke qenë se prokuroria dhe policia në këtë rast nuk kanë vepruar, dje bashkë me kërkesën për dërgimin e dokumentacionit hetimor nga Greqia në shtetin fqinj ka shkuar edhe një oficer i policisë gjyqësore.

Ai pritet që të ketë kontakt me homologët grekë dhe pas mbërritjes së materialit zyrtar, nëse fqinjët e shpallin në kërkim ndërkombëtar, për Balilin mund të kryhet arrestimi.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, deklaroi dy ditë më parë se personi që përflitet nga mediat greke si “Escobari” i Ballkanit, është 44-vjeçari Balili dhe ka lidhje të forta me vëllezërit Habilaj, që janë edhe kushërinjtë e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Menjëherë sapo Ristani mbajti këtë qëndrim, reagoi edhe Policia e Shtetit.

“Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me policinë greke dhe DEA-n e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me policitë e disa vendeve të BE-së, janë duke kryer një ndër operacionet më të gjera kundër trafikimit të lëndëve narkotike në rajon dhe zonën e BE-së” -shprehen burime zyrtare të policisë.

Por pikëpyetja e madhe ngrihet se përderisa kanë bashkëpunuar në këtë rast dhe kanë të njëjtat informata me policinë greke përse nuk kanë vepruar për arrestimin e Balilit.

Ai në Sarandë njihet si biznesmen i njohur, ndërsa në vitin 2006 ishte arrestuar për trafik narkotikësh, por vetëm pak muaj më vonë prokuroria pushoi çështjen penale për mungesë provash.

loading...
Shkruar Nga
More from revista mapo

Kaloçi: Dokumentet janë autentike, mbaj përgjegjësi për to

Pas polemikave mbi librin me 101 dokumente “Kadare në Pallatin e Ëndrrave”,...
Read More