Dosja, dëshmitë/ Vrasja e gjyqtares, fëmijët: Kur ne qanim, babi qeshte


Gjykata e Krimeve të Rënda la në burg Fadil Kasemin i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes, gjyqtares Fildes Hafizi. Prindërit dhe fëmijët rrëfejnë jetën e trishtë gjatë martesës së gjyqtares me Kasemin dhe tmerrin pas divorcit. “Vendimin për divorcin e mori pasi nuk mundej të jetonte më në ato kushte. Ne qanim dhe fshiheshim nga babai”. Prindërit e të ndjerës: Vendimi i Gjykatës së Kavajës skandaloz, gjithë ngjarjen e ktheu në një fjalë goje.

Gjykata e Krimeve të Rënda mbylli në qeli Fadil Kasemin, i akuzuar për vrasjen e ish-bashkëshortes së tij, gjyqtares Fildeze Hafizi. Në një seancë me dyer të mbyllura, tregtari 35-vjeçar nuk ka pranuar të dëshmojë për krimin e rëndë. Ai nuk ka zgjedhur as avokat mbrojtës për ta përfaqësuar në gjykatë, por gjatë seancës gjykata i caktoi atij një avokat kryesisht. Në fillim të seancës, gjyqtari i gatshëm lejoi praninë e kamerave, ndërsa 53-vjeçari tentoi të shmangej duke u fshehur herë pas here pas murit të kafazit të hekurt ku shoqërohej nga dy punonjës policie. Pasi dëgjoi përfaqësuesin e prokurorisë gjykata caktoi ndaj të dyshuarit si autori i vrasjes së gjyqtares Hafizi masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzat e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare, mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe rrëmbim personi.

Sipas prokurorisë, rreth orës 13:50 të datës 31 gusht, gjyqtarja Fildeze Hafizi ka dalë nga një parukeri dhe është futur në automjetin e saj të parkuar aty pranë. Në këtë kohë është afruar ish-bashkëshorti i saj, shtetasi Fadil Kasemi me një pistoletë në dorë dhe ka qëlluar me armë në drejtim të shtetases Fildeze Hafizi duke e lënë të vdekur në vend. Më pas shtetasi Fadil Kasemi me pistoletën në dorë i ka dalë përpara një automjeti të rastit që po udhëtonte në drejtim të rrugës Bardhyl, automjetit fugon benz-mercedez, me targa AA 308 PF, që drejtohej nga shtetasi K. T., të cilit i ka thënë se kishte vrarë bashkëshorten e tij dhe nën kërcënimin e armës i ka kërkuar atij që ta largonte nga vendi i ngjarjes duke hipur brenda në automjet.

Gjatë udhëtimit shtetasi Klodjan Tafa ka përshkuar rrugën që të dërgonte pranë Komisariatit të Policisë nr.1 Tiranë. Në kohën që i është afruar Komisariatit shtetasi Klodjan Tafa e ka futur menjëherë automjetin e tij brenda në ambientet e Komisariatit të Policisë ku në këtë moment janë afruar menjëherë punonjësit e policisë N. K. dhe D. M., të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë bërë kapjen në flagrancë të shtetasit Fadil Kasemi duke i hequr armën pistoletë që mbante në duar.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në rrugën “Xhanfize Keko”, në trotuar, është konstatuar i parkuar automjeti i të ndjerës Fildeze Hafizi, benz, me targa AA…, me ngjyrë gri, ku në sedilen e parë të shoferit ndodhej viktima Fildeze Hafizi. Mjeti ndodhej në gjendje të ndezur dhe të dyja xhamat e dyerve të para ndodheshin të ulura,  ajo e drejtuesit të mjetit ndodhej e ulur në gjysmë të saj, ndërsa ajo e anës së djathtë e ulur deri në fund. Gjatë këqyrjes, nga jashtë automjetit , në largësinë 11.9 metër  nga shkallët e pallatit dhe 2.9 metër nga buza e trotuarit, në drejtimin lindor të mjetit, është gjetur  në tokë një gëzhojë arme me markerofka 11x 65, e cila është sekuestruar me cilësinë e provës materiale.

Gjatë këqyrjes së brendshme të automjetit është konstatuar se e ndjera Fildeze Hafizi mbante në prehër telefonin celular të saj, i cili është sekuestruar me cilësinë e provës materiale. Gjatë këqyrjes së kufomës së shtetases Fildeze Hafizi, bërë në praninë e ekspertit të mjekësisë ligjore, është konstatuar një plagë armë zjarri në kokë, me hyrje dalje nga e majta në të djathtë. I pyetur për faktin e ngjarjes, personi i arrestuar Fadil Kasemi, në praninë e një mbrojtësi kryesisht, pasi është njohur me letrën e të drejtave si person i arrestuar, ai nuk ka pranuar të flasë për faktin dhe rrethanat e ngjarjes.

