Diplomati izraelit në UET: Vota e Shqipërisë kundër, nuk e ka zemëruar Izraelin

Diplomati izraelit në takimin e klubit të librit me studentët e Universitetit Europian të Tiranës për raportet e Shqipërisë me Izraelin, si dhe diplomacia me vendet e rajonit

Yossi Avni-Levy, ish-ambasador i Izraelit në Serbi dhe Malin e Zi, është shprehur se vota e Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara kundër SHBA-së nuk i ka cenuar raportet mes Shqipërisë dhe Izraelit që vijojnë të jenë shumë të mira.

I ftuar në klubin e librit në një bisedë me Alda Bardhylin, në Universitetin Europian të Tiranës, Levy i cili është njëkohësisht dhe një prej autorëve më bashkëkohorë të Izraelit, tha se “Jerusalemi është kryeqyteti ynë e ne nuk duam që të tjerët të na tregojnë se kë duhet të kemi kryeqytet, por shpresojmë që ta pranojnë zgjedhjen tonë të njohur e nga SHBA. Çdokush mund të ndihej i zhgënjyer nga vota e Shqipërisë duke parë raportet tona historike por edhe të tashmet që vijojnë të jenë të konsiderueshme në të gjitha nivelet. Por ne e kuptojmë përpjekjen e Shqipërisë për t’u bërë pjesë e BE-së, e shpresojmë që në të ardhmen Tirana por dhe shumë vende të Europës ta votojnë këtë rezolutë. Por, nuk jemi të zemëruar, pasi Shqipëria vijon të jetë ndër vendet me të cilat Izraeli mban raporte të mira”.

Levy ka komentuar dhe fjalimin e kryeministrit Edi Rama në SHBA pak ditë më parë në konferencën vjetore të AIPAC, Komiteti i Çështjeve Publike Amerikano-Izraelite, duke thënë se ishte një fjalim mbresëlënës.

“Nuk njihem personalisht me kryeministrin Rama, por ai është një politikan që pëlqehet në Izrael. Unë kam shërbyer për një kohë të gjatë si diplomat në Serbi dhe do të veçoja kontributin që ai ka dhënë në raportet shqiptaro-serbe, shumë delikate në Ballkan. Marrëdhënia që ai krijoi me kryeministrin e asokohe Aleksandar Vuçiç, në një kohë tensioni ishte një model, duke e bërë atë një figurë të pëlqyeshme në politikën rajonale”.

Levi është një ndër përfaqësuesit më intrigues të letërsisë bashkëkohore izraelite. I lindur në Izrael më 1962-shin ai studioi Historinë e Lindjes së Mesme dhe Arabisë, në Hebrew University of Jerusalem, më pas u diplomua dhe për Drejtësi.

“Kam qenë një ndër juristët më të dobët”, iu drejtua ai studentëve, duke treguar se diplomacia ishte një profesion që e kishte ndjerë herët si rrugën e tij. Pasi kreu shërbimin e rregullt ushtarak në Forcat Mbrojtëse të Izraelit, ai nisi të punonte në shërbime të ndryshme diplomatike si Berlin, Bon, Varshavë dhe Beograd. Në Beograd ka shërbyer në dy periudha, së pari prej 1999 deri 2001 si diplomat rishtar ndërsa më 2011 u emërua ambasador i Izraelit në Serbi dhe Malin e Zi.

Ai është autor i pesë librave të cilët karakterizohen nga ndjeshmëria e thellë, poetika e veçantë dhe përshkrimet e gjalla të familjes izraelite që rrjedh nga Lindja. Libri i tij i parë Bahçja e trungjeve të vdekura, botuar më 1995 është përmbledhje me tregime që ka ngjallur reagime të bujshme.

Romanin e parë me titull “Teto Faruma megjithatë nuk ka qenë lavire” e ka shkruar gjatë qëndrimit në Beograd. Disa nga librat e tij janë përkthyer në disa gjuhë europiane, madje sipas tyre janë bërë edhe skenarë të filmave. Ai është fitues i çmimit “Çmimi letrar i kryeministrit” për vitin 2007. Në shqip është përkthyer libri i tij “Njeriu pa hije”.

Levy nuk e ka fshehur asnjëherë homoseksualitetin e tij. Ai tregoi në klubin e librit se pikërisht të qenit ndryshe, bëri të mbyllej më shumë në vete dhe të niste të shkruante. Shënimet e para i ka shkruar kur ishte ushtar.

“Kur isha ushtar nisa të shkruaja histori të shkurtra. E kuptoni, jetoja në një vend maskilist si Izraeli, dhe heronjtë që unë kisha ishin të tjerë nga ata që shoqëria më ofronte… një djalë normal do duhej të mbaronte ushtrinë, fakultetin, të niste një punë e më pas të martohej e të bënte katër fëmijë. Të shkonte çdo të diel të takonte prindërit… Por unë e ndieja që nuk isha i tillë. Fillova të shkruaja për ëndrrat për të qenë i lumtur për atë që vërtet isha…”, tregoi Levy.

Një shoqe do të lexonte shkrimet e tij të para duke i sugjeruar t’i çonte për botim. E ashtu bëri, i mori i futi në zarf dhe i dërgoi në një gazetë letrare. Më pas erdhi botimi i parë, për të mos u ndarë kurrë prej shkrimit.

“Është e vështirë të shkruash kur je në diplomaci, pasi diplomatët duhet të jenë të kujdesshëm në qëndrimet e tyre publike. Por unë kam zgjedhur të flas përmes personazheve të mi, të bëj përmes tyre kritikat që ndoshta s’mund t’i bëj nën kostumin e diplomatit”, -tha ai.

“Por unë jam një patriot i madh, dhe e dua vendin tim Izraelin”.

I pyetur mbi zgjedhjet e titujve të tij të ndjeshëm Levy tha se kjo i vjen natyrshëm ndoshta se brenda tij ndihet pak poet.

“Dua të dëgjoj muzikën brenda një vargu. E kur e dëgjoj muzikën atëherë ky është titulli”, -tha ai.

Sot Levy bashkë me partnerin e tij janë prindër të dy fëmijëve, një djali dhe një vajze, dhe kanë arritur të sfidojnë mentalitetin dhe pse në Izrael ka shumë familje të tilla. Duket që diplomacia nuk do kalojë pa qenë pjesë e letërsisë së Levit.

Libri që po shkruan tani ka për subjekt historinë e një ambasadoreje izraelite në Beograd, e cila në moshën 50-vjeçare bie në dashuri me Markon, një serb të pashëm sa gjysma e moshës së saj. Por a është kjo dashuri? Fundi i kësaj historie duket se është një histori e njohur në kanalet diplomatike, “ku asgjë nuk ndodh rastësisht”, dhe ku dashuria nuk mund të ekzistojë…

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

RIP Veçantisë Amerikane, 1776-2018

Marrëdhëniet e Donald Trump me Rusinë shënojnë një kthesë të paprecedentë në...
Read More