Disiplina dhe kontrolli

Nga Klementin Mile

Revista Mapo

Rendi lidhet shpesh me idetë e disiplinës, rregullimit dhe autoritetit. Në këtë kuptim, rendi implikon kontrollin social të imponuar ‘nga lart’. Rendi social duhet të imponohet sepse nuk ndodh natyrshëm. Të gjitha nocionet e rendit bazohen në një konceptim të prishjes së rendit dhe të forcave që e shkaktojnë atë. Çfarë e shkakton kriminalitetin, vandalizmin dhe trazirat sociale? Ata që besojnë se rendi është i pamundur pa ushtruar kontroll ose disiplinë i gjejnë rrënjët e prishjes së rendit tek individi. Me fjalë të tjera, njerëzit kanë lindur të korruptuar dhe po të mos kufizohet ose kontrollohen do të sillen në mënyrë antisociale dhe të pacivilizuar.

Konceptimi konservator tradicional i rendit është influencuar thellësisht nga kjo pikëpamje pesimiste për natyrën njerëzore. Për shembull, konservatorët në mënyrë tipike nuk e kanë lidhur krimin me varfërinë ose privimin social. Sipas tyre krimi nuk është gjë tjetër përveçse një fenomen individual që reflekton korrupsionin moral të çdo njeriu. Pra, krimineli është një person ‘i keq’ dhe meriton të trajtohet si i tillë. Kjo është arsyeja pse konservatorët priren të shohin një lidhje të domosdoshme ndërmjet rendit dhe të drejtës. Rendi publik është i pamendueshëm pa sigurimin e zbatimit të ligjeve. Kështu, konservatorët janë shpesh në ballë të fushatave për forcimin e pushteteve të policisë dhe bëjnë thirrje për dënime më të ashpra për kriminelët dhe vandalët.

Por analiza konservatore shkon më tej. Sipas tyre nuk janë vetëm njerëzit të korruptuar, por edhe vetë rendi social dhe civilizimi ynë është i brishtë. Ky konkluzion rrjedh nga portretizimi që konservatorët i bëjnë shoqërisë si ‘organike’, si një entitet i gjallë brenda të cilit çdo element është i lidhur në një balancë delikate me çdo element tjetër. ‘E tëra sociale’ është kështu më shumë se shuma e pjesëve individuale dhe nëse dëmtohet ndonjëra nga pjesët, e tëra gjendet e kërcënuar. Në veçanti, konservatorët kanë theksuar se shoqëria mbahet e bashkuar nga ruajtja e institucioneve tradicionale si familja dhe nga respekti për kulturën e konsoliduar, të bazuar në fe, traditë dhe zakone. Nga ky këndvështrim, e drejta nuk shihet vetëm si një mënyrë për të ruajtur rendin, por edhe si një mjet për të ruajtur vlerat tradicionale dhe besimet e konsoliduara. Prandaj konservatorët janë zakonisht të mendimit se funksioni i duhur i së drejtës është ‘të mësojë moralitetin’.

Së fundi, rendi është mbrojtur edhe me argumente psikologjike. Kjo pikëpamje thekson se njerëzit janë të kufizuar dhe psikologjikisht të pasigurt. Mbi të gjitha, njerëzit kërkojnë siguri. Ata tërhiqen natyrshëm nga familjarja, e njohura, tradicionalja. Për rrjedhojë rendi është ndoshta nevoja njerëzore më jetësore. Kjo implikon se njerëzit i largohen së resë dhe së panjohurës. Në këtë mënyrë p.sh., Edmund Burke e paraqiste paragjykimin ndaj njerëzve të ndryshëm nga ne si të natyrshëm dhe me përfitim, duke argumentuar se paragjykimi u jep individëve një sens sigurie dhe identiteti social. Por kjo pikëpamje ka implikime shumë radikale për ruajtjen e rendit. Për shembull kjo mund të jetë në kundërshtim të plotë me karakterin multikulturor të shumë shoqërive bashkëkohore, duke sugjeruar se prishja e rendit dhe pasiguria janë mundësi që u kërcënohen gjithmonë këtyre shoqërive. Rrjedhimisht, disa konservatorë e kanë kundërshtuar imigrimin e pakontrolluar ose kanë kërkuar që emigrantët të nxiten për t’u asimiluar në kulturën e vendit pritës.

Pedagog në UET

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A mund të konsiderohet reformë ajo e ujit?

Nga Ervis Iljazaj Që Edi Rama ka një sens paternalist ndaj shoqërisë...
Read More