Pas vendimit të Gjykatës “Ora News” ka intervistuar prindërit dhe fëmijët e gjyqtares së ndjerë të cilët kanë rrëfyer tmerrin që Filezi ka përjetuar gjatë martesës dhe pas divorcit me Fadil Kasemin. “Ajo ka sakrifikuar çdo gjë për ne. Ditën kur ka vendosur që do të ndahet, ka vendosur që do të ndahet vetëm se atë ditë kemi qenë unë dhe Arlindi përtokë, ishim duke qarë, duke iu lutur. Nuk duronim dot më, ishim duke u shkatërruar. Nuk donim të shkonim as në shtëpi pas shkolle. Dhe kur e ka vendosur më ka thënë: Unë e kam vendosur me koshiencë që sot mund të kisha vdekur dhe ka mundësi mund të vdes”,- tregon vajza e gjyqtares së ndjerë.

Ndërsa djali thotë se, nëna e tij jetoi dy vjet e lirë dhe bëri çdo gjë për ta, duke sakrifikuar dhe jetën për në fund. “Është gjëja më e bukur që kam parë ndonjëherë, nuk kam fjalë”, thotë djali. Prindërit e Fildesit thonë se, e gjejnë forcën për të jetuar pas vrasjes së të bijës tek dëshira për ti qëndruar pranë mbesës e nipit, tashmë jetim. Babai, Bynjamin Hafizi kujton me dhimbje sakrificat që ka bërë për ti mundësuar gjyqtares së vrarë shkollimin dhe realizimin e ëndrrave të saj.

“Ngjarja e saj ishte fatkeqe, nuk e kam nxit kurrë me u nda nga familja se nuk donin fëmijët. Por ishte kaq e lodhur, kaq e frikësuar, kaq e tmerruar, sa këta dy fëmijë që në moshë të vogël sa u ka thënë u ka ardhur  i ati, kanë hyrë poshtë dyshekëve dhe janë fshehur”, tregon babai. Ai flet edhe për ngjarjen e dy viteve të shkuara kur Fadil Kasemi tentoi të vrasë ish-bashkëshorten në plazhin e Golemit.

“Mora vendimin e Kavajës, skandaloz. Gjithë atë ngjarje e kthyen në një fjalë boshe: Dhunë në familje. Ata nuk ishin familje, ishte e ndarë. Kishte 6 muaj. Ishte vajza ime, nuk ishte më gruaja e tij, ishte nëna e fëmijëve”, thotë babai i të ndjerës. Nafie Hafizi nuk është në gjendje të mirë shëndetësore ndaj dhe muajt e fundit ka jetuar nën përkujdesjen e Fildesit dhe fëmijëve të saj. “Kërkoj ndihmë që këta fëmijë ti rris siç ka dashur ajo. Kam harruar çfarë më ka gjetur mua. Mua më raftë pika! Po nuk bien pika. Kam harru se du me jetu me i rrit këta fëmijë”,- thotë nëna e gjyqtares. Të dy janë pensionistë dhe druhen se çfarë do të ndodhë pas disa viteve me fëmijët e Fildesit në kohën kur nuk kanë as shtëpi dhe as të ardhura të tjera përveç pensionit.

“Më ka lënë detyrë shumë të vështirë, ne jemi dy pleq. Sa të kem jetë do të mundohem me i rrit. Por nuk kam mundësi me i rrit si ka dashur ajo. Kushtet ekonomike i kanë shumë të vështira. Jemi dy pleq me dy pensione. Ne kemi prit me e marrë rrogën Desi, jemi në shtëpi me qira. Që me 1 shtator jemi të gjithë jashtë. Unë me dy fëmijë jam jashtë dhe me plakun”,- thotë nëna.

Për babain vrasës, Arlindi thotë se kanë jetuar nën terrorin e dhunës psikologjike dhe e përshkruan si një njeri me temperament të frikshëm. Edhe familjarët flasin për një ngjarje të paralajmëruar, me kërcënime të shtuara pasi Fildesi refuzoi rikthimin me ekzekutorin e saj.

“Unë dhe Arlindi nuk ia kemi ditur kurrë kuptimin fjalës babë, ashtu ka qenë ai gjithmonë, nuk na njihte. Para ca kohësh, isha vetëm me atë dhe po më bërtiste në lidhje me mamin. Mund të ketë qenë e vetmja kohë kur ka treguar psikopatinë e  tij përpara nesh dhe ka qenë gjëja më e frikshme e jetës sime. Unë qaja dhe ai qeshte që qaja unë”,- tregon vajza. Dy fëmijët thonë se kanë jetuar në terror, ndërsa nëna e tyre edhe pse ishte divorcuar nuk e urrente babain, madje ajo i dërgonte çdo fundjave tek ai.

“Ku kemi jetuar ne ka qenë terror, trembeshim, iknim, mbylleshim. Deri para një jave na thoshte: Shkoni tek babi se është vetëm për Bajram. Nuk e urrente dot. Ka qenë fenomenale. Ne shkonim absolutisht çdo fundjavë, edhe kur nuk donim, qanim, nuk donim të shkonim na çonte mami. Sado të vështirë e kishim na fliste mire”,- rrëfejnë fëmijët e gjyqtares së ndjerë për “Ora News”.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rama përgatit “Rama 2”. Bashkim ministrish, emrat që ikin dhe vijnë

Burime nga selia e Kryeministrisë tregojnë se është përfunduar struktura e qeverisë...
Read More

Leave a Reply

Your email address will not be published.