“Dosja e Arbër Çekajt”: Si e falën kur iu sekuestruan 90 kg kokainë

Policia referoi në prokurori 2 materiale për pronarin e kompanisë “Arbër Garden”, të cilit iu kapën 90 kg kokainë në ngarkesën me banane në Ekuador. Ai u thirr nga vetë policia dhe dëshmoi për ngarkesën, por Prokuroria e Krimeve të Rënda pushoi hetimet për arsye ende të panjohura. Një javë pas sekuestrimit të sasisë rekord të kokainës, mbeten të arrestuar vetëm shoferi dhe menaxheri i kompanisë.

Nëse Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kishte bërë detyrën dy vite më parë, minimalisht do të ishte ndërprerë një prej linjave më të mëdha të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine në Shqipëri.

Nuk dihet përse Prokuroria fali Arbër Çekajn, pronarin e kompanisë “Arbri Garden”, i cili është dërguar për ndjekje penale nga policia si i dyshuar për trafik ndërkombëtar narkotikësh.

Në dhjetor të vitit 2015, kompania e Çekajt kishte kryer porosinë e radhës me banane nga Ekuadori.

Por një kontroll i policisë vendase zbuloi mes bananeve dhe një sasi prej 90 kilogramë kokaine e cila u sekuestrua në Ekuador bashkë me bananet që kishin si destinacion Durrësin.

Policia e Shtetit u vu në dijeni të këtij fakti dhe nisi procedurat e hetimit për kompaninë shqiptare dhe administratorin e saj, 38-vjeçarin Arbër Çekaj. Sipas burimeve mësohet se policia pasi ka kryer verifikimet paraprake ka referuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dy materiale për këtë çështje.

Më datë 22 dhjetor 2015, pak kohë pasi autoritetet ekuadoriane kishin sekuestruar 90 kg kokainë, në tavolinën e drejtuesit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda u vendosën materialet e çështjes.

Janë dy materiale me nr. protokolli 12041 dhe 12041/1 të cilat jepnin informacione të hollësishme për veprimtarinë e kompanisë që kishte porositur ngarkesën me banane, por edhe për operacionin e kryer të Ekuador ku u sekuestrua kokainë.

Një muaj më pas, në janar të vitit 2016, policia me iniciativën e vetë ka shoqëruar shtetasin Arbër Çekaj, pronari i kompanisë “Arbri Garden” të cilit i ka marrë një dëshmi të plotë për këtë porosi. Asokohe Çeka sërish ka mohuar lidhjen e tij me kokainën, por gjithsesi kjo dëshmi është vënë në dispozicion të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila si rregull duhet të hetonte rastin.

Vetëm pak kohë më pas, për arsye ende të panjohura, Krimet e Rënda kanë mbyllur hetimet dhe kompania “Arbri Garden” ka vijuar e qetë të importojë banane nga vendet e Amerikës Latine, kryesisht Kolumbia dhe Ekuadori.

Pas zbulimit të këtyre fakteve, Prokuroria ka detyrën të sqarojë përse hetimet për këtë çështje nuk kanë vijuar, edhe pse policia ka insistuar që i dyshuari të hetohej, edhe për shkak të aktivitetit të shtuar që kompania e tij kishte patur në këtë periudhë. Dy vjet më pas, e njëjta kompani, me të njëjtin pronar, bëhet sërish protagonist e trafikut të drogës, pasi në ngarkesën e bananeve të porositur prej saj u zbulua sasia rekord prej 613 kg kokainë.

Mbetet për t’u parë reagimi i të njëjtës prokuroi, e cila deri tani ka arrestuar vetëm dy 25-vjeçarë. Edhe pse kanë kaluar 7 ditë nga ngjarja, nuk ka asnjë të dyshuar tjetër përveç dy të arrestuarve, shoferi i kamionit dhe menaxheri i kompanisë, si dhe pronari që është shpallur në kërkim.

Nëse një sasi kaq e madhe kokaine është vepër e dy 25-vjeçarëve, atëherë Shqipëria do të ishte mbuluar nga pluhuri i bardhë. Megjithatë edhe operacioni më pak se njëditor i policisë dhe Prokurorisë është zbuluar nga dy të arrestuarit, të cilit u kapën brenda ambienteve të fabrikës në Maminas të Durrësit.

Kontejneri me banane ka mbërritur në Shqipëri më datë 19 shkurt të këtij viti, pasi kishte kaluar tranzit në Itali e Maltë. Deri në datën 27 shkurt, kontejneri ka qëndruar në Portin e Durrësit, derisa është paraqitur për zhdoganimin e tij 25-vjeçari Donaldo Lushaj. Sipas policisë pohohet se lënda narkotike u zbulua gjatë procesit të skanimit, gjatë kryerjes së procedurave të skanimit.

