Ditar në frëngjisht i Vilson Blloshmit: Si të jetosh, kur duke qenë zjarr, ke fqinj barutin

 

Poeti Sadik Bejko, studiuesi i vetëm dhe i afërt i poetit të pushkatuar në diktaturë, Vilson Blloshmit, sjell nga dosja hetimore e tij, sipas variantit të përkthyer nga hetuesia, ditarin në frengjisht të Blloshmit, ku poeti në këtë “dialog” nuk heq dorë nga mendimi “për jetën” kur përgjigjet: Jeta në fakt nuk është humnerë… por, po të thellohesh shumë e shumë, nuk arrin dot të përcaktosh mendime të sakta për jetën.

Poeti Sadik Bejko, studiuesi i vetëm dhe i afërt i poetit të pushkatuar në dikaturë, Vilson Blloshmit sjell nga dosja e tij hetimore, sipas variantit të përkthyer nga hetuesia, ditarin në frengjisht të Blloshmit, ku poeti në këtë “dialog” nuk heq dorë nga mendimi “për jetën” kur përgjigjet: Jeta në fakt nuk është humnerë… por, po të thellohesh shumë e shumë, nuk arrin dot të përcaktosh mendime të sakta për jetën.

Bejko shton edhe këtë shënim për Vilsonin se “Në hetuesi atë e pyesin për këtë ditar.Ja disa nga pyetjet sipas procesverbaleve: Ç’ke dashur të thuash që jeta është humnerë? Ai përgjigjet: Jeta në fakt nuk është humnerë… por, po të thellohesh shumë e shumë, nuk arrin dot të përcaktosh mendime të sakta për jetën. E pyesin dhe për një shprehje gjetur në një shënim. Ç’ke dashur të thuash me: “Si të jetosh, kur duke qenë zjarr, ke fqinj barutin”. Vilson Blloshmi përgjigjet: Me këtë kam dashur të them se duhet të jesh i shkathët në vuajtje.”

Ditari (mars – gusht 1974)

Sipas variantit të përkthyer nga hetuesia, marrë nga dosja hetimore.

11 mars 1974 – Shkova me tren në Korçë. Fjetëm në Pogradec. U takova me mikun tim të vjetër, Ladin.

16 mars – Takim me miq në Qukës. Shëtita me… mbi hekurudhë deri te tri urat. Pastaj vetëm si gjithmonë. Udhëtova për Bërzeshtë me mikun tim të vjetër Qela Poçin. Prita shokun tim për disa gjëra tek xhamia. Natë.

17 mars- Elbasan. Gjithmonë e njëjta gjë. Pashë “Cromuell”, film franko-italian.

19 mars- Kthimi për shtëpi… Shpesh urrejmë, se duam nga mëshira.

21 mars – Punova në mal me Esherefin (xhaxha i V B.). Premë lëndë për dysheme.

22 mars – Isha në Qukës. Udhëtova me “atë” deri te tri urat.

3 prill – Librazhd. Raport mjekësor për të punuar nëntokë (shqip). Unë tani e di se njeriu fiton, kur humbet (frëngjisht).

7 prill – Stravaj. Shkëputje komplet. Sheherazade. Ta kthesh Hygonë në ndonjë gjuhë tjetër, dmth, ta kthesh përmbys atë (shqip).

9 prill – Fillova punë në galeri, miniere Përrenjas.

12 prill – Turni i dytë, në barkun e nëntokës. Nganjëherë njerëzit mbajnë dhe emra prej gjasme njerëzish.

19 prill – Punova dy turne bashkë, të dytin dhe të tretin.

20 prill – Tiranë. Tek vëllai im. Pastaj në shtëpinë e kushëririt tim, pastaj tek Xhelili.

21 prill – Tiranë. Lexova disa pjesë të “Divina Comedia” e Dante Aligerit.

22 prill – U ktheva në shtëpi. Natë. Të gjithë flenë dhe të vdekurit, dhe varret, dhe?

23 prill – Në punë. Turni i dytë. Lexova Teofil Gotje. Faqe të mrekullueshme.

24 prill – Pasnesër mbi shpinën time do të jenë 26 vjet. Kjo ditë nuk do të festohet nga unë as tani, as kurrë. Humnerë të gëlltis këtë ditë të tmerrshme. 1)

28 prill – Ka njerëz që janë si hija ime. Ata më ndjekin veçse në ditët me diell.

16 maj – ….dhe dashuria e përjetshme zgjati vetëm tri ditë….

17 maj – Nga erdhi ky njeri?

Ai iku në një botë tjetër, doli prej këndej.

26 maj – Me atë. Shëtitje e mrekullueshme në pyll. Ditë lumturie e vërtetë. Në mbrëmje jam i sëmurë. Temperatura 36 gradë

27 maj – Sëmurë. Ethe të tmerrshme. 39.8 gradë. Tri ditë qetësi.

28 maj – I sëmurë ende. Në shtëpi, ditë e bukur. Asgjë e madhe. Jetë për të jetuar.

5 qershor – U gëzuam me nxënësit e mi për frëngjishten, pastaj me shokët e mi.

6 qershor – Në qoshe të një fushe me grurë, në mes të ditës. Diell, dashuri, ëndrra, jetë e gjallë, ëndrra të gëzueshme. Me Edin.

