Dosja italiane, 1500 faqet që përcaktojnë fatin e Saimir Tahirit

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e Saimir Tahirit, i dyshuar si pjesë e grupit të Habilajve dhe “korrupsion pasiv”. Italia sjell dosjen e plotë për grupin e trafikantëve. Prokuroria: “Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminal. E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit kriminal me strukturat e policisë së shtetit, ku përfitimet direkte monetare shkonin tek ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri”.

Me një lëvizje të pazakontë, Prokuroria e Krimeve të Rënda surprizoi dje duke kërkuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Akuzat ndaj Tahirit janë tepër të rënda, pasi Prokuroria e dyshon si pjesë të grupit të strukturuar kriminal të Habilajve, trafik ndërkombëtar droge dhe korrupsion pasiv.

Emri i tij u përfshi zyrtarisht nën hetim vetëm një ditë më parë, edhe pse Prokuroria e Krimeve të Rënda hetonte Habilajt që prej vitit 2016.

Por situata ndryshoi tërësisht vetëm dy ditët e fundit dhe kjo pas informacioneve të mbërritura nga autoritetet italiane.

Bëhet fjalë për të paktën 1500 faqe materiale, të marra nga hetimi që ka zhvilluar për katër vite me radhë nga Prokuroria e Katanias në Siçili.

Prokuroria është treguar e rezervuar në kërkesën publike drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, por konfirmohet se në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, do të paraqiten të gjitha provat ndaj Tahirit.

Në materialin voluminoz që ka mbërritur në prokurori gjatë dy ditëve të fundit, flitet për prova dhe fakte që implikojnë drejtpërdrejt ish-ministrin e Brendshëm në akuzat për të cilat po hetohet nga Prokuroria.

Referuar kërkesës zyrtare të Prokurorisë për arrestimin e Tahirit thuhet se ish-ministri i Brendshëm është nën hetim si i dyshuar për veprat penale: “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Sipas prokurorisë, për grupin e Habilajve ka patur tri hetime: I pari me nr. 134 në vitin 2016, i dyti me nr. 164 në vitit 2017 dhe procedimi i tretë është regjistruar më 17.10.2017.

Të tria këto hetime janë bashkuar në një të vetëm, mbi bazën e të cilit u kërkua dje dhe arrestimi i Samir Tahirit.

Në kërkesë Prokuroria sqaron se hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm nisën pas të dhënave të publikuara në media, të cilat u referoheshin hetimeve të prokurorisë italiane.

Prokuroria thotë se nga ana e autoriteteve italiane të drejtësisë është arrestuar personi në hetim Moisi Habilaj etj., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme në rang të grupit të strukturuar kriminal.

Arrestimi i këtij shtetasi është bërë në funksion të hetimeve që autoritetet italiane të drejtësisë po zhvillojnë në lidhje me kapjen dhe sekuestrimin e sasisë prej 3.5 tonësh lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa.

Nga hetimet rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë të cilët ushtrojnë funksione publike në Republikën e Shqipërisë ka arritur të trafikojë për jashtë shtetit me destinacion Italinë sasi të konsiderueshme lënde narkotike.

“Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera është arritur të zbulohet se personi në hetim Moisi Habilaj dhe bashkëpunëtorët e tij kanë bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të policisë së shtetit ku si person i dyshuar është dhe ish-ministri i Brendshëm, personi në hetim Saimir Tahiri”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Më tej akuza sqaron se personi në hetim Moisi Habilaj në bashkëpunim me persona të tjerë duke përfituar nga lidhjet e ngushta me ish-ministrin e Brendshëm dhe kundrejt shpërblimeve kanë arritur të bëjnë të mundur kultivimin e sasive të konsiderueshme të lëndës narkotike, transportimin e tyre në mënyrë të organizuar me destinacion jashtë vendit.

“Në dijeni të këtyre detajeve dhe me veprime aktive dyshohet të ketë vepruar dhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ka siguruar paprekshmërinë e veprimtarisë kriminale të grupit të strukturuar kriminale”, thotë prokuroria.

“E gjithë veprimtaria kriminale mbështetej në bashkëpunimin e grupit kriminal me strukturat e policisë së shtetit, ku përfitimet direkte monetare shkonin tek ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri”, citohet në kërkesë.

Referuar të dhënave të deritanishme të hetimit prokuroria citon disa nga informacionet kryesore të dosjes.

Është kapur dhe sekuestruar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, në masën prej rreth 3.5 tonë lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa nga autoritetet italiane të drejtësisë të dyshuara si të trafikuara nga grupi kriminal Moisi Habilaj etj.

Më datë 18.10.2017 është kapur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike prej 3.978 tonë (tre tonë e 978 nëntëqind e shtatëdhjetë e tetë kg), e llojit Cannabis Sativa, në banesën e shtetasit në hetim Armand Koçerri, bashkëpunëtor i shtetasve Moisi Habilaj, Florjan Habilaj etj.

Subjektet e dyshuara Moisi Habilaj etj., në komunikimet telefonike dhe bisedat ambientale që rezultojnë nga përgjimet e bëra ndërmjet tyre rezulton të pasqyrojnë detaje të cilat tregojnë përfshirjen në veprimtarinë kriminale të shtetasit në hetim Saimir Tahiri.

Subjektet e dyshuara Moisi Habilaj etj., në komunikimet e bëra ndërmjet tyre rezulton të pasqyrojnë detaje të cilat tregojnë shpërblimet që i japin ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në funksion të realizimit të veprimtarisë së tyre.

Subjekti në hetim Saimir Tahiri me datë 05.11.2013 ka realizuar shitjen e automjetit me targa AA003GB, te personi në hetim Artan Habilaj, vëllai i të arrestuarit Moisi Habilaj.

Më datë 16.08.2014, 30.08.2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi në hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targa AA003GB, i cili sipas aktit të shitjes rezulton të jetë shitur me datë 05.11.2013.

Në këto udhëtime rezulton që personi në hetim Saimir Tahiri ka qenë i shoqëruar nga subjektet e tjera të dyshuara Artan Habilaj etj.

“Nisur nga sa më sipër, në kushtet e sekuestrimit të lëndës narkotike, dhënies së shpërblimeve nga grupi kriminal funksionarëve të lartë zyrtarë, mbajtjes së kontakteve të vazhdueshme me ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova për ekzistencën e veprimtarisë kriminale dhe përfshirjes në këtë veprimtari të të dyshuarit Saimir Tahiri”, thuhet në kërkesën e prokurorisë.

Kërkesa e akuzës pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Këshillit të Mandateve sot në orën 11:00, ku do të ballafaqohen provat e prokurorisë me mbrojtjen e Tahirit. Më pas ky Këshill harton një raport i cili i përcillet kuvendit për votim.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Debate të forta në kryesi: Basha e Selami kandidatët zyrtarë, jashtë Patozi

Mbledhja e kryesisë nuk ka mundur të unifikojë qëndrimet në PD, ndërsa...
Read More