Dobësimi i euros në treg – efekt i faktorëve të brendshëm monetarë

Nga Adrian Civici

Analizat e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve të specializuara në çështjet monetare, si dhe opinionet e mjaft ekonomistëve e akademikëve janë pothuajse në unison se shkaku kryesor i rënies së euros në tregun monetar shqiptar lidhet ngushtë me disponibilitetin shumë të madh të euros në treg.

Më negativisht rënia e vlerës së euros po ndikon në ata sektorë apo degë të ekonomisë që punojnë për eksport. Meqenëse shumica e shpenzimeve dhe pagesave të tyre janë në lekë, të ardhurat më të pakta të tyre si pasojë e uljes së vlerës së euros po shkaktojnë probleme serioze në përballimin e kostove të prodhimit, pagave, tatimeve etj.

Një ndërhyrje direkte nga ana e BSH apo Ministrisë së Financave do ishte e vështirë ose thuajse e pamundur, aq më tepër që Shqipëria ka adaptuar regjimin e këmbimit të lirë të monedhave në treg dhe BSH nuk ka objektiv stabilizimin e kursit të këmbimit apo rritjen ekonomike. Aktorët ekonomikë duhet të axhustohen me kushtet e reja. Mund të realizohen ndërhyrje indirekte, sidomos në favor të bizneseve më të prekura: lehtësira procedurale e fiskale, kompensime indirekte, negocim për shtyrjen në kohë apo ristrukturim të disa lloj detyrimeve që lidhen direkt me efektet e rënies së vlerës së euros etj.

Ka disa muaj që monedha europiane euro vazhdon të jetë e dobët në raport me lekun, duke shtruar natyrshëm pyetjen: cilët janë faktorët kryesorë të këtij fenomeni në tregun monetar shqiptar? Analizat komplekse të Bankës së Shqipërisë, të institucioneve të tjera të specializuara në çështjet monetare, si dhe opinionet e mjaft ekonomistëve e akademikëve janë pothuaj në unison se shkaku kryesor i rënies së euros në raport me lekun në tregun monetar shqiptar, përtej ndonjë efekti minimal me natyrë strukturore ekonomike, lidhet ngushtë me disponibilitetin shumë të madh të euros në treg. Vetëm duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë bëhet fjalë për 300 – 400 milionë euro më shumë prezente në treg, një pjesë e të cilave nga Investimet e Huaja Direkte dhe disa projekte madhore, nga remitancat të cilat janë në një trend rritës mbas disa viteve problematikë, dhe efektet pozitive që kanë lidhje me eksportet.

Besoj se në realitet mund të jenë dhe 100 apo 150 milionë euro më shumë po të kemi parasysh tregun informal dhe faktin se një pjesë e eurove të hedhura në treg mund të kenë origjinë tërësisht informale, të burojnë nga ekonomia e zezë dhe spekulimet e natyrave të ndryshme. Prishja e raportit apo ekuilibrit të vendosur relativisht të qëndrueshëm euro/lekë ka shkaktuar rënien e euros në nivele minimale historike të viteve të fundit, ndërkohë që kreditë në euro të dhëna nga bankat tregtare nuk vlerësohet se kanë patur efekt në devijimin e kursit të këmbimit euro/lek.

Në këtë formë, me këtë qëndrueshmëri dhe me këtë intensitet, një fenomen i tillë ndodh për herë të parë në tregun monetar shqiptar duke i gjetur të papërgatitur si institucionet monetare ashtu dhe aktorët ekonomikë. Pra, e thënë në mënyrë direkte, ulja e vlerës së euros në treg ka ardhur pothuajse krejtësisht nga faktorë të brendshëm.

Nëse do të kishim një rënie të euros të ndikuar nga faktorë të jashtëm që lidhen direkt me tregun monetar shqiptar, atëherë duhen analizuar një kategori tjetër faktorësh. Euro është monedhë ndërkombëtare dhe çdo ditë kuotohet në bursat ndërkombëtare. Rënia apo forcimi i saj reflektohet në radhë të parë në kursin e këmbimit me dollarin amerikan, paundin britanik, yen-in japonez, yuan rembimbin kinez, rublën ruse etj., dhe pastaj kursi i saj reflektohet edhe në tregjet valutore të monedhave të tjera, siç është dhe rasti i lekut. Parë në këtë këndvështrim, euro nuk ka pësuar rënie apo luhatje të forta në këta muajt e fundit në raport me monedhat e tjera kryesore, dhe për pasojë nuk ka se çfarë të reflektohet edhe në tregun monetar shqiptar.

