Diplomatët duhet ta shohin Shqipërinë si një korporatë

Nga Ervis Iljazaj

Edi Rama ka zhvilluar një takim më trupën diplomatike shqiptare në kudër të vazhdimit të aksionit të tij për të reformuar administratën shqiptare. Në një shoqëri globale ku jetojmë sot si dhe në gjeopolitikën që është gjithmonë me zhvillime të shpejta, diplomacia shqiptare kthehet në një nga pjesët më të rëndësishme të administratës shqiptare.

Tonet e Kryeministrit Rama, nuk ishin aspak normale për një takim të tillë, pasi gjuha e përdorur nuk është e denjë për t’iu drejtuar ambasadorëve tanë dhe për të përcaktuar linjë politike ndërkombëtare të Shqipërisë. Ndoshta, këto tone erdhën si pasojë e zhgënjimit të madh të Ramës në krahasim me pritshmëritë e tij. Me pak fjalë, Rama, me disa përjashtime të vogla ngeli në klasë gjithë aksionin politik të trupës diplomatike.

Përtej toneve dhe gjuhës së përdorur, shqetësimet e Ramës qëndrojnë. Shqipëria ka nevojë për një filozofi diplomatike të ndryshme. Ambasadorët tanë, kudo të shpërndarë nëpër Botë, duhet ta shohin Shqipërinë si një korporatë, e cila ka nevojë të përfaqësohet denjësisht dhe vetëm në interes të saj.

Roli i ambasadorëve tanë, i cili mjaftohet me takime dhe ceremoni formale që organizohet si pasojë e protokollove të paracaktuara dhe ku i vetmi funksion në to është vendosja e flamurit shqiptar, është një diplomaci që duhet të marrë fund.

Korporata Shqipëri ka nevojë për një aksion më aktiv në interes të zhvillimit të saj në një konkurrencë globale dhe të ashpër. Ambasadorët janë prezantimi i parë që vendet e huaja kanë me Shqipërinë. Në këtë kuptim ata janë marketuesit e parë të saj. Dhe ky është një mision i rëndësishëm. Duke filluar që nga formimi i tyre, kultura e tyre, e duke përfunduar tek aftësia e tyre për ta paraqitur atë me të gjithë potencialet e saj, është detyra kryesore e ambasadorëve shqiptarë.

Shpeshherë flitet për investimet e huaja në Shqipëri. Është normale që të tërheqësh investime të rëndësishme, ka nevojë për kushte ekonomike dhe politike të cilat duhet të plotësohen brenda Shqipërisë për të qenë sa më joshës për bizneset ndërkombëtare të rëndësishme, por një rol i rëndësishëm duhet të kryhet edhe nga përfaqësuesit tanë kudo në vendet europiane dhe përtej. Është vështirë të mendosh, se shumica e ambasadorëve tanë, kanë si fokus të tyre takimet apo lobimet me kompanitë e mëdha ndërkombëtare për t’i tërhequr ato në Shqipëri. Apo nëse vërtet janë të shqetësuar për të përmirësuar imazhin e Shqipërisë në sy të të huajve, i cili sjell të mira kulturore dhe ekonomike.

Të përfaqësosh Shqipërinë sot, shihen si një fund karriere dhe si një post ku mund të punosh pa stres dhe në qetësi, larg llogaridhënies ndaj qytetarëve. Shpeshherë posti i ambasadorit shërben si një qokë ndaj një miku apo një të afërmi. Një punë pra, që nuk kërkon sakrifica dhe mundime, por si një privilegj i rehatshëm dhe pa shumë kokëçarje.

Ndërkohë që logjika e përfaqësimit duhet të jetë totalisht e kundërt. Ketë kishte parasysh Rama, në takimin me ambasadorët.

Shqipëria nuk ka ndonjë peshë të rëndësishme në arenën ndërkombëtare dhe gjeopolitikën e saj. Vendimet e saj politike në politikën ndërkombëtare nuk mund të ndikojnë thelbësisht fatet e Europës apo të Botës. Në këtë kuptim ambasadorët tanë duhet ta shohin rolin e tyre, si agjentë marketingu dhe ekonomie të Shqipërisë. Vetëm me një funksion. Të ndikojnë sa më shumë të jetë e mundur për zhvillimin ekonomik të saj, duke e marketuar atë kulturalisht dhe potencialisht si një vend i cili ka të gjitha mundësitë për investimet e huaja, si dhe të promovojnë turizmin kulturor, malor e bregdetar të saj.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Drogë dhe armë në karburant, pranga biznesmenit dhe dy të tjerëve

  Një sasi droge është gjetur nga policia në një aksion të...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.