Doktori ishte mirë te Eni Vasili, por kjo nuk është mirë për Lulin

Nga Ervis Iljazaj

Në emisionin “Studio e Hapur” të moderatores Eni Vasili u ndezën edhe njëherë reflektorët mbi ish-kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha. Si gjithmonë në këto raste decisive të vendimmarrjeve politike, nuk mund të mungonte paraqitja e tij.

Sali Berisha në atë emision ishte në rolin e një protagonisti të padiskutueshëm, edhe pse mundohej në përgjigjet e tij ta fshehte këtë gjë. Pyetjeve të gazetarëve në studio i përgjigjej me një elokuencë që e karakterizon. I përgjegjshëm dhe i sigurt në të gjitha mendimet e tij, si asnjëherë më parë nuk dukej kaq i moderuar dhe i balancuar në qëndrimet politike që reflektonte, larg karakterit të tij luftarak dhe konfliktual që ka përcjellë në këto vite që ka qenë aktori kryesor i politikë shqiptare.

Me bekimin e plotë që i bëri marrëveshjes politike të forcave kryesore, ai pasqyronte modelin e politikanit të ndërgjegjshëm për fatet e vendit. Si asnjëherë më parë, në momente të caktuara, nuk munguan as komplimentet për kryeministrin Rama.

Me pak fjalë, mund të thuhet se Sali Berisha bëri një paraqitje të shkëlqyer nga ana politike dhe mediatike. Një paraqitje e cila meriton notën 10 nga të gjitha aspektet.

Shumë pak politikanë në vend kanë aftësinë e tij komunikative dhe karizmën politike, të cilat kanë qenë armët kryesore të sukseseve politike që ka patur deri më tani.

Megjithatë, kjo është një arritje personale e tij. Pyetja që ngrihet është se a e ndihmon Partinë Demokratike kjo arritje?!

Sigurisht që jo! Për një arsye shumë të thjeshtë. Partia Demokratike në këtë fushatë nuk mund të bazohet te mendimet e tij, që ndoshta janë të vlefshme, por që i përkasin një politike e cila tanimë duhet të arkivohet në historinë e kësaj force politike.

Tashmë shqiptarët shohin tek ai thjesht një politikan i cili i përket të shkuarës. Nuk mund kurrsesi të lejohet një protagonizëm i tillë qoftë edhe nga ana strategjike e kësaj partie. Duke qenë se zoti Berisha nuk është më kandidat për asnjë post, përveç atij të deputetit, votuesit e shohin si të parëndësishëm. Rëndësi për votuesit kanë vetëm politikanë të cilët do të mund t’i udhëheqin në të ardhmen. Nuk mund të jesh i parëndësishëm për qytetarët dhe të jesh i rëndësishëm dhe protagonist në drejtimin e një partie. Janë dy gjëra që nuk përputhen me njëra-tjetrën. Votat e publikut merren duke iu propozuar të ardhmen dhe jo të shkuarën.

Në këtë kuptim, me gjithë rëndësinë historike që mund të ketë për partinë e tij, qytetarëve shqiptare, Partia Demokratike duhet t’iu propozojë protagonistë të cilët kanë se çfarë t’u premtojnë votuesve. Persona të cilët mund të fitojnë besimin e tyre në këtë garë e cila do të jetë tepër e vështirë për ta.

Vetëm në këtë mënyrë, duke hequr dorë njëherë e mirë nga e shkuara dhe duke parë drejt të ardhmes, Partia Demokratike mund të ketë një shans për të konkurruar denjësisht me forcat e tjera. Ky është një nga rregullat më të thjeshtë dhe më të rëndësishëm të politikës nëse pretendon të kesh sukses.

Andaj, Lulzim Basha nuk duhet të zhgënjejë shqiptarët për sa i përket ekipit të tij dhe listave të kandidatëve për deputet të cilat është duke i menduar në këto ditë. Respekti për historinë e Berishës brenda kësaj partie nuk duhet të ngatërrohet me protagonizmin politik. Nëse Lulzim Basha nuk arrin dot të bëjë këtë dallim qoftë edhe si strategji në të mirë të forcës politike që drejton, atëherë do ta kuptojë fare shpejt se mirënjohja është një virtyt i rëndësishëm njerëzor, por në politikë shpeshherë nuk shpërblehet.

Shkruar Nga
More from revista mapo

“Binjakët” e Plaut-it: Pas 2200 vjetësh në Epidamn

U dha premierë në Festivalin “Verë në Epidamn” shfaqja “Binjakët", e cila...
Read More