Dokumente të panjohura: Prerja e parasë nga Pashallëqet shqiptare

Historiani Dritan Egro, për herë të parë përmes dokumenteve, sjell fakte, interpretime të reja në lidhje me përpjekjet e pashallëqeve shqiptare për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane

Nga Prof. asoc. Dritan Egro

Në këtë shkrim do të ndalem në dy dokumente, kohësisht të hershme (fundi i shek. XVIII dhe fillimi i shek. XIX). I pari nga arkivat ruse (G. Arsh, Albania i Epir v konce XVIII .., 1963, f. 93), i njohur po jo i vlerësuar si duhet, ndërsa tjetri nga arkivat osmane (BOA, Hatt-i Hümayun nr. 25628), krejt i panjohur. E para i përket Mahmut Pashë Bushatlliut; kurse e dyta, Ali Pashë Tepelenës. Konsulli rus i Dalmacisë, A. Palladoklis, më 30 prill 1787, i bënte me dije Këshillit të Punëve të Jashtme të Rusisë se, “…kokëkrisuri pashai shkodran [Mahmut Pashë Bushatlliu] priste pará në emrin e tij…”. Sot për sot nuk dimë nëse paraja që kishte prerë Kara Mahmuti ishte monedhë apo kartmonedhë. Ngaqë ende nuk disponojmë asnjë kopje të kësaj paraje, nuk dimë në se ajo është prerë realisht apo ishte vetëm një informacion në lidhje me këtë problem.

Nëse kjo para është prerë, atëherë lind pyetja: Si ka qenë paraqitja grafike e saj, pra çfarë strukture të brendshme vizuale ka pasur? Sipas traditës politike turke të shtetformimit, ajo duhej të përmbante emrin e sundimtarit të ri, titulaturën që ai do të përdorte dhe emrat e tjerë identifikues personalë; pra, ajo do të ishte shumë e rëndësishme për të mësuar më shumë rreth faktit se si Mahmut Pasha i Shkodrës e identifikonte veten dhe si ai e përcaktonte shkallën e varësisë së tij politike nga Stambolli.

Gjithsesi, kjo e dhënë historike është më se e mjaftueshme për të hapur një diskutim cilësisht të ri mbi shkallën e emancipimit të Pashallëkut të Shkodrës nga Perandoria Osmane, por ajo mund të shërbejë edhe si një e dhënë prej së cilës mund të fillojë një vlerësim krejt i ri historik për figurën e Kara Mahmut Pashë Bushatlliut jo vetëm në historinë e shqiptarëve, por edhe në atë të Ballkanit dhe më gjerë në atë të Perandorisë Osmane.

Le ta themi qysh në fillim se prerja e parasë nga Mahmut Pasha Bushatlliu nuk ishte një masë me karakter financiar; ai ishte një akt i mirëfilltë politik. Dy janë arsyet që na shtyjnë drejt një përfundimi të tillë:

E para, në traditën turke të shtetformimit sipas procedurave që ndiqeshin nga formacionet politike periferike për t’u shkëputur nga qendra, prerja e monedhës ishte shenja më e rëndësishme që shprehte kurajën politike dhe fuqinë ekonomike të prijësit lokal për të shpallur mëvetësinë e tij nga qendra prej së cilës politikisht varej deri në atë moment.

Në vitin 1572, sulltan Selimi II, si shenjë të futjes së plotë nën sundimin osman të Vllahisë dhe Moldavisë, princërve të tyre u kërkoi që të prisnin monedhë osmane. Monedha osmane e prerë në këto hapësira kishte brenda saj emrin e kalifit islam/sulltanit osman, më pas emrin e sundimtarit lokal dhe titullin e tij. Ky fakt historik dëshmon qartë se prerja e monedhës nga një strukturë shtetërore brenda asaj të Perandorisë Osmane dëshmon për nënshtrimin e tij politik ndaj Stambollit. Nga ana tjetër, informacioni për prerje paraje, në rastin e Bushatlliut pa lejen e Stambollit, dhe për më tepër një para që do të identifikohej ekskluzivisht me emrin e tij duke mos i dhënë vend në të emrit të sulltanit osman, automatikisht mbart me vete dimensionin e rebelimit politik ndaj Perandorisë Osmane. Në këtë rast dënimi ishte me vdekje.

Së dyti, një fakt shumë i rëndësishëm që duhet patur parasysh është momenti historik, kur pashai shqiptar i Shkodrës vendosi të ndërmerrte këtë hap: viti 1787. Marrëveshja e arritur në këtë kohë mes careshës ruse Katerina II dhe perandorit austriak Jozef II, gjatë vizitës që ky i fundit kreu në Rusi, parashikonte ribërjen politike të Ballkanit, pa shtetin osman. Sipas saj, Rusia do të realizonte kontrollin e saj mbi Krime, mbi tokat buzë Detit të Zi deri në lumin Dnjestër dhe mbi Kaukaz. Perandoria Habsburge do të merrte një pjesë të Serbisë, Bosnjën, Hercegovinën, Istrian dhe Dalmacinë. Venediku, nga ana e tij, do të kompensohej me marrjen e Peloponezit, Kretës dhe Qipros. Territoret e mbetura osmane në Ballkan do të ndaheshin në dy shtete të pavarura. I pari, do të përfshinte shtetin e pavarur të Moldavisë dhe Vllahisë, i banuar nga kombi dak (rumun), i cili do të sundohej nga një princ rus; kurse i dyti, do të ishte një Perandori Greko-Bizantine, që do të përfshinte Bullgarinë, Maqedoninë dhe Greqinë, froni i së cilës parashikohej të mos kishte lidhje me Rusinë.

Ndërsa po diskutohej ky plan për copëtimin e tokave të Perandorisë Osmane, konsulli francez në Janinë, François Pouqueville, rrëfen se perandori austriak Jozefi II (1780-1790), shikimin e tij e drejtoi te Mahmut Pasha i Shkodrës. Ky i fundit u tha të dërguarve të Austrisë të besonin se ai nuk kishte ndonjë vështirësi të përqafonte besimin e krishterë, me kusht që atij t’i premtohej principata e Shqipërisë”.

Pikërisht në të njëjtin dokument konsulli rus në Dubrovnik, Palladoklis, shton se Kara Mahmuti i Shkodrës “e ka shpallur veten pasardhës të Skënderbeut dhe shprehet haptas se do ta imitojë atë në të gjitha”. Këtë të dhënë e pohon edhe konsulli francez në Dubrovnik, Derivo.

Sipas historianit osman Cevdet Paşa, në maj 1787, agjentët osmanë pranë Mahmut Pashës i bënë të ditur Stambollit se ai kishte grumbulluar trupa për t’iu drejtuar ushtarakisht qytetit të Edirnesë. Ky njoftim solli reagimin e dytë të ashpër të Stambollit: Mahmut Pashën Porta e Lartë e dënoi sërish me vdekje.

Nga ana tjetër, shqiptari tjetër rebel, por edhe rival i Bushatllinjve, Ali Pashë Tepelena, po këtë moment e përzgjodhi si çastin e duhur për të shtënë në dorë Janinën, duke i hapur udhë procesit të shndërrimit të saj në kryeqendrën e pashallëkut të tij.

Dokumenti i dytë, i nxjerrë nga arkivat osmane, na bën me dije se më 4 shkurt 1810 kryeministri osman konfirmon marrjen e informacionit mbi prerjen e një kartmonedhe nga ana e Ali Pashë Tepelenës. Termi kaime, që përmendet në këtë dokument, në terminologjinë osmane të financave i atribuohet kartmonedhës: 

04.02.1810

I nderuar veziri im,

Kartmonedha e Ali Pashë Tepelenës dhe dokumenti shoqërues me të gjitha mendimet [përkatëse] më janë bërë të njohura; gjithashtu, kam lexuar me vëmendje edhe dokumentin zyrtar të shefit të punishtes së prerjes së monedhave.

Sërish, sido që të jetë e vërteta, të më shprehet dhe të më raportohet.

Nga ky dokument mësojmë që Ali Pasha e ka përfunduar procesin teknik të hartimit të kartëmonedhës, por vetëm kaq. Edhe ky dokument nuk na bën me dije të dhënat grafike të saj; gjithçka mbetet në kuadrin e projektit politik të Ali Pashës për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Eshtë viti 1810: Traktati i Tilsitit (1807) mes Rusisë dhe Francës kishte risjellë në rend të ditës copëtimin e territoreve osmane në Europë. Napoleoni kishte rënë dakord që t’i jepte Rusisë Besarabinë, Moldavinë, Vllahinë dhe Bullgarinë Veriore. Për vete do të merrte Shqipërinë, Thesalinë dhe territoret deri në Gjirin e Selanikut, kurse Austro-Hungaria duhej të kënaqej me një pjesë të Bosnjës dhe Serbisë. Napoleoni reagoi ashpër kundër kur Car Aleksandri i kërkoi të merrte edhe Stambollin.

Kështu, provincat shqiptare po ndiqnin një kurs të ndryshëm politik nga qendra e perandorisë. Madje, Ali Pasha filloi të caktonte vetë kontë e baronë. Puqueville thotë: “Më lajkatarët kishte kohë që [Aliun] e thërrisnin mbret”.

Ndryshe ndodhi me guvernatorin shqiptar të Egjiptit, Mehmet Ali Pashën. Ndonëse dhe ai tentoi me të gjitha mënyrat shkëputjen nga shteti osman, madje duke kërcënuar edhe ekzistencën e vet perandorisë, nuk ka asnjë të dhënë që ai të ketë tentuar të priste paranë e tij. Këtu duket se ka ndikuar fuqia e lidhjeve tregtare mes provincës së Egjiptit dhe qendrës së perandorisë. Egjiptit më shumë i vinte për shtat zhvlerësimi i monedhës osmane se sa të priste një monedhë të re; ndaj ai më shumë iu përshtat kësaj politike financiare; me paratë e zhvlerësuara i siguronte vetes të ardhura shtesë. Gjithsesi, ishte Mehmet Aliu ai që para shtetit osman solli në Egjipt specialistë europianë të financave. Vetëm në vitin 1834, pra 10 vjet para Stambollit, ai kaloi në prerjen e monedhës së tij të përbërë prej dy metalesh. Megjithatë, interesant mbetet fakti që deri në prag të Luftës I Botërore të gjitha monedhat e prera në Egjipt vazhduan të mbanin emrat e sulltanëve osmanë. Pra, ndryshe nga Mehmet Aliu i Egjiptit, pashai i Shkodrës dhe ai i Janinës prerjen e parasë e projektuan si hapin e tyre më të rëndësishëm drejt shkëputjes përfundimtare nga Stambolli.

Vetë Perandoria Osmane, për shkak të krizës së Thesarit, kartëmonedhën e saj të parë e futi në qarkullim në vitin 1840. Po ndërsa Stambolli një masë të tillë e vuri në jetë si një nevojë me karakter mirëfilli financiar, Ali Pashë Tepelena prerjen e kartëmonedhës së tij 30 vjet para asaj të perandorisë e projektoi si një masë me karakter mirëfilli politik, e cila synonte separatizmin politik nga Perandoria Osmane dhe krijimin e një shteti dinastik në tokat e Shqipërisë Jugore.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Raportimet e diplomatëve/ Krimet e UDB-së në Kosovë nën emrin e Enver Hoxhës

Politikani Esat Myftari, në një libër mbi diplomatët e diktaturës në vende...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.