Donald Lu foli politikisht, as juridikisht dhe as diplomatikisht

Nga Ervis Iljazaj

Siç ndodh zakonisht në situata të tensionuara politike, nga opinioni publik pritet me padurim deklarata e ambasadorit amerikan Donald Lu. Në të gjitha konfliktet politike midis palëve, qëndrimet e tij gjatë kësaj kohe janë parë si deklarata e arbitrit, i cili zgjidh situata kaq të komplikuara si në këtë rast.

Duke qenë se besimi i shqiptarëve te klasa politike dhe te drejtësia është në nivele të ulëta, e vetmja shpresë për të reformuar drejtësinë, për fat të keq janë ndërkombëtarët, dhe në veçanti SHBA.

Kështu ndodhi edhe kësaj herë. Donald Lu dje foli për herë të parë për rastin Tahiri duke mbajtur një qëndrim, që palët politike nuk nguruan ta shihnin secila në favor të tyre.

Qëndrimi i SHBA, për këtë çështje, ndryshe nga seç pritej, ishte një deklaratë që kishte elemente të qarta politike. Nuk ishte as qëndrim ligjor dhe aq më pak qëndrim diplomatik.

Dhe qëndrimet politike të ndërkombëtarëve për politikën shqiptare janë aq të rëndësishme, sa kanë vendosur fatin politik të shumë legjislaturave.

Është normale që Donald Lu të flasë politikisht, pasi kjo çështje kaloi kufirin ligjor të saj. Askush nuk u përqendrua tek aspekti strikt juridik i çështjes, por u kthye menjëherë në politike, dhe në këtë kuptim interesi i qytetarëve për të parë përgjegjësit e kanabizimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike u la mënjanë.

Prandaj, deklarata e Lu mund të lexohet vetëm politikisht. Dhe nga ky qëndrim, më së paku nuk kishte një qëndrim që të trondiste pozitat e qeverisë aktuale. Kjo u duk qartë nga deklaratat e Ramës dhe Bashës pasi foli Donald Lu. Me pak fjalë, Donald Lu mbështeti vazhdimësinë e qeverisë Rama dy.

Nuk kishte rrugë tjetër, përveç asaj të qëndrimit politik nga ana e SHBA. Pikë së pari, juridikisht për çështjen konkrete Tahiri nuk mund të fliste Donald Lu, sepse nuk mund të hynte në çështjen konkrete, duke qenë se nuk është në brendësi të fakteve dhe nuk mund të bëjë rolin e prokurorit.

Pikës së dyti, kjo deklaratë nuk kishte elemente diplomatike. Tashmë ndërhyrjet amerikane në Shqipëri e kanë kaluar cakun e ndërhyrjeve tipike diplomatike. Dhe ky qëndrim nuk ishte aspak diplomatik.

Në këtë kuptim, deklarata nuk ishte e paanshme, ashtu siç mendohej. Deklarata e Lu kishte nuanca politike. Nuancat ishin në favor të qeverisë aktuale, ose më së paku nuk ishte nga ato deklarata që vuri në vështirësi pozitën e saj në këtë situatë delikate.

Të gjithë ata që pritën, që Donald Lu të dilte dhe të thoshte që kjo qeveri duhet të largohet, pas qëndrimit të tij, zhgënjimi i dukej fare qartë. Kjo jo sepse Donald Lu ka simpati për një parti apo tjetër, por për faktin se Amerika ka axhendën e saj politike në Shqipëri dhe rajon. Në këtë mënyrë i ka zgjedhur tashmë aleatët politikë me të cilët do të çojë përpara këtë axhendë.

Edhe njëherë SHBA, vuri pikat mbi i për sa i përket situatës politike. Sepse çështja Tahiri u kthye nga një çështje e drejtësisë në çështje të politikës, dhe në këtë kuptim detyroi Lu të flasë politikisht. Kjo ishte e qartë në deklaratën e tij. Kjo deklaratë nuk ishte as për të zgjidhur çështjen në fjalë dhe as diplomatike, por vetëm për të ndarë drejtësinë nga politika.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Film dhe kulinari: Spanjollët, me premierë botërore për Shqipërinë e ’97-ës

Mbrëmë, deri më 8 korrik, në kinemanë “Mitrush Kuteli” në Pogradec ka...
Read More