Diskutimi për sistemin zgjedhor duhet të fillojë që tani

Nga Ervis Iljazaj

Mazhoranca dhe opozita në këtë fillim sesioni parlamentar, duket më larg se asnjëherë. Pas marrëveshjes së 17 majit për të përgatitur procesin zgjedhor dhe një klime të re politike e cila dukej se do të vazhdonte edhe pas 25 qershorit, Partia Demokratike dhe kryetari i saj kanë ndryshuar kursin politik.

Një nga aspektet kryesore që Edi Rama ka theksuar këto ditët e para të Parlamentit është bashkëpunimi me opozitë, por me sa duket është një bashkëpunim që do të jetë i vështirë.

Basha ka një lloj kompleksi apo një stepje në këtë drejtim. Shumë prej kritikëve të tij apo zërat radikal brenda Partisë Demokratike, e akuzuan atë si një nga fajtorët  kryesor për humbjen e thellë të saj  për shkak të marrëveshjes me Ramën.

Për këtë arsye ai ka ndryshuar politikën e tij në një retorikë agresive që në seancat e para parlamentare.

Mirëpo, vendi ka nevojë për aprovimin e reformave thelbësore, siç është ajo e sistemit zgjedhor, që kërkon bashkëpunimit e të dyja palëve.

Reforma e sistemit zgjedhor duhet të fillojë të futet ne diskutimet politike dhe publike që tani, për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë problematikat e sistemit politik dhe të fenomeneve negative që shoqërojnë procesin zgjedhor.

Nëse do të lihet për momentet e fundit të legjislaturës si zakonisht, atëherë do të përdorej si një strategji e mirëfilltë politike në interes të atyre që e kanë si mjet shkëmbimi në marrëveshjet politike.

Ndërkohë që, sistemi zgjedhor është  një nga ligjet më të rëndësishme të demokracisë dhe, ka nevojë për një diskutim të gjatë dhe gjithëpërfshirës.  Jo vetëm se është një nga instrumentat direkt të demokracisë, por ndikon në mënyrë të drejt për drejt në sistemin politik dhe në mënyrën e qeverisjes.

Është e qartë që sistemi aktual , është një sistem që ka dështuar për shumë arsye. Pikë së pari, ka deformuar raportin midis zgjedhësve, vendimmarrjes dhe përfaqësimit. Pikë së dyti, me këtë sistem, Parlamenti shqiptarë është kthyer në një organ ratifikues të qeverisë, pasi pothuajse pjesa më e madhe e deputetëve emërohen nga kryetarët e partisë dhe nuk zgjidhen nga populli. Pikë së treti, është një sistem i cili  u ndryshua në 2008 nga mazhoritar në proporcional , pikërisht  për eliminimin e të “fortëve të zonës”. Ky sistem jo vetëm që nuk e eliminoi këtë fenomen, por përkundrazi, e shtoi ndjeshëm atë. Shpeshherë “të fortët e zonës” fshihen në listat elektorale dhe bashkohen në mënyrë të turbullt bashkë me emra të nderuar të politikës shqiptare. Nëse partitë kanë ndërmend të vazhdojnë me këtë fenomen, të paktën ta bëjnë hapur, me emër dhe mbiemër për persona të caktuar, por, edhe përgjegjësia do jetë më e madhe.

Modelet e sistemit zgjedhor janë të shumta. Efektet që ka njëri apo tjetri model lidhen ngushtë me situatën politike dhe shoqërore të momentit.  Një sistem zgjedhor mazhoritar i pastër do të shkonte në favor të normalizimit të situatës politike të vendit, duke krijuar një treg politik të qartë , një qeveri të qëndrueshme , si dhe një forcim të rolit të parlamentit, sepse deputetët nuk do të japin më llogari vetëm para kryetarit të tyre, por edhe para elektoratit që do ti zgjedh në mënyrë direkte.

A do t’i zgjidhte sistemi zgjedhor mazhoritar të gjitha problemet   politike  me të cilat përballemi sot? Patjetër që jo, por është një tentativë për të minimizuar efektet negative të cilat vijnë nga sistemi zgjedhor që kemi aktualisht. Për t’i zgjidhur plotësisht ato, duhen marrë masa për çështje të tjera. Si për shembull, financimi i partive politike, demokracia e brendshme e partive apo kultura dhe vullneti politik të cilin nuk ka sistem zgjedhor që mund ta mposhti. Por, këto janë çështje që duhen diskutuar, dhe diskutuar që tani. Nëse nuk fillon një orë e më parë diskutimi dhe bashkëpunimi për reformën zgjedhore do të vazhdojmë ende me të njëjtat histori që kemi dëgjuar këto 27 vite.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kërpudhat: 5 racione në ditë kundër Alzheimerit

Në studimin e zhvilluar nga profesorët e Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë, rezulton...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.