Dorëzimi i mandatit: Prapaskenat e largimit të Tahirit nga politika

Çfarë ndodhi me Saimir Tahirin në dy javët nga 19 prilli deri dje më 3 maj? Presion nga politika dhe ndërkombëtarët apo dëshirë e Tahirit për të zbardhur të vërtetën.

Dy javë më parë, pasi kishte qëndruar larg fokusit të mediave dhe politikës, Saimir Tahiri u rikthye në Parlament dhe u bë protagonist i seancës plenare të 19 prillit. Rikthimin e tij në Kuvend e kishin lajmëruar mediat dy-tre ditë më parë. Ishte e sigurt që do të ndodhte pasi në të kundërt mandati i tij ligjërisht merrte fund. Por jo! Ai kishte vendosur të qëndronte madje kërkoi edhe fjalën në Kuvend, por opozita e braktisi seancën. Po atë ditë pasi zgjati mandatin parlamentar me 6 muaj të tjerë, Saimir Tahiri zgjodhi edhe të fliste dhe mesazhin e tij e kishte ndërtuar duke risjellë në vëmendje fjalët e famshme të Edi Ramës, kur atëherë kryebashkiaku i Tiranës akuzohej nga demokratët për korrupsion. “As më mbron njeri dhe as dua njeri të më mbrojë. Për mua ka vlerë e vërteta dhe nuk ka vlerë askush që mund të më pengojë në rrugën time për të bërë drejtësi. Nuk besoj që do të ketë bir nëne dhe bir kurve që do më pengojë”, tha Tahiri para gazetarëve. Fjalët e tij dukeshin sikur po përcillnin me kode të veçanta mesazhe për politikën. Ndërkohë në profilin e tij në FB, të cilin nuk e kishte përdorur prej kohësh, Tahiri mes të tjerave shkroi: Ndërsa me këtë historinë e mesazheve të koduara që lëshokam unë, bjerini shkurt. As më duhet t’i çoj mesazh njeriu. Dhe po të kem, jam nga ata që i bën drejtpërdrejt. Më intereson vetëm e vërteta dhe drejtësia, askush e asgjë tjetër!”. Asnjë fjalë tjetër, asnjë tërheqje.

Dy javë më vonë, dje më 3 maj Saimir Tahiri, lajmëron mediat se nuk do të jetë më deputet. Një kthesë e menjëhershme në vetëm pak ditë, e shpjeguar nga vetë Tahiri si një vendim për t’u përballur me drejtësinë pa mbrojtjen e askujt, as të Parlamentit. Akuzoi se të gjithë tashmë janë bërë bllok kundër tij, nuk kurseu as pasardhësin e vet, nuk kurseu opozitën e shumë të tjerë, përveç njërit Edi Ramës, për të cilin nuk tha asnjë fjalë të drejtpërdrejtë, ndonëse nuk i qëndroi tundimit pa deklaruar se e kishin nxitur të vepronte edhe kundër tij. “Dorëzoj mandatin e deputetit deri kur të zbardhet e vërteta e plotë. Tani janë bërë të gjithë bashkë përballë meje e pushka top t’u bëhet unë këtu jam e do ua dal”, tha Tahiri. “Njëri vinte më sugjeronte thuaj ‘nuk isha unë, po Edi Rama koka e trafikut të drogës’ e kështu shpëtoja nga të gjitha. Tjetri thoshte mos të flisja se nuk është punë pasioni e nerva po llogarish. Unë heshta e pazarxhinjtë dolën në treg, nuk më kanë njohur aq sa ta kuptonin se nuk ka qenë se nuk e dija po nuk doja që armiqtë, hajdutët e pazarxhinjtë t’i mbaja në krah. Unë kam zgjedhur t’i vë përballë e nuk ka pasur e as nuk ka asnjë lloj privilegji të më bëjë të ndryshoj mendje dhe sot. Akuzat për policinë pasardhësi im ia kaloi dhe Saliut dhe Lulit. Këta që më akuzojnë mua sot nga dolën kaq të dhimbsur për fushat që dolën me hashash”, tha Tahiri. Kush heshtjen time e ka marrë për dobësi, tha Tahiri, nuk më keni njohur. Ai thotë se drejtësisë ia hodhën duke bërë harbutin e duke akuzuar të tjerët për gjëra që kanë bërë vetë.

