Dita Europiane e Viktimave/ Në Muze ekspozohet bluza e qëndisur e Sabiha Kasimatit

Tri ekspoze modeste prej xhami janë vendosur dje në hollin e Muzeut Historik Kombëtar në shenjë të Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Nazizmit dhe Stalinizmit. Dy prej tyre me histori shqiptare të persekutimit komunist, dhe tjetra i përkiste terrorit nazist.

Në simbol të kësaj dite në vitrinën shqiptare është vendosur një bluzë e qëndisur nga duart e Sabiha Kasimatit, ku të bënte përshtypje pantallonat e arnuara të të internuarit Gjon Vutnikaj, të arnuara me flokët e nënës së tij; tjetër veshje ruajnë ende njollat e gjakut të të rinjve që dëshmojnë ngjarjet e fundit të regjimit komunist, vrasjet në kufi në vitin ’90, nga sigurimi i shtetit.

Ndërsa më tej vitrinë “naziste” që janë veshje të shpuara nga plumbat e masakrës gjermane të Borovës në vitin 1943, ku nazistët gjermanë i mblodhën në një shtëpi e i pushkatuan pothuajse të gjithë burrat e djemtë e këtij fshati.

Në një konferencë që iu referua Ditës Europiane të Viktimave, drejtori i muzeut kombëtar, Dorian Koçi, tha se, duhet të sjellim debat të hapur për të parë të shkuarën pa komplekse.

Ndërsa Gentiana Sulaj, kryetarja e autoritetit të dosjeve, shpjegoi më tej se procesi i deklasifikimit i ka bërë dosjet më të hapura, por do të ketë edhe rezervime për to, që sipas saj lidhen me sigurinë kombëtare.

“Ligji ynë është ligj transparence. Midis shumë parimeve të tjera të ligjit është edhe siguria kombëtare. Ne e marrim parasysh pasi jemi institucion kolegjial. I vlerësojmë rastet rast pas rasti. Deri tani nuk kemi pasur raste që të jetë refuzuar deklasifikimi”,- u shpreh kryetarja e autoritetit të dosjeve, Gentiana Sulaj.

Konferencën e përshëndeti edhe ambasadorja e Gjermanisë, Suzan Shyt, e cila rikujtoi procesin e vështirë të hapjes së dosjeve të Stassit në Gjermani. Shyt tha se Shqipëria është pak e vonuar në procesin e hapjes së dosjeve.

 

Shkruar Nga
More from Redaksia

Të çlirojmë të ardhmen nga e shkuara dhe të shkuarën nga e ardhmja

Gjithçka e trishtë është histori, është ngjarje. Ëndërroj një kujtesë pa ngjarje,...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.