Direkt apo indirekt?!

Nga Holta Heba*

Individi që komunikon me stil direkt kërkon të japë dhe të marrë informacion me bashkëbiseduesin e duhur, i cili komunikon kuptueshmërisht mirë. Nuk është rasti kur individi duhet të mendojë për një stil komunikimi të veçantë, ku duhet të dalë sa më i saktë apo i duhet të ruajë një etikë të një niveli sa më të lartë. Komunikimi direkt është tepër i lehtë dhe njeriu nuk ndihet aspak në siklet nëse po gjen gjuhën e volitshme verbale apo joverbale. Në këtë komunikim emocioni apo stresi është në nivelin zero. Thuhen mendime dhe ide të drejtpërdrejta. Ruhet po i njëjti intonacion. Nuk ka merakosje nëse po përdoren fjalët e duhura. Nuk merret parasysh statusi i individit që ndodhet përballë. Ritmi i të folurit mund të ngadalësohet apo të përshpejtohet. Kur flasim për stilin direkt të komunikimit, është e qartë se këtu hyn në punë sinqeriteti i të thënit të gjërave. E parë si politikë e mirë e të komunikuarit troç, sigurisht që është e shumëpërdorur, por jo gjithmonë është efikase në kontekste të ndryshme. Të jesh direkt në atë që thua apo që bën është element shumë i rëndësishëm i formimit të qenies njerëzore, megjithatë jo në pak raste stili direkt apo stili troç të ndihmon të arrish atë që do. Jo në pak raste të nxjerr zbuluar në atë që mendon apo në përshtypjen që ke për një tjetër të ndryshëm nga ty në formim dhe bindje.

Si mund t’ia thuash troç një individi që nuk e duron dot se ai/ajo duhet të të qëndrojë larg për të mirën tënde dhe të tijin/ sajën? Ose më bukur akoma: si mund t’i thuash troç një individi që e do shumë se ai/ajo duhet të të rrijë sa më pranë për të mirën e të dyve. Në shumë raste kur komunikojmë direkt, pa u merakosur për feedback-un e bashkëbiseduesit, risku për të mos arritur atë që duam nuk është i vogël. Stili i të komunikuarit direkt është i ngjizur në karakter dhe në shumë kontekste është i nevojshëm, por nuk janë të pakta rastet kur shkakton keqkuptime. Shpesh dëgjojmë të thuhet: Ai politikan më pëlqen sepse është direkt dhe i thotë gjërat troç. Por jo në pak raste ky politikani që i thotë gjërat troç është marrë si individ me bagazh të ulët vetëm se s’ka menduar për zbukurimin e mesazhit që ka përcjellë në mënyrë direkte. Dhe ndoshta pa dashje, apo me qëllim me këtë stil komunikimi direkt dhe të sinqertë nuk ka fituar dot harmoninë e kërkuar. Duke mos qenë në sinkron me kërkesën e palës dëgjuese, e cila mund të jetë mësuar t’iu thuhen gjërat në formë indirekte, rreziku për të mos dalë faqebardhë është i papërjashtuar.

Gjithsesi, ekzistojnë shumë kontekste ku gjërat nuk mund të thuhen troç dhe përdorimi i stilit direkt nuk është i duhuri. Jo në pak raste individi ndihet në siklet kur jep informacion apo kur sqaron një situatë problematike. Në këtë moment ai është tepër i merakosur për gjetjen e fjalëve të duhura dhe bindëse dhe sinqeriteti është një element që nuk hyn në punë. I duhet të zbukurojë situatën dhe të ndjekë në çdo kohë reagimin e bashkëbiseduesit pas çdo fjale që përdor.

Duhet të dalë besueshëm dhe bukur para dëgjuesit të tij, prandaj duhet të mendojë dy herë për atë që do thotë. Duhet të ketë një etikë të përsosur në komunikim verbal dhe joverbal në mënyrë që të dalë sa më mirë para dëgjuesit. Emocioni dhe stresi për të qenë sa më i suksesshëm në komunikimin indirekt ngjitet mbi nivelin zero dhe më lart. Është pikërisht momenti ku nuk mund të thuhen të gjitha gjërat në formë të drejtpërdrejtë, pasi në varësi të shkallës së problemit apo formimit të dëgjuesit situata mund të përkeqësohet.

Ç’të bëjë njeriu i shkretë për të qenë social dhe i besueshëm?! Të komunikojë direkt dhe t’i thotë gjërat troç apo indirekt, duke e mirërealizuar mendimin para se ta shprehë për të shmangur feedback negativ?!

*pedagoge, UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Forumet UET/ Sokol Balla: Populizmi dhe reformizmi te Nano, Berisha e Rama

Drejtori i Informacionit në Top Channel dhe drejtuesi i emisionit “Top Story”,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.