Dorëheqja e Tahirit nga mandati i deputetit nuk ishte e papritur për politikën dhe median e Tiranës. Gjatë dy javëve që përshkon këtë hark ndryshimi në karrierën parlamentare të ish-ministrit Tahiri, ka patur një ngjarje shumë të rëndësishme: Vizita e kryeministrit Edi Rama në Berlin. Në mediat gjermane dhe shqiptare, por edhe në bisedën me politikanët gjermanë bezdia “Tahiri” për Edi Ramën do të ishte e vazhdueshme. Rama vetë e pranoi para gazetarëve të Tiranës se ishte pyetur për çështjen e ish-ministrit Tahiri. Gjithçka ndodhte pasi ministri gjerman për Europën, Michael Roth mbasi kishte shprehur konsideratat e tij për vettingun, nuk harroi t’i përmendë Ramës, se reforma gjyqësore pa një proces kundër ish-ministrit të brendshëm, Saimir Tahiri, nuk mund të bëhet. Sipas Roth kjo do të ishte dëshmi se pavarësia e gjyqësorit me të vërtetë funksionon. “E kam ndjekur me shumë vëmendje rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri dhe se si është trajtuar ky rast nga pikëpamja politike. Nuk ka arsye se përse duhet të mbrohen persona të caktuar nga pikëpamja politike. Përpara ligjit janë të gjithë të barabartë dhe përgjegjësinë nuk përgjigjet politika, por organet e gjyqësore. Ky është një rast shumë i rëndësishëm para pyetjes se, a është vërtetë Shqipëria në gjendje që të mos ndalet përpara personave të tillë”, shprehej ai.

Kjo ishte pjesa e dukshme. Ndërkohë vetë politikanët flasin për një fluks negocitash të padukshme. Më i drejtpërdrejtë ishte ish-kryeministri Sali Berisha. Ai u tha dje gazetarëve se tashmë gjërat kanë avancuar dhe se tani se bota po kërkon dorëheqjen e Ramës dhe jo “kokën’ e Tahirit, dhe foli edhe për një takim të fshehtë që kishte ndodhur sipas tij mes Ramës, Tahirit dhe Erion Veliajt, ku ishin shkëmbyer garanci dhe dhënë premtime. “Një takim i fshehtë është paralajmëruar se është bërë në një spital privat të Tiranës. Në atë takim tresh janë bërë edhe premtime për kulla. Kush ishte i treti? pyetën gazetarët. “I treti ishte edhe Lal plehu, se dini ti kush është? E ka marrë vesh e gjithë Shqipëria këtë.”, mbylli përgjigjen e tij Berisha.

Për një pakt mes Tahirit dhe kryeministrit Rama ka folur dje edhe kreu i opozitës Lulzim Basha. “Dorëzimi i mandatit nga Saimir Tahiri është vazhdim i paktit Rama-Tahiri. Është fakt se dorëheqja nga mandati erdhi pas presionit direkt që iu bë Edi Ramës në Berlin, ku iu tha se është e patolerueshme mbrojtja politike që i bëhet Saimir Tahirit me imunitet parlamentar kundër veprimeve të drejtësisë. Ky është akt hileqar për të mashtruar partnerët se gjoja Saimir Tahiri nuk ka imunitet politik dhe se gjithçka është në dorën e prokurorisë”, shprehet Basha. Në një linjë me Bashën ishte edhe kryetarja e LSI. “Dorëzimi i mandatit i Saimir Tahirit është qesharak, sepse e mbani mend që në 19 prill vrapoi në seancë për të mos humbur mandatin. Ai është një nga ushtarët e vegjël të perandorisë së drogës të Edi Ramës dhe kërkon sa të mundet t’u japë Edi Ramës dhe grupeve kriminale oksigjen. Është teatër fëminor që nuk mund t’u hedhë hi syve shqiptarëve”, tha Monika Kryemadhi. Ndërkohë që kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla e quan vendimin e Tahirit si vendim personal “që e respektojmë tërësisht dhe dua të ripërsëris atë që kemi thënë këtu e 6 muaj më parë, që kjo është një çështje tërësisht mes Saimir Tahirit dhe drejtësisë”, i vetmi që ka preferuar të mos bëjë komente ishte Presidenti Ilir Meta.

“Nuk kam koment për largimin e Tahirit. Drejtësia nuk duhet të ndikohet nga askush”, tha në një intervistë të tij kreu i shtetit.

Në pak orë lajmi “mori dhenë”. The Washington Post, The New York Times, Associated Press dhe Daily Mail raportuan se Tahiri është tërhequr nga posti i tij, që autoritetet përkatëse të hetojnë përfshirjen e tij të pretenduar në një rrjet për trafikimin e drogës, dhe Shqipëria të vijojë rrugën për në BE. Ndërsa Tahiri dje solli edhe një tjetër qasje: “Nuk më paskeni njohur fare. Unë as nuk jam dorëzuar dhe as kam ndërmend ta bëj”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Lu u bën apel të rinjve: Udhëhiqni Shqipërinë drejt së ardhmes

"Unë besoj se Shqipëria do të hyjë në BE dhe do të...
Read More