Me politikën e saj monetare, Banka Qendrore Europiane ndikon në forcimin apo dobësimin e euros në funksion të objektivave të saj në raport me zhvillimet ekonomike e financiare në eurozonë, nivelin e inflacionit etj. Edhe nga kjo pikëpamje, në 6 apo 9 muajt e fundit, në kuadrin e politikës monetare të BQE nuk ka vendime apo veprime të dukshme që çojnë në dobësimin e euros, dhe për pasojë, nuk ka se çfarë të reflektohet në tregun shqiptar.

Së fundi, euro ndikohet në forcën apo dobësinë e saj edhe nga ecuria e treguesve me natyrë makroekonomike të eurozonës, si: inflacioni, deficit buxhetor, borxhet sovrane, rritja ekonomike, bilanci i pagesave dhe ai tregtar etj. Gjatë muajve të fundit jo vetëm që nuk patur përkeqësim të këtyre treguesve në eurozonë, por përkundrazi disa prej tyre janë përmirësuar, për pasojë, në tregun valutor shqiptar nuk ka ardhur asnjë ndikim negativ në vlerën e euros në raport me lekun. Edhe rreziku i deflacionit konsiderohet i kaluar në eurozonë, për pasojë në Shqipëri nuk ka ndodhur as fenomeni i importimit të deflacionit apo e thënë ndryshe, euros së dobët nga eurozona.

Ka disa muaj që Banka e Shqipërisë njoftoi fillimin e një procesi të deeuroizimit të ekonomisë. A mund të supozohet se kjo është një nga arsyet e rënies së vlerës së euros? Ndoshta rastësisht politika e deeuroizimit e shpallur nga Banka e Shqipërisë koincidoi me periudhën e bollëkut të eurove në treg duke e thelluar akoma më shumë rënien e kursit të këmbimit të euros në raport me lekun. Në kushte normale, deeuroizimi mund të kalonte më butë në sensin që do korrigjonte disi kursin e këmbimit, të përmirësonte raportin e përdorimit të euros dhe lekut në Shqipëri, t’i jepte më shumë frymëmarrje politikës sonë monetare, të shmangte rrezikun e ndryshimeve në kursin e këmbimit, por nuk do ndikonte direkt e në afat shkurtër në uljen drastike të vlerës së euros.

Mendoj se në disa raste deeuroizimi u keqkuptua dhe u keqinterpretua nga aktorë të ndryshëm ekonomikë. Ky faktor e thelloi akoma më shumë ndikimin e tij në uljen e vlerës së euros në treg. Nga BSH kërkohej një komunikim më i plotë, më i gjatë dhe më direkt me publikun për shpjegimin e politikës së deeuroizimit, për të cilën duhet thënë se ka qenë një rekomandim i hershëm i FMN si pasojë e niveleve tejet të larta të prezencës dhe përdorimit të euros në Shqipëri. Politika të suksesshme deeuroizimi ka bërë dhe Serbia, Maqedonia etj.

