Disa ide interesante nga fushata ‘american style’ e Eduard Selamit

Nga Ervis Iljazaj

Vërtet nuk është favorit në këtë garë, për shkak të kontekstit dhe fizionomisë që është ndërtuar brenda Partisë Demokratike, por në fakt, idetë e tij që i shpalos çdo ditë janë interesante për të animuar debatin dhe për të krijuar një pol mendimi alternativ në të ardhmen, i cili nuk ka çmim për kulturën politike të Partisë Demokratike dhe të djathtës shqiptare. Sido që të jetë rezultati i kësaj gare, padyshim që një politikan i tillë duhet të konsiderohet aset për Partinë Demokratike.

Eduard Selami është i vetmi kundërshtar zyrtar i Lulzim Bashës në garën brenda Partisë Demokratike , i cili po zhvillon një betejë me anë të ideve për organizimin dhe politikat e asaj partie në mënyrë të shëndetshme ashtu siç do të ishte normale çdo garë e brendshme për çdo parti politike.

Edhe pse Selami pati shumë kritika ndaj mënyrës se si po zhvillohet kjo garë, ai hyri brenda saj duke u munduar t’i trajtojë ato nëpërmjet takimeve që po zhvillon me anëtarësinë, duke mos iu shmangur betejës, por duke luftuar me të gjitha mjetet e mundshme që ka në dorë. Një sjellje politikisht korrekt, që duhet ta ketë zili çdo politikan që ka aspirata të tilla.

Fushata e tij në një stilit të qetë dhe pothuajse naif për kontekstin politik agresiv shqiptar është tërësisht thelbësore dhe aspak formale. Qëndrimet e tij janë tërësisht të kundërta nga rivali Lulzim Basha dhe të forta politikisht, duke krijuar kështu një profil politikani me vizion të qartë.

Pikë së pari, Selami ka dalë hapur kundër bashkëqeverisjes me Partinë Socialiste, e cila po qarkullon si ide në ditën e fundit. Jo vetëm kaq, por kërkon dhe tërheqjen e ministrave teknikë që në të vërtetë nuk kanë asnjë logjikë politike për të qëndruar ende pas mbarimit të zgjedhjeve. Duke kërkuar në këtë mënyrë forcimin e identitetit të Partisë Demokratike dhe jo shkrirjen e saj brenda një qeverie të madhe.

Pikë së dyti, gjithashtu, ka deklaruar hapur se nuk dëshiron të bëjë aleancë politike me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një qëndrim i cili ka si synim qartësimin e identitetit të djathtë të Partisë Demokratike si më e rëndësishme se sa marrja thjesht e pushtetit politik.

Pikë së treti, në këtë drejtim, Selami ka dalë kundër shumë politikave ekonomike të Bashës. Ka kritikuar kontradiktën ideologjike ndërmjet taksave të ulëta dhe shpenzimeve sociale të larta që premtonte Basha gjatë fushatës elektorale. Në këtë mënyrë flamuri i tij politik ngulet dukshëm te besimi ndaj iniciativës së lirë ekonomike dhe shtetit të vogël.

Pikë së katërti, për sa i përket organizmit partiak, Selami ka propozuar ndryshime thelbësore në Statutin e Partisë Demokratike nëse fiton garën për drejtimin e saj. Duke filluar që nga norma statutore kaq shumë e diskutuar që flet për dorëheqjen e Kryetarit nëse humbet zgjedhjet dhe pamundësinë për konkurrimin për herë të dytë, e deri te vlerësimi i rivalëve politikë dhe përfshirjen e tyre si bashkëpunëtorë më të ngushtë dhe jo konsiderimin e tyre si armiq të brendshëm.

Të gjitha këto ide dhe qëndrime politike, e bëjnë Selamin një kandidat që i ka dhënë dinjitetin e duhur garës brenda Partisë Demokratike. Një kandidat i cili është një vlerë e shtuar e Partisë Demokratike dhe mendimit politik të djathtë. Ndryshe nga shumë të tjerë që rebelohen për interesa dhe qejfmbetje personale dhe që në të vërtetë nuk përfaqësojnë asnjë kulturë apo vlerë politike të caktuar. CHAPEAU!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sezoni: Përfitimet nga frutat dhe perimet e gushtit

Pothuajse të gjithë frutat dhe perimet e kësaj stine kanë përmbajtje shumë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *