Domosdoshmëria për ndryshimin e sistemit zgjedhor lokal

Nga Ervis Iljazaj

Përtej debatit mbi rritjen e çmimit të ujit, nga ky vendim pati qëndrime, akuza dhe kundërakuza nga partitë politike që tashmë janë në opozitë, PS dhe LSI. Arritja e numrit të duhur për të kaluar këtë vendim, pasi vetëm me votat e socialistëve nuk ishte e mundur, shkaktoi përplasjen e parë midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për Integrim. Një shenjë e parë kjo e betejës se cila nga këto parti do të marrë flamurin e partisë opozitare kundër qeverisë. Gjithashtu, tregoi se në Parlamentin e ardhshëm raportet nuk do të jenë të lehta edhe midis dy forcave politike opozitare.

Fitorja e vetme të zgjedhjeve të 25 Qershorit ka sjellë një konfigurim të ri dhe një marrëdhënie të re politike në të gjithë Këshillat Bashkiakë ku ekzistonte një aleancë midis PS dhe LSI.

Kështu që në vitet e ardhshme do të jetë e vështirë për të menaxhuar Këshillat Bashkiakë, duke qenë se në shumicën e tyre Partia Socialiste nuk e arrin dot mazhorancën brenda tyre. Në këtë mënyrë do të krijohen ngërçe herë pas here, të cilat do të bllokojnë politikat lokale.

Kjo si pasojë e një ligji zgjedhor lokal absurd që nuk arrin të sigurojë që mazhoranca e Këshillave Bashkiakë të jetë e forcës politike që i përket Kryetarit të Bashkisë. Në këtë mënyrë njeriut që në qytetet shqiptare i jepet mandat për të qeverisur qytetin, në shumicën e rasteve e ka të pamundur për shaka të deformimit që bën sistemi zgjedhor i përfaqësimit të pushtetit lokal. Është njësoj sikur Kryeministri i vendit t’i përkiste një force politike të ndryshme nga mazhoranca parlamentare. Andaj, është e udhës që në reformat e mëdha që priten të aprovohen në mandatin e ardhshëm, ku pjesë është edhe ajo zgjedhore, të rimendohet formula e sistemit zgjedhor lokal, në mënyrë që të ndërtohet një raport i ri midis qeverisjes lokale dhe përgjegjësisë.

Kështu siç është sot kjo marrëdhënie midis Kryetarit të Bashkisë dhe Këshillit, shpeshherë kthehet në një marrëdhënie personale dhe jo politike, ku këshilltarët të ndryshëm “shiten” dhe votojnë edhe kundër forcës së tyre politike.

Kjo u vu re dhe në miratimin e vendimit të rritjes së çmimit të ujit në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Dy këshilltarët e LSI që votuan pro u akuzuan për shitje të votës. Por, ky është një rast, problemi është më i thellë se kaq.

Problem mbetet fakti i sistemit zgjedhor për pushtetin lokal, i cili duhet domosdoshmërisht të ndryshohet. Një sistem që i siguron mazhorancën e Këshillit Bashkiak Kryetarit të Bashkisë. Në të kundërt do vazhdojmë të kemi ende ngërçe për aprovimin e politikave lokale sa herë që mazhoranca e Këshillit Bashkiak i përket një force të ndryshme politike.

Modelet nuk mungojnë, mjafton të marrim një të gatshëm nga vendet europiane për të siguruar një qëndrueshmëri të qeverisë lokale për të evituar raportet personale dhe klienteliste midis të parit të qytetit dhe përfaqësuesve të tij.

Për shembull, mund të propozohet që në zgjedhjet e pushtetit lokal, kandidatët për kryetarë Bashkie të kenë një listë personale me një numër të caktuar të këshilltarëve dhe, në rast fitoreje të tij ata zgjidhen automatikisht anëtarë të Këshillit Bashkiak. Por, kjo është vetëm një alternativë. Modelet për të zgjidhur këtë raport janë të pafundme. E rëndësishme është t’i jepet fund sistemit zgjedhor aktual, që krijon ngërçe të qeverisjes vendore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mueller zgjeron hetimet ndaj ndërhyrjes ruse. Shkel vijën e kuqe të Trump?

Prokurori special Robert Mueller raportohet të ketë regjistruar një grup juristësh në...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.