Disa shtylla kombëtare për një rishpërndarje të balancuar demografike

Nga Gentian Kaprata

– Memo Sovranit

Përveç ndërtimit të ndonjë dogane të re brenda territorit Shtetëror, qeveria jonë qendrore ka pesë vjet që nuk kryen asnjë funksion të nivelit kombëtar të qeverisjes territoriale. Kryeministri është vetëkonvertuar në një Kryebashkiak të Republikës dhe udhëheq vendin nëpërmjet disa drejtorëve qendror (ministra) dhe disa të tjerëve lokalë (kryebashkiakë). Ndërkohë vendi i është nënshtruar braktisjes totale nga shtetasit që shkojnë në perëndim; territoret periferike po shpopullohen me shpejtësi nga qytetarët që vijnë të jetojnë në Durasanë; dhe shoqëria shqiptare po pëson plakjen më të shpejtë, edhe se në kohëra luftërash të përgjakshme, si pasojë e nivelit të ulët të lindjeve.

Kjo është Shqipëria e sotme, që edhe pas 25 vjetësh nuk po arrin dot të krijojë modele politike, ekonomike, sociale e kulturore që ta drejtojnë drejt një mirëqenie minimale për shtetasit e saj. Modele pa të cilat nuk mund të ëndërrojmë asgjë ndryshe nga ajo që kemi, por edhe të pamundura të zhvillohen nëse nuk e nisim me një model të ri të zhvillimit territorial të Atdheut. Mirëpo, pakkush nga elita intelektuale e vendit dhe askush nga mbajtësit e pushtetit politik në vend, po e kupton këtë gjë. Qeveria jonë qendrore spostohet nga qendrat e qyteteve në ato të fshatrave, pa e kuptuar sesa shumë ka në dorë për ta ndryshuar këtë realitet që po vret të sotmen dhe të ardhmen.

Në këtë shkrim modest të opinionit do flasim për çfarë mund të bënte një qeveri e përgjegjshme kombëtare për të penguar shtrirjen e këtyre tre metastazave që po mbysin kombin e po shkretojnë atdheun. Një qeveri e tillë duhet ta niste me një qëndrim të qartë e të fortë politik për një rishpërndarje të balancuar të popullsisë nëpër territorin kombëtar. Plane, programe, projekte dhe normativa të përgjithshme, ndërsektoriale dhe sektoriale kombëtare duhet ta materializonin këtë qëndrim politik gjithëpërfshirës. Instrumentet kombëtare territoriale duhet të detajoheshin deri në përcaktimin e një fashe numerike të popullsisë së detyruar për çdo njësi të qeverisjes vendore.

Pas kësaj kornize të qartë të politikave kombëtare, detyruese dhe/ose orientuese për njësitë e qeverisjes vendore, një qeverisje e përgjegjshme kombëtare duhet të ndërmerrte procese të forta decentralizimi të funksioneve qeverisëse. Në mënyrë të veçantë decentralizim fiskal, i cili t’i mundësonte administrative lokale të ndërmerrnin procese gjithëpërfshirëse të ringritjes politike, ekonomike, sociale e kulturore të qytetit. Do ishte kjo qasje decentralizuese që do krijonte parakushtin që njësitë e qeverisjes vendore, mbështetur në specifikat gjeografike dhe kulturore të tyre, të hynin në konkurrencë me njëra-tjetrën për të tërhequr sa më shumë biznese dhe qytetarë.

Një qeverisje qendrore e përgjegjshme ndaj përgjegjësive qeverisëse që ka marrë përsipër duhet t’i jepte një theks të veçantë rrjetit të transportit kombëtar. Mungesa e një rrjeti rrugor që lejonte transit të shpejtë e të sigurt ishte një nga arsyet bazike pse banorët e zonave të thella dhe periferike të Atdheut imigruan në zonat qendrore dhe perëndimore të tij, në fillim të viteve ’90. Të izoluar në vendbanimet e tyre si pasojë e mungesës së akseve kombëtare, banorët e zonave të thella ishin shumë të justifikuar t’i braktisnin vendbanimet e të parëve. Mirëpo, pas pothuaj 30 vjetësh është plotësisht e pakuptueshme që këta qytetarë përplasen me të njëjtat barriera.

Një arsye po kaq themelore që stimuloi imigracionin në fillim vitet ’90, si produkt i prishjes së balancave të vendosura nga regjimi i mëparshëm që kishte rënë, ishte edhe mungesa e ofrimit të dy shërbimeve themelore publike, siç janë shëndetësia dhe arsimi. Të çliruar nga shtrëngimi shumë mjek dhe arsimtar të “hedhur” në zonat e thella u larguan drejt vendlindjeve të tyre. Pas tre dekadash, një qeveri e përgjegjshme qendrore në koherencë me mekanizmat e tregut të lirë duhet të gjej mënyrat ta rimbushi këtë zbrazëtirë. Jo vetëm eksperiencat e vendeve perëndimore, por edhe praktikat shqiptare të kohës së mbretërisë mund të na orientojnë drejt një ekuilibri të ri.

Një qeveri e përgjegjshme mund të bëjë shumë për balancimin e popullsisë nëpër territorin kombëtar edhe nëpërmjet orientimit të investimeve private. Kapitalet e lira kanë vetëm tri nevoja themelore për t’u investuar: lëndë të para; tregje dhe burimet njerëzore. Në një vend si Shqipëria ku ekonomia prodhuese është akoma në faza foshnjore, lëndët e para dhe tregjet për prodhimet vendase nuk mungojnë. Ndërsa, burimet njerëzore janë nyja lidhëse midis investimit dhe mungesës së vendeve të punës që detyron braktisje vendbanimesh. Asgjë nuk mungon, përveçse një qeverisje qendrore e përgjegjshme që i përkushtohet atyre detyrave për të cilat është votuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zëvendësministrat nga sektori privat, avantazh i qeverisë Rama dy

Nga Ervis Iljazaj Edi Rama ka bërë publik emrat e zëvendësministrave qe...
Read More