Ndërsa Prokuroria gjatë seancës për caktimin e masës së sigurimit ndaj dy të arrestuarve tha se dogana dhe autoriteti portual në Durrës ishin njoftuar nga homologët italianë. Megjithatë, varianti i policisë tregon se kontejneri me 613 kg kokainë ka qëndruar për 8 ditë në portin e Durrësit, i pamonitoruar dhe mbikëqyrur nga askush, derisa është kryer procedura për zhdoganimin e tij më 27 shkurt.

Pikërisht ky është momenti kur ka hyrë në lojë policia e cila ka mbajtur në mbikëqyrje dy të dyshuarit të cilët po kryerin transportin e kontejnerit nga Porti i Durrësit në ambientet e kompanisë “Arbër Garden” në Maminas. Por nuk kanë qenë vetëm policët që mbanin në vëzhgim të dyshuarit, pasi edhe Donaldo Lushaj e Armando Pezaku e kanë kuptuar se policia kishte rënë në gjurmët e ngarkesës me drogë.

Edhe gjatë transportimit të “mallit” drejt magazinës në Maminas, ata kanë vënë re praninë e agjentëve civilë, ndaj policia ka ndërhyrë menjëherë, pasi mund të rrezikohej prishja e provave. Sipas burimeve, sasia rekord e kokainës është futur në qese unike dhe nën masa të rrepta sigurie është transportuar nga forcat speciale në Laboratorin Shkencor të Policisë, që ndodhet në kryeqytet, ku do t’iu nënshtrohet analizave.

Policia dhe Prokuroria thonë se po vijojnë hetimet për të zbuluar porositësit e vërtetë të sasisë rekord të kokainës, ndërsa pronari i firmës, Arbër Çekaj, rezulton të ketë dalë nga territori i vendit përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës, pak ditë para kapjes së ngarkesës. Burime nga grupi hetimor thonë se, ka dyshime që pas ngarkesës me 613 kg kokainë, me vlerë 180 mln euro, fshihen të paktën 10 porositës, të cilët kanë financuar blerjen dhe rrugëtimin e kontejnerit nga Kolumbia.

Kompania “Arbri Garden” kishte tre kontejnerë të ardhur me banane nga Kolumbia. E ndërsa e para rezultoi e ngarkuar me 613 kg kokainë, dy kontejnerët e tjerë të kompanisë “Arbri Garden” kanë rezultuar të pastër. Kontejnerët i janë nënshtruar dy fazave të kontrollit si fizikisht dhe me skaner ndërsa ishin të mbushura po me banane.

Kontrolli është kryer në terminalin e kontejnerëve në portin e Durrësit ndërsa ReportTv ka mësuar se Prokuroria e Krimeve të rënda ka zgjeruar hetimet për të arrestuarit dhe personat e dyshuar si të përfshirë në këtë trafik.

Si masë paraprake pas sekuestros së kontejnerit, kamionit, lëndës narkotike, akuza ka kërkuar dhe sekuestro preventive mbi asetet dhe pasurinë e kompanisë “Arbri Garde” për të mos u tjetërsuar. Kjo kompani sipas të dhënave në qendrën kombëtare të bizneseve figuron e krijuar në vitin 2012 ndërsa në hetimin paraprak të bilanceve të saj sipas hetuesve nuk justifikohet rritja e kapitalit me aktivitetin real të saj në treg.

Ndërkohë dy të arrestuarit Donaldo Lushaj në rolin e menaxherit të “Arbri Garden” dhe Armando Pezaku vazhdojnë të mbajnë qëndrim mohues në lidhje me dijeninë e tyre për kokainën. Në arrati vazhdon të jetë pronari i saj Arbri Cekaj, i cili ka mohuar se ka lidhje me kokainën e gjetur në kontejnerin që për llogari të tij nga Kolumbia në Durrës solli ngarkesën me banane.

Prokuroria po ashtu ka sekuestruar edhe dokumentet e kompanisë “Arbër Garden”, sipas të cilave, ndër të tjera rezulton se kjo kompani ka patur një aktivitet të shtuar importi nga vendet e Amerikës Latine.

Që nga koha e regjistrimit, deri ditën e kapjes së sasisë rekord të kokainës, rezulton se “Arbri Garden” kishte importuar sasi të konsiderueshme bananesh kryesisht nga Ekuadori dhe Kolumbia. Bëhet fjalë për rreth 100 ngarkesa të importuara, ku sasia e bananeve që ka ardhur në Shqipëri në çdo rast është më shumë se 20 tonë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dhe yjet vishen me të zeza…

Tapeti i kuq i ceremonisë së 75-të të çmimeve Golden Globes është dominuar nga...
Read More