Dosja e prokurorisë: Provat e reja që lidhin Tahirin me Habilajt

Seancë e tensionuar dhe me përplasje mes ish-ministrit të akuzuar për përfshirje në trafikun e drogës dhe prokurorit Hajdarmataj. Prokurorët: Kemi prova të reja. Avokati: Apeli do ta prishë vendimin për masën e arrestit.

Gjykata e Krimeve të Rënda la dje në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” të dhënë tre ditë më parë për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Pas dhënies së vendimit në një seancë me shumë përplasje e debate mes ish-ministrit dhe prokurorëve të çështjes, avokati Maks Haxhia shprehu bindjen se ky vendim do të prishet nga Gjykata e Apelit ku do ta ankimojnë, pasi sipas tij pretendimet e mbrojtjes janë të argumentuara në ligj. Në gjithë materialin e dosjes së paraqitur nga prokuroria nuk kishte asnjë provë të re që të implikonte me dyshime të arsyeshme të bazuara në prova implikimin e Tahirit në ndonjë vepër penale, përfshirë dhe ato të akuzës”, deklaroi avokati.

Seanca

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ironizoi përballë dy prokurorëve Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara që sipas tij po kalonin në lupë miq e të afërm me të cilët ka kaluar pushimet verore 2014. Me këto hetime tha Tahiri, më mirë i konsideroni edhe ata nga grup i strukturuar miqësor, në grup kriminal. Edhe gjyqtarja e çështjes nuk shpëtoi nga batutat e Tahirit pasi sipas tij, për të janë njësoj si arresti shtëpiak ashtu edhe arresti me burg. Përtej batutave Saimir Tahiri u shfaq i nervozuar në gjykatë kur i tërhoqi vëmendjen gjyqtares se nuk ka ndërmend të arratiset, por se do presë drejtësinë. Si mund të ndikojë në dëmtimin e provave, pyeti ish-ministri, të njëjtin arsyetim përdori edhe në vendimin e parë edhe tani që jam një qytetar i thjeshtë dhe pa mandat. Saimir Tahiri kujtoi se mandatin e kishte lënë me dëshirë dhe se nuk ishte një mburojë siç gjyqtarja Baku e kishte cilësuar në verdikt. Por prokurori kujtoi se i janë drejtuar Apelit me kërkesën për arrest me burg pasi në të kundërt me çka pretendon mbrojtja, sipas akuzës ka prova që hedhin dyshime ndaj ish-ministrit. Prokuroria tha se ka përcjellë edhe tre letër-porosi të tjera, dy në Itali, për të mësuar emrat e personave që kanë blerë bizhuteritë dhe një në Mal të Zi për të kuptuar udhëtimin e përbashkët Tahiri – Orest Sota. Kjo e fundit kërkohet për llogari të qëndrimit të prokurorisë se 863 mijë eurot e gjetura në makinën e Sotës janë të Saimir Tahirit.

Përplasjet Tahiri-Hajdarmataj

Në fillim të seancës Tahiri tha me ironi për masën e arrestit se si në burg si në shtëpi për atë njëlloj është, pasi akuzat janë të pabaza dhe se nuk ka asnjë fakt që vërteton lidhjen e tij me kriminelët.

Saimir Tahiri: Me këtë masë që më keni dhënë si në burg si në arrest shtëpie është njëlloj për mua. Unë burg e quaj, se me këto prova që janë paraqitur nuk e pranoj as në arrest shtëpie. Meqë qenkam kaq i rrezikshëm, fusni të gjitha grupet kriminale në burg dhe faturojani Saimir Tahirit. Më vendosi në arrest në burg, pasi masa që keni vendosur është e papërshtatshme me akuzat.

Prokurori Besim Hajdarmataj ka këmbëngulur se Tahiri është takuar me Artan Habilajn në Greqi, por ish-ministri u përgjigj po me ironi.

Saimir Tahiri: Në Greqi kam qenë si grup i strukturuar miqësor dhe jo kriminal, mua prokuroria më ka hetuar jo si grup të strukturuar kriminal, po miqësor. Unë isha me pushime në Greqi.

Prokurori Hajdarmataj ka vijuar me akuzat këtë herë për Sokol Boden, ndërsa ka kërkuar letërkëmbimin si është emëruar dhe promovuar ish-drejtori i Postës në Dhërmi në kohën kur Tahiri ishte ministër.

Besim Hajdarmataj: Përgjegjës për kontrollin e postës në Dhërmi ka qenë Sokol Bode, i cili u emërua në periudhën që ka qenë ministër Tahiri. Kërkojmë të merren si prova; lëvizja në pikën kufitare në Triport ku përfshin edhe radarin në Porto Palermo, por edhe një letërkëmbim si është emëruar dhe promovuar Sokol Bode. Peshkarexha ‘Fatima’ e mbërritur në 2015 në Shqipëri, jo vetëm që ka ardhur dhe ka marrë kanabis, por është ankoruar në port.