8 qershor – Vajzë e vogël me sy blu,

Më jep mua dashurinë tënde.

Vajzë e vogël me sy blu,

Ti je e bukur si drita. (nga një këngë franceze)

13 qershor – Ajo shkoi në shtëpi. Stefan Cveik, “Letra e një të panjohure”. U ktheva në shtëpi.

20 qershor – Zbor. Breg – Plep. Më kujtohet koha e shkuar që tashmë nuk e di.

21 qershor – Punë… Vargje të bukura, shkruar nga unë, lexuar për mikun tim, Gencin.

22 qershor – Shëtitje në pyll………….. (tri rreshta me pika….)

23 qershor – Punë dhe zgjim, me mua miku im i dashur. Pimë verë në Breg – Plep.

24 qershor – Punë dhe shëtitje në Gjiovalë me Gencin.

25 qershor – Ne folëm për poezinë dhe muzikën.

26 qershor – Gjithnjë bashkë ditë dhe natë. Diskutime.

27 qershor – “Ti ikën, ikën dhe bie në hon/ nuk e ke çdo ditë/ çdo ditë të

mungon!…”

28 qershor – Pogradec. Qytet i bukur… liqeni. E dua këtë liqen, në qoftë e thënë, ai do të jetë shtrati im i përjetshëm.

29 qershor – Vetëm. Mendoj për ictyosames (përbindshat S. B. ) dhe rolin e tyre.

30 qershor – Sot piva raki.

1 korrik – U njoha me Li. Rreth inteligjent dhe shpirtpastër.

6 korrik – Librazhd. Vetëm. Punë. Shpirt shumë i mërzitur (frëngj.). Ndarja nis aty ku fillon bashkimi, ashtu si vdekja fillon aty ku nis jeta (shqip).

7 korrik – Punë. Turni i parë. Me dy mësuese nga tri urat deri në Përrenjas. “Auxid”.

8 korrik – Ditë e bukur. Pyll. Fundi i “Auxidës”. Ajo dhe unë jemi ne që jemi. Uvertura e “Berberit të Seviljes”.

15 korrik – Turni i tretë. Pyll. Dashuri. Ajo – Myrtoja e re fiorentine.

23 korrik – Isha në Tiranë….

24 korrik – U ktheva nga Tirana.

25 korrik – Shkova për në shtëpi.

27 korrik – Zbor.

5 gusht – Fundi i shërbimit ushtarak.

25 gusht – Pyll. Të mira. Dashuri. Shqetësime. Ndarje.

Përktheu nga frëngjishtja Theofan Nishku, Librazhd, 15. 7. 1976 .

***

“Më 18 mars 2018, poeti Vilson Blloshmi do të ishte 70 vjeç. Më 17 korrik 1977 ai u pushkatua nga shteti diktatorial me akuzën e sajuar politikisht: si kreu i një grupi sabotatorësh në ekonomi. Prej tij kanë ardhur poezi, përkthime dhe letra në një botim me rreth 400 faqe Përkushtimi i vëllait të poetit, i Bedri Blloshmi, është në themel të gjithë punës kërkimore për gjetjen e botimin e krijimtarisë së Vilson Blloshmit.

Botimi i kësaj vepre krejtësisht postume ishte ngjarje për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Edhe Serembja, edhe Migjeni, dy poetë që u bënë të famshëm pas vdekjes, në gjallje të tyre kishin arritur të botonin diçka, kishin marrë dhe vlerësime të bashkëkohësve. Vilson Blloshmi në gjallje të tij nuk pa asnjë rresht të botuar nga vepra e vet. Ai krijoi i izoluar dhe larg rretheve letrare.

Punoi si kafshar në fshat, si druvar në sharra, si minator në Përrenjas dhe gjithësa shkroi e përktheu i ruante në fshehtësi të plotë. Regjimi atë e kishte përjashtuar nga e drejta për t’u marrë me punë mendore, për të punuar si mësues, për t’u marrë me letërsi sepse për shkaqe politike: familja e tij që më 1945 ishte shpallur zyrtarisht armike e shtetit shqiptar. Edhe për diçka tjetër në historinë e letërsisë shqipe Vilson Blloshmi është rast unikal: gjithë sa u botua prej tij, u nxor nga arkivat e policisë dhe të Sigurimit të shtetit diktatorial.

Kjo mund të jetë e pashoqe edhe në historinë e gjithë Lindjes komuniste. Katër muaj para se poeti të arrestohej, poezia dhe përkthimet u sekuestruan nga sëndukët e shtëpisë së tij në fshatin Bërzeshtë, u përpunuan në zyrat e Sigurimit, u përdorën si akuzë në gjyqin kundra tij dhe, pas pushkatimit të autorit e deri më 2000, u kyçën të varrosura në arkiva”, ka shkruar Bejko jo vetëm historinë por edhe rëndësinë e një poeti, jeta e të cilit u ndërpre sapo hynte në letërsi, si zanafillë.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Njerëzit mbipeshë e kanë trurin 10 vjet më të vjetër!

  Mbipesha, siç dihet, mund të ketë një efekt të dëmshëm për...
Read More
CLOSE
CLOSE