A po përballemi me efekte negative në ekonomi? Ndikimet e rënies së vlerës së euros në raport me lekun nuk janë vetëm negative, por janë dhe pozitive. Më negativisht rënia e vlerës së euros po ndikon në ata sektorë apo degë të ekonomisë që punojnë për eksport. Meqenëse shumica e shpenzimeve dhe pagesave të tyre janë në lekë, të ardhurat më të pakta të tyre si pasojë e uljes së vlerës së euros po ju shkaktojnë probleme serioze në përballimin e kostove të prodhimit, pagave, tatimeve etj. Nëse kjo situatë vazhdon për një kohë të gjatë, një pjesë e këtyre bizneseve rrezikojnë të përballen me humbje të konsiderueshme dhe falimentimin. Negativisht rënia e euros ndikon edhe në vlerën e depozitave në euro në sistemin bankar, vlerën e kolateraleve të pasurive të patundshme të lëna për marrjen e kredive, të ardhurat e bizneseve që shesin në euro etj. Por, rënia e euros ka dhe efekte pozitive. Në radhë të parë për importuesit nga zona euro të cilët përballen me çmime më të ulëta për importet e tyre duke rritur fitimet. Teorikisht një fenomen i tillë duhej të shoqërohej me ulje të disa çmimeve të mallrave të importit në tregun shqiptar, por një gjë e tillë nuk konstatohet të ketë ndodhur, çka nënkupton faktin se këto biznese thjesht po rrisin fitimet e tyre nga kursi i favorshëm i euros së dobët; së dyti, efekte pozitive ka te një masë e madhe kreditorësh që e kanë kredinë në euro por që të ardhurat kryesore i kanë në lekë, të cilët mund ta blenë më lirë euron për shlyerjen e kësteve të kredisë duke ndikuar kështu direkt dhe indirekt në uljen e kredive të këqija; efekte pozitive, megjithëse minimale, ka edhe madhësia e borxhit publik e cila ulet në raport me uljen e vlerës së euros, natyrisht për pjesën e saj në euro etj. Kohët e fundit janë shtuar zërat që kërkojnë një ndërhyrje të BSH apo qeverisë për stabilizimin e kursit të këmbimit. Në këtë situatë, një ndërhyrje direkte në tregun monetar nga ana e BSH apo Ministrisë së Financave do ishte shumë e vështirë ose thuajse e pamundur, aq më tepër që Shqipëria, që në vitin 1992 ka adaptuar regjimin e këmbimit të lirë të monedhave në treg dhe BSH nuk ka objektiv stabilizimin e kursit të këmbimit apo rritjen ekonomike. Në rastet e luhatjeve të kursit të këmbimit, aktorët ekonomikë duhet të përpiqen të axhustohen sa më shpejt dhe sa më mirë me kushtet e reja. Ndërkohë, disa ndërhyrje indirekte, sidomos në favor të bizneseve më të prekura, mund të realizohen: lehtësira procedurale e fiskale, kompensime indirekte, negocim për shtyrjen në kohë apo ristrukturim të disa lloj detyrimeve që lidhen direkt me efektet e rënies së vlerës së euros etj. Një masë tjetër indirekte mund të ishte dhe shtimi i sasisë së lekut ose masës monetare në qarkullim për të balancuar disi raportin kërkesë-ofertë në treg. E rëndësishme është që ky fenomen mos t’i lihet rastësisë dhe kapriçove të tregut monetar por të ndiqet me kujdes dhe të ndërhyhet kur është e mundur, në mënyrë që pasojat e tij të mos agravohen, veçanërisht në industrinë fason apo eksportuesit e vegjël. Mendoj se kjo situatë, me ndonjë luhatje të vogël, do vazhdojë të jetë prezente edhe në muajt në vazhdim, të cilët, si pasojë e sezonit turistik që dominohet nga turistë që përdorin euron, do ta shtojnë akoma më shumë prezencën e euros në treg. Kursi i këmbimit është vështirë të parashikohet, por në një formë të përgjithshme, si tendencë për 4-5 muajt e ardhshëm vlerësoj se do përballemi me një kurs këmbimi euro/lek në intervalin 126 – 129 lek/euro. A do ishte zgjidhje e pranueshme dhe afatgjatë adoptimi i euros si monedhë në Shqipëri nën shembullin e Kosovës dhe Malit të Zi? Adoptimi në mënyrë të njëanshme i euros si monedhë e vetme duke eliminuar lekun më duket i pamundur dhe i papërshtatshëm në këto momente. Mendoj se ne duhet ta konsiderojmë pozitiv faktin që në Shqipëri ekzistojnë dy monedha në qarkullim dhe përdorim: leku dhe euro.

Kosova dhe Mali i Zi e adoptuan euron duke u gjendur në një situatë e kontekst ekonomik e politik krejt tjetër kur vendosën të kenë si monedhë kombëtare euron. U gjendën në një moment kur Jugosllavia dhe dinari jugosllav nuk ekzistonin më, pra ato nuk kishin asnjë monedhë që të vepronin, u gjendën në një moment kur donin të shkëputeshin plotësisht nga Serbia dhe kontrolli monetar i saj, u gjendën në një moment kur banka qendrore jugosllave kishte pushuar së funksionuari. Adoptimi i euros si monedhë kërkon së pari anëtarësimin në BE dhe eurozonë, se dyti kërkon një proces serioz axhustimi ekonomik e monetar në bashkëpunim të ngushtë me Bankën qendrore europiane, të ngjashëm me procesin e anëtarësimit në BE.

Adoptimi i euros në mënyrë të njëanshme ka një sërë pikëpyetjesh e rreziqesh që lidhen me pamundësinë e kryerjes së politikës monetare, përballimin me rreziqet e ndryshimit të kursit të saj që burojnë nga një politikë monetare ku Shqipëria, ashtu sikurse Kosova dhe Mali i Zi, nuk ka asnjë mundësi ndikimi apo bashkëpunimi, rrezikut të deflacionit dhe rritjes së çmimeve, kostot e larta të sigurimit të sasisë së nevojshme të eurove në qarkullim në kuadrin e masës monetare të domosdoshme, përballja me efektet e mungesës së konvergjencës me ekonomitë e eurozonës që reflektohet në çmime më të larta dhe paga më të ulëta në Shqipëri etj. Mendoj se në muajt apo disa vite në vazhdim është me e vlefshme një politikë monetare sa më aktive e cilësore në menaxhimin e inflacionit dhe vlerës së lekut, përfshirë këtu dhe kujdesin prudencial në kuadër të deeuroizimit, se sa një kalim në mënyrë të njëanshme në përdorimin e euros si monedhë të vetme në Shqipëri.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lamtumirë Hajrie Rondos: Pasionit të heshtur të gruas

Dje, në Himarë është përcjellë për në banesën e fundit aktorja Hajrie...
Read More