Ndërkohë që nuk mungoi edhe ironia nga Hajdarmataj kur u shpreh se Sokol Bode ruante drogën e Habilajve, por qëndroi në detyrë më shumë se ai.

Besim Hajdarmataj: Unë nuk munda të qëndroj tre vite në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u shkarkova.
Prokurori kërkoi që ndaj Tahirit të merret masa ‘arrest me burg’, me arsyetimin se mund të prishë provat duke ndikuar te dëshmitarët sikur ndodhi me Orgest Liperin. Ish-ministri reagoi duke u shprehur se Liperin e ka takuar për t’i kërkuar ndjesë. Orgest Liperi është pronari i skafit me të cilin ka udhëtuar drejt Greqisë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Prokurori tha se Tahiri e ka takuar për ta intimiduar.

Saimir Tahiri: Nuk kam pasur qëllim ta intimidoj, i kam kërkuar falje që e përfshiva në këtë mesele. Bëra detyrën time qytetare. Nuk kisha mundësi të ndikoja tek qytetari. Takimi me të pak ditë pasi kishte dhënë dëshminë e tij, por thjesht i kërkova ndjesë.

Prokurori deklaroi gjithashtu se në Durrës u paraqit Moisi Habilaj për skafin e prishur të Orges Liperit, dhe fillimisht ka pasur rezistencë nga policia kufitare e Durrësit, dhe më pas është lejuar. Besim Hajdarmataj, ka deklaruar se ka dyshime edhe për ndërhyrje në sistemin TIMS, jo vetëm për lëvizjet e ish-ministrit të Brendshëm, por edhe të personave të arrestuar në Itali, si është Moisi Habilaj.

Do konfirmojmë që shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS sikurse është rasti i Moisi Habilajt”, tha Hajdarmataj. Sipas tij, “në TIMS, ka pasur ndërhyrje lidhur me hyrje-daljet jo vetëm të Tahirit, por edhe me personat e tjerë, si është rasti i Moisi Habilaj. Por për këtë do të jap shpjegime të mëvonshme dhe do të zbardhen në fund të hetimit”.

Sipas Hajdarmataj këto ndërhyrje janë bërë në kohën që Tahiri ka qenë me skaf në Greqi dhe ai pësoi defekt, dhe Tahiri kërkoi ndihmën e një oficeri policie që erdhi së bashku me teknikun dhe Artan Habilajn, drejt Greqisë.

Besim Hajdarmataj: Në kohën e kthimit, së bashku me skafin me defekt, nuk është regjistruar në portin e Sarandës që ka hyrë Artan Habilaj, me policin dhe mekanikun. Nga Saranda skafi është lënë në portin e Durrësit. Pas disa ditësh është paraqitur te moli, Moisi Habilaj, dhe të vetmit që i kanë bërë rezistencë kanë qenë punonjësit e molit, që i kanë thënë se nuk mund ta marrë pasi nuk ka dokument. Pavarësisht kësaj, Moisi Habilaj, e ka marrë skafin dhe ka shkuar në Brindizi për ta rregulluar.

Për sa i përket rreth 900 mijë eurove që iu sekuestruan Orest Sotës në Elbasan, prokuroria ka deklaruar se presin letër-porosi nga Mali i Zi për lëvizjet Tahiri-Sota, ndërsa ish-ministri ka reaguar duke u shprehur se ‘si është e mundur që nuk e keni gjetur se kujt i përkasin këto para’. Prokuroria akuzon se paratë i përkasin Tahirit. 

Saimir Tahiri: Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës. Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem. Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë.

Në fund gjyqtarja Liljana Baku vendosi që të lërë në fuqi masën arrest shtëpie, që u kundërshtua nga Tahiri.

 

“Spektakli” i hyrje-daljeve në Gjykatë

Një spektakël më vete kanë qenë edhe hyrjet e daljet e ish-ministrit Tahiri në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai ka mbërritur në ndërtesën e gjykatës me një makinë policie dhe është shoqëruar në ambientet e brendshme të saj nga efektivët. Para kamerave ai shfaqi qëndrim miqësor me policët, madje u shfaq duke i hedhur dorën në qafë njërës prej efektiveve që e shoqëronte. Ndërkohë më parë ai kishte mundur të shmangte mediat që e prisnin prej mëngjesit herët te porta kryesore e banesës te “Kodra e Diellit”. Ndërkohë edhe pas daljes nga gjykata po me një makinë policie, Tahiri ka hyrë në banesë nga ana e pasme përsëri duke e anashkaluar kontaktin me mediat.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Neurologia: Demenca fillon me harresa të vogla, testet që e zbulojnë

Mjekja: Të vendosësh diagnozën e sëmundjes së Alzheimerit, ose të sindromit demencial...
Read More