Dorëheqja e ministrave teknikë, akti i fundit i një marrëveshjeje me interes publik

Nga Ervis Iljazaj

Me synimin që të evitohej përdorimi i disa sektorëve të administratës publike gjatë fushatës zgjedhore që kanë ndikuar historikisht në orientimin e votës, u emëruan disa ministra të propozuar nga Partia Demokratike si pasojë e marrëveshjes Basha-Rama. Ministra “teknikë” apo çfarëdo emri tjetër që mund të kenë e kryen këtë mision të rëndësishëm me suksese dhe për këtë duhen përgëzuar.

Marrëveshja politike midis Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për të nxjerrë vendin nga kriza politike ku ishte zhytur dhe që ishte duke krijuar pasoja ekonomike dhe shoqërore të pallogaritshme është anatemuar shumë nga njerëz të opinionit publik gjatë kësaj kohe.

Nga kritikët e saj ajo u konsiderua si një pazar për të ndarë plaçkën e tregut politik, deri në atë pikë sa shumë prej tyre e quajtën pa asnjë logjikë politike bashkëqeverisjeje duke mos patur më të voglën ide se çfarë do të thotë të orientosh vendin politikisht, ndërkohë që në të vërtetë ajo ishte thjesht një bashkadministrim i disa sektorëve të administratës publike për një objektiv të caktuar dhe kaq.

Edhe pse qëndrimi i tyre në detyrë vazhdoi më shumë seç ishte menduar, për arsye që askush nuk diti t’i shpjegonte mund të thuhet se dorëheqja e tyre ishte akti i fundit i një marrëveshjeje që siguroi disa standarde për sa u përket votimeve në Shqipëri, pra një marrëveshje që i shërbeu interesit publik dhe nuk ishte aspak një shenjë e bashkëqeverisjes nga e cila trembeshin ata që merren më politikë dhe me të drejtë, pasi bashkëqeverisja PD–PS do të ishte vërtet kundër interesit publik.

Tani që arritëm në fund të kësaj marrëveshjeje mund të bëjmë një bilanc mbi të. Një bilanc i cili rezultoi më shumë se pozitiv duke krijuar një frymë të re politike, e cila shpresojmë të vazhdojë edhe mbas tërheqjes së ministrave teknikë në të mirë të reformave të mëdha që i nevojiten vendit.

Padyshim që garantoi qëndrueshmërinë politike dhe të rendit kushtetues, të cilat rrezikoheshin nga bojkotimi i zgjedhjeve nga ana e Partisë Demokratike dhe, krijoi më së paku, një kulturë të re për sa i përket rëndësisë së zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Për herë të parë në këto zgjedhje, ndikimi i shumë sektorëve të administratës publike, që tradicionalisht janë përdorur për të ndikuar në votën e qytetarëve, në mos u evitua totalisht u ul ndjeshëm.

E qëllimshme ose jo marrëveshja, Rama–Basha bëri që të gjitha forcat politike të garonin më vete. Secila prej tyre mati forcën reale të saj elektorale dhe do të peshojë në sistemin politik për aq sa mbështetje gëzojnë. Kjo vetëm sa forcon marrëdhënien e drejtpërdrejtë të partive politike me votuesit e tyre, kundrejt raportit të deformuar midis peshës elektorale, përgjegjësisë dhe llogaridhënies që u krijua si pasojë e një sistemi elektoral i cili detyronte koalicione të sforcuara dhe aspak të bazuara në platforma politike të besueshme.

Gjithashtu, krijoi një fushatë zgjedhore me tone të qeta dhe larg klimës konfliktuale që ishim mësuar më parë. Një fushatë elektorale që ishte padyshim europiane. Larg sulmeve personale dhe agresivitetit që kanë shfaqur historikisht fushatat zgjedhore në Shqipëri. Për disa nostalgjikë të këtij modeli, kjo ishte mungesa më e madhe e saj, por për qytetarët dhe kulturën politike në vazhdimësi është një perspektivë e re e politikës së moderuar që kemi nevojë.

Për të gjitha këto arsye, edhe pse marrëveshja Rama-Basha u si një marrëveshje okulte me interesa politikë dhe bashkëqeverisje, por që asnjëra nga këto nuk u vërtetua, rezultoi e vlefshme për interesin publik. Arsyet e humbjes së thellë të Partisë Demokratike nuk kanë të bëjnë aspak më këtë marrëveshje, por duhen kërkuar gjetkë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Më në fund një profil normal i ministrit të Brendshëm

Nga Ervis Iljazaj Pas shumë vitesh, ndoshta për herë të parë, Shqipëria...
Read More