Dorëheqja e Ajazit pas raportit të SHISH për Habilajt

Dorëheqja e kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika, ka sjellë shumë pikëpyetje rreth motivit, që nisin nga mbarimi i mandatit deri te përplasja me policinë për çështjen e hashashit. Por përplasja me e fundit mes SHISH dhe Policisë ka qenë për grupin e “Habilajve”.

Publikimi i dosjes italiane për Habilajt, veç të tjerash vuri në qendër të akuzave policinë, e cila nuk kishte referuar asnjë informacion në Prokurori për aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj.

Ky fakt u pohua nga drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili u pyet nga deputetët në Këshillin e Mandateve dhe Rregullores.

“Nuk ka patur asnjë referim nga policia për këtë grup kriminal”,- tha Hajdarmataj në përgjigje të pyetjes së deputetëve.

Ky pohim vuri në lëvizje policinë, e cila nxitoi të sqaronte se e vërteta ishte krejt ndryshe.

Një ditë pas kësaj deklarate, drejtori i Policisë së Vlorës, Gentian Shehaj, tha se policia kishte referuar materiale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për grupin e Habilajve qysh në prill të këtij viti.

“Në lidhje me aktivitetin kriminal të këtij grupi theksojmë faktin se Drejtoria e Policisë Vlorë në datë 30 prill 2017 ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda materialet procedurale për grupin kriminal të njohur si “Habilaj”, tha drejtori i Policisë së Vlorës në një dalje për mediat.

Por e vërteta qëndron krejt ndryshe.

Së pari, Habilajt janë denoncuar nga ish-shefi i antidrogës së Fierit dhe Vlorës, Dritan Zagani qysh në vitin 2015 dhe për dy vite me radhë policia nuk ka referuar asnjë material në prokurori për aktivitetin e tyre kriminal.

Së dyti, policia pretendon se ka referuar materiale në prokurori për Habilajt në prill të vitit 2017.

Por burime të Prokurorisë konfirmojnë se në këtë rast policia ka bërë vetëm përcjellësin e një informacioni të mbledhur nga një tjetër institucion.

Shërbimi Informativ Shtetëror ka çuar disa raporte në Prokurorinë e Krimeve të Rënda qysh prej muajit qershor të vitit 2016.

Një prej këtyre informacioneve ka pasur në fokus një pjesë të aktivitetit të vëllezërve Habilaj, i cili i është përcjellë njëkohësisht si Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ashtu edhe policisë.

Policia e Vlorës, pasi ka marrë informacionin e SHISH, e ka dorëzuar atë në Prokurori në formën e referimit.

Pra, ky është informacioni i vetëm që policia i ka përcjellë prokurorisë lidhur me vëllezërit Habilaj, të cilët u denoncuan nga ish-shefi i antidrogës Zagani të paktën dy vite më parë.

Qëndrimi i policisë për vëllezërit Habilaj u konfirmua edhe pak ditë më parë kur Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi informacion pranë Drejtorisë së Policisë Vlorë mbi rekordet e mundshme kriminale të Moisi Habilajt, i konsideruar si kreu i grupit kriminal.

Por në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë, policia thotë se për këtë shtetas nuk ka asnjë rekord të shënuar në Policinë e Vlorës.

Kjo përgjigje tregon se jo vetëm që nuk është shënuar asnjë informacion për Habilajt, por edhe një dënim që ai kishte pasur në vitin 2005 për trafik droge duket se është fshirë nga dosjet e policisë.
/Mapo.al/

Shkruar Nga
More from Revista User

Është vrarë kryeterroristi Abu Bakr al-Baghdadi

Televizioni shtetëror sirian ka pohuar se terroristi më i kërkuar në botë...
Read More